11.5 C
Tirana
HomeKISHMESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR DITËN E 61 BOTËRORE TË...
HomeKISHMESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR DITËN E 61 BOTËRORE TË...

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR DITËN E 61 BOTËRORE TË LUTJES PËR THIRRJET

Të thirrur për të mbjellë shpresë e për të ndërtuar paqen

[21 prill 2024]

Të dashur vëllezër e motra!

Dita Botërore e Lutjes për Thirrjet na fton çdo vit të marrim parasysh dhuratën e vyer të thirrjes që Zoti i drejton secilit prej nesh, populli i tij besnik në ecje, që të mund të marrim pjesë në planin e tij të dashurisë dhe të mishërojmë bukurinë e Ungjillit në gjendjet e ndryshme të jetës. Dëgjimi i thirrjes hyjnore, larg të qenit një detyrë e imponuar nga jashtë, ndoshta në emër të një ideali fetar, është në të vërtetë mënyra më e sigurt që kemi për të ushqyer dëshirën për lumturi që e bartim brenda nesh: jeta jonë realizohet dhe përmbushet kur zbulojmë se kush jemi, cilat janë cilësitë tona, në cilën fushë mund t’i bëjmë të frytshme, cilën rrugë mund të ndjekim për t’u bërë shenjë dhe instrument dashurie, mirëpritjeje, bukurie dhe paqeje, në kontekstet ku jetojmë.

Kështu, kjo Ditë është gjithmonë një mundësi e bukur për të kujtuar me mirënjohje përpara Zotit angazhimin besnik, të përditshëm dhe shpesh të fshehur, të atyre që kanë përqafuar një thirrje që përfshin gjithë jetën e tyre. Mendoj për nënat dhe baballarët që nuk shikojnë para së gjithash vetveten dhe nuk ndjekin rrymën e një stili sipërfaqësor, por ekzistencën e tyre e bazojnë në kujdesin e marrëdhënieve, me dashuri e falasshmëri, duke u hapur ndaj dhuratës së jetës dhe duke u vënë në shërbim të fëmijëve e të rritjes së tyre. Mendoj për ata që e kryejnë punën e tyre me përkushtim dhe frymë bashkëpunimi; për ata që janë të angazhuar, në fusha dhe mënyra të ndryshme, për të ndërtuar një botë më të drejtë, një ekonomi me më shumë solidaritet, një politikë më të drejtë, një shoqëri më humane: për të gjithë burrat dhe gratë vullnetmirë që s’kursehen për të mirën e përbashkët. Mendoj për personat e kushtuar, të cilët ia ofrojnë ekzistencën e tyre Zotit në heshtjen e lutjes si dhe në veprimin apostolik, ndonjëherë në vijë të parë dhe pa kursyer energji, duke çuar përpara në mënyrë krijuese karizmën e tyre dhe duke e vënë atë në dispozicion të atyre që takojnë. Mendoj për ata që e kanë pranuar thirrjen për në meshtarinë e urdhëruar dhe i përkushtohen shpalljes së Ungjillit dhe thyejnë jetën e tyre, së bashku me Bukën eukaristike, për vëllezërit, duke mbjellë shpresë dhe duke ua treguar të gjithëve bukurinë e Mbretërisë së Hyjit.

Të rinjve, veçanërisht atyre që ndihen të largët ose ushqejnë mosbesim ndaj Kishës, dëshiroj t’u them: lejoni të magjepseni nga Jezusi, drejtojani pyetjet tuaja të rëndësishme, përmes faqeve të Ungjillit, lejoni të shqetësoheni nga prania e tij e cila na vë gjithmonë, në mënyrë të dobishme, në krizë. Ai e respekton lirinë tonë më shumë se kushdo tjetër, nuk imponohet por propozohet: bëjini hapësirë ​​dhe do të gjeni lumturinë tuaj duke e ndjekur atë dhe, nëse do t’jua kërkojë, duke iu dhuruar plotësisht Atij.

Një popull në ecje

Polifonia e karizmave dhe thirrjeve, të cilat Bashkësia e krishterë i njeh dhe i shoqëron, na ndihmon që ta kuptojmë plotësisht identitetin tonë si të krishterë: si popull i Hyjit në ecje rrugëve të botës, të gjallëruar nga Shpirti Shenjt dhe të vendosur si gurë të gjallë në Trupin e Krishtit, secili prej nesh zbulon të jetë anëtar i një familjeje të madhe, bir/jë e Atit dhe vëllezër e motra me të tjerët. Ne nuk jemi ishuj të mbyllur në vetvete, por jemi pjesë e së tërës. Prandaj, Dita Botërore e Lutjes për Thirrjet mban vulën e sinodalitetit: ka shumë karizma dhe ne jemi të thirrur ta dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të ecim së bashku për t’i zbuluar ato e për të dalluar se në çka Shpirti na thërret për të mirën e të gjithëve.

Në momentin e sotëm historik, pastaj, ecja e përbashkët na çon drejt Vitit Jubilar 2025. Ecim si shtegtarë të shpresës drejt Vitit të Shenjtë, që në rizbulimin e thirrjes sonë dhe duke ndërlidhur dhuntitë e ndryshme të Shpirtit, të mund të jemi në botë bartës e dëshmitarë të ëndrrës së Jezusit: të formojmë një familje të vetme, të bashkuar në dashurinë e Hyjit dhe e rrokur në lidhjen e dashurisë, të bashkëndarjes e të vëllazërisë.

Kjo Ditë i kushtohet veçanërisht lutjes për të kërkuar nga Ati dhuratën e thirrjeve të shenjta për ndërtimin e Mbretërisë së tij: “Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta!” (Lk 10,2). Dhe lutja – e dimë – përbëhet më shumë nga dëgjimi sesa nga fjalët e drejtuara Hyjit. Zoti i flet zemrës sonë dhe dëshiron ta gjejë atë të hapur, të sinqertë e bujare. Fjala e tij është bërë mish në Jezu Krishtin, i cili na zbulon dhe na komunikon të gjithë vullnetin e Atit. Në këtë vit 2024, kushtuar pikërisht lutjes në përgatitje të Jubileut, jemi të thirrur që të rizbulojmë dhuratën e paçmuar të mundësisë për të dialoguar me Zotin, zemër me zemër, duke u bërë kështu shtegtarët e shpresës, sepse «lutja është forca e parë e shpresës. Ti lutesh dhe shpresa rritet, shkon përpara. Unë do të thoja se lutja hap derën e shpresës. Shpresa është, por me lutjen time unë ia hap derën» (Katekezë, 20 maj 2020).

Shtegtarë të shpresës dhe ndërtues të paqes

Por, çfarë do të thotë të jesh shtegtar? Kush ndërmerr një shtegtim, përpiqet para së gjithash që ta ketë pikësynimin të qartë dhe gjithmonë e mban atë në zemrën dhe mendjen e vet. Mirëpo, në të njëjtën kohë, për ta arritur këtë cak, është e nevojshme të përqendrohemi në hapin e tanishëm, përballimi me të cilit na kërkon që të jemi të lehtë, të zhveshur nga peshat e panevojshme, të mbajmë me vete gjërat thelbësore e të luftojmë çdo ditë, në mënyrë që lodhja, frika, pasiguria dhe errësirat të mos e bllokojnë rrugën e ndërmarrë. Kështu, të jesh shtegtar do të thotë të rinisesh çdo ditë, të rifillosh kurdoherë, të rigjesh entuziazmin dhe forcën për të përshkuar etapat e ndryshme të rrugëtimit të cilat, pavarësisht mundimeve dhe vështirësive, hapin gjithmonë horizonte të reja para nesh dhe panorama të panjohura.

Kuptimi i shtegtimit të krishterë është pikërisht ky: ne jemi të vendosur në ecje në zbulim të dashurisë së Hyjit dhe, njëkohësisht, në zbulim të vetvetes, përmes një udhëtimi të brendshëm, por gjithmonë të stimuluar nga shumëllojshmëria e marrëdhënieve. Pra, jemi shtegtarë sepse jemi të thirrur: të thirrur të duam Hyjin dhe të duam njëri-tjetrin. Kështu, ecja jonë në këtë tokë nuk është kurrë një mundim pa qëllim ose një bredhje pa qëllim; përkundrazi, çdo ditë, duke iu përgjigjur thirrjes sonë, ne përpiqemi të hedhim hapat e mundshëm drejt një bote të re, ku jetohet në paqe, në drejtësi e në dashuri. Jemi shtegtarë të shpresës sepse priremi drejt një të ardhmeje më të mirë dhe angazhohemi për ta ndërtuar atë gjatë rrugëtimit.

Ky është, në fund të fundit, qëllimi i çdo thirrjeje: të bëhemi burra dhe gra të shpresës. Si individë dhe si bashkësi, në larminë e karizmave dhe shërbesave, të gjithë jemi të thirrur që t’i “japim trup e zemër” shpresës së Ungjillit në një botë të shënuar nga sfida epokale: përparimi kërcënues i një lufte të tretë botërore pjesë-pjesë; turmat e migrantëve që largohen nga dheu i tyre në kërkim të një të ardhmeje më të mirë; shtimi i vazhdueshëm i të varfërve; rreziku i komprometimit të shëndetit të planetit tonë në mënyrë të pakthyeshme. Dhe gjithë kësaj i shtohen edhe vështirësitë që hasim çdo ditë e që nganjëherë rrezikojnë të na hedhin në dorë të dorëzimit apo të disfatizmit.

Në kohën tonë, kësisoj, është vendimtare që ne të krishterët të kultivojmë një shikim plot shpresë, që të mund të punojmë me fryt, duke iu përgjigjur thirrjes që na është besuar, në shërbim të Mbretërisë së Hyjit, Mbretërisë së dashurisë, drejtësisë dhe paqes. Kjo shpresë – na siguron shën Pali – «nuk zhgënjen» (Rom 5,5), sepse bëhet fjalë për premtimin që Zoti Jezus na ka bërë për të qëndruar gjithmonë me ne dhe për të na përfshirë në veprën e shëlbimit që Ai dëshiron të kryejë në zemrën e çdo njeriu dhe në “zemrën” e krijimit. Një shpresë e tillë e gjen forcën e saj shtytëse në Ngjalljen e Krishtit, e cila «përmban një forcë jete që e ka përshkuar botën. Aty ku duket se gjithçka ka vdekur, filizat e ringjalljes shfaqen sërish nga çdo anë. Është një forcë që s’e ka shoqen. Është e vërtetë që shpeshherë duket se Hyji nuk ekziston: shohim padrejtësi, ligësi, indiferencë dhe mizori që nuk pakësohen. Megjithatë, është po aq e sigurt se në mes të errësirës fillon të çelë gjithmonë diçka e re, e cila herët a vonë jep fryt» (Nxit. apostolike Evangelii gaudium, 276). Përsëri Pali apostull thotë se ne «kemi qenë shëlbuar» «në shpresë» (Rom 8,24). Shëlbimi i realizuar në Pashkë dhuron shpresë, një shpresë të sigurt, të besueshme, me të cilën mund t’i përballojmë sfidat e së tashmes.

Kësisoj, të jesh shtegtar i shpresës dhe ndërtues i paqes do të thotë ta themelosh ekzistencën tënde në shkëmbin e ngjalljes së Krishtit, duke e ditur se të gjitha angazhimet tona, në thirrjen që kemi përqafuar dhe që e çojmë përpara, nuk bien në vesh të shurdhër. Pavarësisht dështimeve dhe ndalimeve, e mira që mbjellim rritet në heshtje dhe asgjë nuk mund të na ndajë nga pikësynimi përfundimtar: takimi me Krishtin dhe gëzimi i të jetuarit në vëllazëri mes nesh për amshim. Këtë thirrje përfundimtare duhet ta hershojmë çdo ditë: marrëdhënia e dashurisë me Hyjin dhe me vëllezërit e motrat fillon që tani për të realizuar ëndrrën e Hyjit, ëndrrën e unitetit, të paqes e të vëllazërisë. Askush të mos ndihet i përjashtuar nga kjo thirrje! Secili prej nesh, në mundësinë e vet të vogël, në gjendjen përkatëse të jetës, mund të jetë, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, një mbjellës i shpresës dhe i paqes.

Guximi për t’u përfshirë

Për të gjitha këto them, edhe një herë, si në Ditën Botërore të Rinisë në Lisbonë: “Rise up! – Çohuni!”. Të zgjohemi nga gjumi, të dalim nga indiferenca, t’i ç’kyçim prangat e burgosjes ku ndonjëherë e ndryjmë veten, në mënyrë që secili prej nesh të zbulojë thirrjen e vet në Kishë e në botë dhe të bëhet shtegtar i shpresës dhe krijues i paqes! Le të jepemi me pasion pas jetës dhe të angazhohemi me kujdes dashamirës ndaj atyre që na rrethojnë dhe ndaj mjedisit ku jetojmë. E përsëris: kini guximin që të përfshiheni! Dom Oreste Benzi, një apostull i palodhur i dashurisë, gjithmonë në anën e më të vegjëlve e të pambrojturve, përsëriste se askush nuk është aq i varfër sa të mos ketë diçka për të dhënë dhe askush nuk është aq i pasur sa të mos ketë nevojë për të marrë diçka.

Le të ngrihemi, pra, e të nisemi si shtegtarë të shpresës, në mënyrë që, sikurse bëri Maria me shën Elizabetën, edhe ne të mund të çojmë kumtime gëzimi, të krijojmë jetë të re dhe të jemi artizanë të vëllazërisë e të paqes.

Romë, Shën Gjoni në Lateran, 21 prill 2024, e diela IV e Pashkëve.

FRANÇESKU


E drejta e autorit © Dikasteri për Komunikimet – Libreria Editrice Vaticana

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme