26.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësMesazhi i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropian në Asamblenë Plenare me rastin...
HomeJeta e KishësMesazhi i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropian në Asamblenë Plenare me rastin...

Mesazhi i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropian në Asamblenë Plenare me rastin e 50-vjetorit të Themelimit të tij

Presidentët e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane u takuan në Asamblenë Plenare, në Romë, për të kremtuar 50-vjetorin e themelimit të saj; u takuan me Papa Françeskun në Shën Pjetër duke kremtuar Meshën e shenjtë; shkuan në Kuirinale për të përshëndetur Presidentin e Republikës.

Në përfundim të punimeve zgjodhën Presidencën e re, duke falënderuar Presidencën e mëparshme dhe duke dërguan një mesazh.

Kjo është Presidencën e re e Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane me Mesazhin e saj:

Arqipeshkvi i Vilniusit, Imzot Gintaras Linas Grušas, President i Konferencës Ipeshkvnore të Lituanisë është Presidenti i ri i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane. U zgjodh nga Presidentët e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane të mbledhur në Asamble Plenare, në Romë. Imzot Gintaras Linas Grušas, 60 vjeç, merr postin e Presidentit që më parë mbulohej nga Kardinali italian Angelo Bagnasco, i cili e udhëhoqi këtë Këshill nga viti 2016 deri në vitin 2021.

U zgjodhën edhe dy Zëvendës-Presidentët e rinj: Kardinali Jean-Claude Hollerich, Arqipeshkëv i Luksemburgut dhe Shkëlqesia e Tij Imzot Ladislav Német, President i Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare të Shenjtërve Ciril dhe Metod në Beograd.

I urojmë punë të mbarë Presidencës së re.

Mesazhi përfundimtar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane

në Asamblenë Plenare me rastin e 50-vjetorit të Themelimit të tij

Të ecim së bashku

Popuj dhe Kombe të Evropës, ne, ipeshkvij të Kishës Katolike të bashkuar me Atin e Shenjtë Françeskun, jua hapim zemrat tona dhe përtërijmë vlerësimin dhe dashurinë që kemi për ju si Etër dhe Barinj.

Jemi mbledhur në Romë me rastin e 50-vjetorit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, një organizëm që Shën Pali VI e deshi pas Koncilit II të Vatikanit si një shenjë e mëtejshme e vëmendjes dhe e afërsisë kishtare me kontinentin e dashur.

Pranë varrit të nderuar të Pjetrit Apostull, të forcuar nga dëshmia e tij e gjallë dhe të konfirmuar nga fjalët e Papa Françeskut, ju drejtohemi juve, vëllezër dhe motra të dashura, për t’ju thënë se jemi me ju dhe se misioni ynë na shtyn të ecim së bashku drejt së ardhmes së një kontinenti që lind nga një fat bukurie dhe qytetërimi, mirësie të përhapur dhe të konsoliduar në zemra, në tradita, në gjuhë: në thelb, në një ndjenjë të përbashkët, në një shpirt. Siç dihet, historia evropiane është një ndërthurje harmonike veçorish që kanë gjetur sintezën dhe përmbushjen e tyre në personin e Krishtit, Shëlbuesit të botës. Kjo është një dhuratë që Provania ka bërë me ardhjen e Apostujve Pjetër dhe Pal, me dëshminë e fesë deri në derdhjen e gjakut dhe ka shkuar kudo përmes rrugëve dhe urave, shkëmbimeve dhe kërkimeve, liturgjisë dhe fesë së përbashkët. Pothuajse sikur Jerusalemi dhe Athina të gjenin vendin e bashkimit në Romë.

Sfidat e kohës, si p.sh. vështirësia për të dialoguar, mosbesimi në takimin e tjetrit, kultura dominuese materialiste, po shtypin si fenë e krishterë, ashtu edhe besimin fetar dhe në përgjithësi qytetërimin njerëzor. Nuk duhet të kemi frikë, por të jemi të bashkuar, dhe ne – si Barinj dhe Qytetarë – ecim me ju, individë, familje, Popuj, Kombe, për të qenë shërbëtorë të gëzimit tuaj. O Popuj që na dëgjoni, zëri ynë nuk është i fuqishëm, por mbart jehonën e shekujve: ka vetëm një emër për të kumtuar mbi çatitë e çdo shtëpie, Jezu Krishti. Ai është shpresa e vërtetë e Evropës, sepse është e vërteta dhe vetëm e vërteta na bën të lirë.

Ati i Shenjtë Françesku nuk resht së kujtuari se ne shpëtojmë së bashku dhe Evropa ka shumë nevojë për këtë mesazh. Na ftoi që të ndërmarrim udhëtimin sinodal për t’i dëgjuar të gjithë. Jemi angazhuar menjëherë për të organizuar një reflektim kontinental dhe mezi presim të dëgjojmë se çfarë do të na thonë popujt e Evropës. Kur ecim së bashku, kur kemi një qëllim të përbashkët, rritet respekti i ndërsjellë, zhvillohet durimi, ai që është përpara inkurajon, mat ritmin dhe nuk diktohet. Por qëllimi duhet të jetë i qartë, i fortë dhe i bukur, domethënë i lartë, i aftë për të magjepsur, për të kapërcyer vështirësitë dhe lodhjen, për të çliruar energjitë më të mira të secilit protagonist.

Askush nuk i frikësohet Ungjillit të Jezusit: ai na flet për njeriun dhe për Zotin, garantuesi i dinjitetit njerëzor, na kujton se askush nuk është vetëm dhe nuk duhet të jetë vetëm, se duhet të kemi një shikim preferencial për më të dobëtit. Na kujton se nuk ka liri pa tjetrin, as përparim, pasi secili është një e mirë për të gjithë: persona, familje dhe shtete. Pika e sintezës së kësaj ecjeje së bashku është te secili si një dëshirë dhe te Zoti si një Parim: Ai nuk është xheloz për krijesën njerëzore, për dëshirën e tij për gëzim dhe pafundësi. Përkundrazi, është fillimi dhe fati i tij.

Në këtë përvjetor kaq të dashur, i ftojmë të gjithë në Evropë: të ecim së bashku. Fjalët tona janë ato të fesë dhe gjithashtu ato të arsyes së vërtetë: vijnë nga i njëjti Burim, Fjala e Atit, Krishti Zot. Atje ku Ai është nuk ka periferi të harruara: aty ka Zot, besimtarë, njerëz me vullnet të mirë. Me ju shikojmë përpara, shumë larg, në mënyrë që të mos e humbasim rrugën dhe të mos ndalemi në përroskat e historisë. Së bashku shohim më mirë dhe ecim me përulësi drejt horizonteve të dritës dhe të paqes.

Romë, 25 shtator 2021

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme