10.5 C
Tirana
HomeKISHMe paaftësi në rrjete sociale dhe tv. Demokracia bëhet tifokraci
HomeKISHMe paaftësi në rrjete sociale dhe tv. Demokracia bëhet tifokraci

Me paaftësi në rrjete sociale dhe tv. Demokracia bëhet tifokraci

Glauco Giostra

Ndoshta jo shumë e njohin emërtimin që mori në fund të shekullit të kaluar, por të gjithë ne jemi hasur të paktën një herë me gabimin konjitiv, i cili, duke na bërë të mbivlerësojmë njohuritë tona për një temë të caktuar, na bën të shprehemi rreth saj, duke pandehur se kemi plotësisht të drejtën lidhur me të. Që nga fundi i shekullit të kaluar, ky shtrembërim i vetë-perceptimit ka marrë emrin Efekti Dunning Kruger (EDK); eponimë janë dy psikologë amerikanë, të cilët në vitin 1999 botuan një artikull me të cilin tërhoqën vëmendjen e studiuesve të sektorit kah fenomeni i shpeshtë ku subjektet që janë të papërvojë ose të paaftë në një fushë të caktuar megjithatë pretendojnë se kanë njohuri të përshtatshme dhe se mund të shprehin mendime të bazuara dhe interesante lidhur me atë fushë.

Përkundër disa vulgatave [përhapjeve] mistifikuese të EDK-së, kjo pavetëdije që na shtyn të shprehemi, qoftë edhe me njëfarë pakundërshtueshmërie, për çështjet për të cilat nuk kemi njohuri adekuate, nuk ka të bëjë fare me nivelin intelektual apo kulturor. Faktorët mjedisorë, socialë, relacionalë na shtyjnë shprehimisht, pavarësisht nga qasja e dobët e një çështjeje të caktuar, të shprehim mendimin tonë, të cilin e pandehim si domethënës dhe të pranueshëm.

Natyrisht, përhapja e kudondodhur e mediave sociale përbën një “tundim” të mëtejshëm për të folur pothuajse për gjithçka, me rrethanën rënduese që ritmet e këtij komunikimi nxisin atë që Daniel Kahneman e quan Sistemi 1; domethënë, ai që u prin përgjigjeve tona instiktive dhe pak të matura, pasi ritmet nuk janë në përputhje me Sistemin 2, ai që zhvillon një reflektim dhe analizë kritike. Nëse gjërat qëndrojnë kështu, mund të shpjegohen lehtësisht banalizimet që pësojnë qoftë edhe problemet delikate në rrjetin social të krijuar nga komunikimi përmes smartfonit. Porse është më pak e lehtë të kuptojmë arsyet që i shtyjnë talkshow-et [emisione bisedash], që qasin problemet kryesore aktuale, të ftojnë persona që janë të paaftë në lidhje me temën që trajtohet.

Sigurisht, ndonjëherë duke ftuar personazhin e famshëm, synohet haptas rritja e audiencës; herë të tjera synohet që t’i ofrohet bashkëbiseduesit mundësia, të cilën ai transmetues e ka shfrytëzuar në të kaluarën për të thelluar temat për të cilat ka qenë kompetent, për të paraqitur librin e tij të fundit ose spektaklin e tij të fundit ose nismën e tij të fundit. Megjithatë, ndoshta nuk jemi shumë larg së vërtetës nëse besojmë se përfshirja në përballjen dialektike e subjekteve të paaftë, edhe pse jo shumë të njohur, i përgjigjet edhe strategjive të marketingut, ndonëse më pak e dukshme. I paafti thuajse gjithmonë e thjeshton gjërat deri në banalizëm, nuk i kupton implikimet dhe nuancat, ka një qasje opozitare që s’lëshon pe: me pak fjalë, ai dëshmon se është i paaftë për një dialog të artikuluar dhe konstruktiv. Ai shprehet shpeshherë duke përplasur me forcë grushtin verbal në tryezën e dialogut.

Në mënyrë fatale, argumentet zëvendësohen me deklarata të prera të pakundërshtueshme, me theksime retorike, slogan, pasthirrma. Konkurrenca ka zëvendësuar kompetencën, siç shkruante Valerio Magrelli. Dhe në konkurrencën mediatike fitues është ai që ngre më shumë tensionin emocional, kush shton decibelët, kush zmadhon shkronjat dhe titujt e shtypit. Madje edhe agjencitë e parashikimit të motit u drejtohen titujve alarmantë për të hyrë, duke çarë me bërryla, në paraskenën e vëmendjes popullore. Kur bëhet fjalë për çështjet publike, fenomeni në fjalë ndoshta merr shprehje më pak të theksuara, por sigurisht më shtypëse, duke marrë parasysh rëndësinë e së mirës për të cilën flitet.

Edhe nëse duam ta lëmë mënjanë (për të mos iu dorëzuar dëshpërimit), aftësinë shqetësuese për të mobilizuar që influencer-i [ndikuesi] aktual (modele, futbollist, aktor, këngëtar) – që zotëron një popullaritet në përpjesëtim të zhdrejtë me kompetencën – arrin të fitojë lidhur me çështje me rëndësi të veçantë shoqërore, ne çdo ditë vërejmë dalje patetike në media me të cilat figurat politike, shpeshherë plotësisht të panjohura me lëndën mbi të cilën hulumtojnë, recitojnë sipas skenarit frazën e rastit me të cilën do duhej të zgjidhej problemi i momentit: një psitakizëm [tendencë për të përsëritur dhe imituar mekanikisht atë që bëjnë ose thonë të tjerët] i mërzitshëm prej manuali. Nuk ka sqarime, fjali kushtore, paqartësi, hapësira ndaj mendimeve të kundërta, perspektiva të ndershme kundërindikacionesh, pranime se zgjidhja e propozuar mund të përmirësohet apo pranime të aspekteve të çmueshme të kahut të kundërt.

Parashtrohet një realitet manikeian i papërshkueshëm nga dyshimi. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të shumta, askush nuk do të jetë në gjendje t’i thotë ose t’i bëjë të gjitha gjërat siç duhet ose të gjitha gjërat gabim. E sa shumë i besueshëm do të ishte një pro-qeveritar që do të pranonte se «vendimi i marrë nga mazhoranca kërkon në fakt, siç sugjeron pakica, një rimendim në aspektin…», apo një opozitar që njeh disa aspekte patjetër pozitive në një nismë të caktuar qeveritare. Që të dy do të besoheshin më shumë në rastin kur do të këmbëngulnin mbi meritat përkatëse ose do të denonconin të metat e të tjerëve.

Në këtë përballje stadiumi, nga ana tjetër, debati publik kthehet në një mosmarrëveshje, ku mbizotërojnë shkathtësia e pohimeve, telegjenia, zënkat verbale, paaftësia banalizuese shpesh në përputhje me atë të shikuesit dhe lexuesit, që pothuajse gjithmonë ka në sfond kompleksitetin dhe dyshimin. Kësisoj, problemet e vështira marrin përgjigje të thjeshta dhe të gabuara. Dikush, duke perifrazuar, do të mendojë: “është e bukura e demokracisë”. Jo, nuk është demokracia, por degjenerimi groteskt i saj: “tifokrazia”. Njerëzit ndahen jo duke ndjekur dritën e një ideje apo të një ideali, por të pasmet e një prej fyelltarëve të momentit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme