Me kënaqësi të madhe në këtë ditë të bukur ua kushtoj këtë mesazh të gjitha grave dhe
nënave të vendit tonë.
Festimi i një dite si kjo nuk mund të kufizohet thjesht në kujtim dhe të konsumohet si një ëmbëlsirë festive, por meriton të jetë si një vakt i konsiderueshëm që të ushqen dhe të ngop. Të thuash “grua” dhe të thuash “nënë” do të thotë të përdorësh koncepte që ngjallin “krijim” dhe “brezni”, pra koncepte që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e njeriut. Por janë edhe koncepte që na bëjnë t’i referohemi Zotit, krijuesit të jetës.
Çdo jetë njerëzore meriton respekt, por pikërisht për shkak të lidhjes së thellë me idenë e Zotit dhe me ruajtjen e jetës, çdo grua dhe çdo nënë meriton të mbahet në konsideratë të lartë… gjithmonë, dhe jo vetëm në këtë ditë e cila u është kushtuar atyre.
Fatkeqësisht, gjithnjë e më shpesh dëgjojmë se si jeta e grave respektohet pak: abuzime, nuse me kontratë, nuse fëmijë, madje edhe vrasje. Ka ardhur koha për një konvertim serioz të zemrës, për një ndryshim mentaliteti që përfshin seriozisht të gjitha segmentet e jetës sonë shoqërore, duke filluar nga familja, një vend ku, mbi të gjitha, gruaja duhet të mbahet në konsideratë të madhe si bashkëshorte, si nënë, si bijë, si motër.
Nuk bëhet fjalë për të bërë “feminizëm”, por për të rikthyer idenë e gruas në atë që e karakterizon më shumë dinjitetin e saj; Nuk bëhet fjalë as për zvogëlimin e rolit të mashkullit, por për ta afruar atë me idenë e Zotit në momentin e Krijimit: “Mashkull e femër e krijoi”.
Po, në njëjës, pikërisht për të thënë se janë një qenie e vetme, por të ndryshme në karakteristikat që i bëjnë plotësuese me njëra-tjetrën, që të përballen me dinjitet të barabartë.
Të gjitha femrave, në këtë ditë, u propozoj figurën e një gruaje të shkëlqyer, Nënës së Jezusit, një figurë për t’u imituar në karakteristikat e saj të veçanta, si nga pikëpamja njerëzore ashtu edhe shpirtërore. Dhe ju ua besoj të gjithave Marisë, duke ju shoqëruar me bekimin tim atëror.
† Angelo Massafra O.F.M.
Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult
Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë