10.5 C
Tirana
HomeKISHLuftimi i lutjes   
HomeKISHLuftimi i lutjes   

Luftimi i lutjes   

Lutja supozon një orvatje dhe një luftë kundër vetvetes dhe kundër pritave të tunduesit. Në luftimin e lutjes duhet të përballojmë konceptime të gabuara, mendësi të ndryshme të përhapura dhe përvojën e mossukseseve tona.

Vështirësitë kryesore në ushtrimin e lutjes janë shpërqendrimi dhe thatësia. Zgjidhja gjendet te feja, te kthimi dhe te ruajtja e zemrës.

2725 Lutja është një dhuratë e hirit dhe nga ana jonë një përgjigje e vendosur. Ajo nënkupton gjithmonë një orvatje. Lutësit e mëdhenj të Besëlidhjes së Vjetër përpara Krishtit, sikurse edhe Nëna e Hyjit dhe shenjtërit me të, na mësojnë: lutja është një luftim. Kundër kujt? Kundër vetes sonë dhe kundër dredhive të tunduesit, që bën çmos për ta shkëputur njeriun nga lutja, nga bashkimi me Hyjin e vet. Lutemi sikurse jetojmë, sepse jetojmë sikurse lutemi. Në qoftë se nuk duam të veprojmë rregullisht sipas Shpirtit të Krishtit, as nuk mundemi të lutemi rregullisht në emër të tij. «Luftimi shpirtëror» i jetës së re të të krishterit është i pandashëm nga luftimi i lutjes.

Kundërshtimet e lutjes

2726 Në luftimin e lutjes ne duhet t’u kundërvihemi, në veten tonë dhe rreth nesh, disa konceptimeve të gabuara rreth lutjes. Disa shohin në të një veprim të thjeshtë psikologjik, disa të tjerë një orvatje përqendrimi për të arritur te zbrazëtia mendore. Ka nga ata që e zvogëlojnë atë në disa qëndrime dhe fjalë rituale. Në pavetëdijen e shumë të krishterëve, të lutesh është një angazhim i papajtueshëm me punët me të cilat ata merren: nuk kanë kohë. Ata që kërkojnë Hyjin me anë të lutjes, i lëshon menjëherë zemra kur nuk dinë se lutja vjen edhe nga Shpirti Shenjt dhe jo vetëm nga vetja e tyre.

2727 Duhet t’u kundërvihemi edhe disa mendësive të «kësaj bote»; nëse nuk jemi vigjilentë, na përlyejnë, si për shembull: pohimi sipas të cilit e vërtetë është vetëm ajo që është vërtetuar nga arsyeja dhe nga shkenca (të lutesh, përkundrazi, është një mister që e kapërcen ndërgjegjen tonë dhe pavetëdijen tonë); vlerat e prodhimit dhe të rendimentit (lutja, joprodhuese, është pra e kotë); sensualizmi dhe komoditeti, të ngritur në kriteret e së vërtetës dhe të së bukurës (lutja, përkundrazi, «dashuri e bukurisë» [φιλοκαλία-filokalía], është pasion për lavdinë e Hyjit të gjallë dhe të vërtetë); për reagim kundër aktivizmit, na paraqitet lutja si arratisje nga bota (lutja e krishterë, përkundrazi, nuk është një largim nga historia e as një ndarje nga jeta).

2728 Së fundi, lufta jonë duhet të përballojë çka ne ndjejmë si mossukseset tona në lutje: shkurajimin përpara thatësisë sonë, trishtimin ngaqë nuk i japim gjithçka Zotit, meqë kemi «shumë të mira», zhgënjimin sepse nuk na u plotësua lutja sipas dëshirës sonë, fyerjen në krenarinë tonë, që tregohet kokëfortë në padenjësinë tonë prej mëkatarësh, alergjinë ndaj falasshmërisë së lutjes etj. Përfundimi është gjithmonë i njëjtë: përse të lutemi? Për të mposhtur pengesa të tilla, duhet luftuar për të arritur përvujtërinë, mirëbesimin dhe durimin.

Vigjilenca e përvuajtur e zemrës

Përballë vështirësive të lutjes

2729 Vështirësia e zakonshme e lutjes sonë është shpërqendrimi. Ky mund të lidhet me fjalët dhe kuptimin e tyre në lutjen me zë; mirëpo, më thellësisht, mund të ketë të bëjë me atë të cilit i lutemi në lutjen me zë (liturgjike ose personale), në meditimin dhe lutjen soditëse. Të përpiqesh të zësh shpërqendrimet do të thotë të biesh në grackën e tyre, kur mjafton të kthehemi te zemra jonë: një shpërqendrim na zbulon atë me të cilin jemi të lidhur dhe ky ndërgjegjësim i përvuajtur përpara Zotit duhet të zgjojë dashurinë tonë të parapëlqyer për atë, duke ia ofruar me vendosmëri zemrën tonë, që ta pastrojë. Këtu vendoset luftimi: në zgjedhjen e Zotërisë të cilit do t’i shërbehet.

2730 Nga ana tjetër, luftimi kundër unit tonë zotërues është vigjilenca, përkora e zemrës. Kur Jezusi ngulmon mbi vigjilencën, ajo ka gjithmonë lidhje me të, me ardhjen e tij në ditën e fundit dhe çdo ditë: «Sot». Dhëndri vjen në mesnatë; drita që nuk duhet të shuhet është ajo e fesë: «Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time!”» (Ps 27,8).

2731 Një tjetër vështirësi, sidomos për ata që sinqerisht duan të luten, është thatësira. Ajo bën pjesë te lutja ku zemra është e pandjeshme, pa shije për mendimet, kujtimet e ndjenjat, edhe ato shpirtërore. Është çasti i fesë së kulluar, që mbetet me Jezusin në agoni dhe në varr. «Kokrra e grurit […] nëse vdes, jep shumë fryt» (Gjn 12,24). Në qoftë se thatësira është për shkak të mungesës së rrënjës, sepse fjala ka rënë mbi shkëmb, luftimi hyn në fushën e kthimit.

Përballë tundimeve në lutje

2732 Tundimi më i shpeshtë dhe më i fshehtë është mungesa jonë e fesë. Ajo shfaqet jo aq në një mosbesim të deklaruar se sa në një parapëlqim faktik. Kur ne fillojmë të lutemi, na paraqiten me përparësi një mijë punë ose shqetësime, që ne i konsiderojmë urgjente; përsëri është çasti i së vërtetës së zemrës dhe i dashurisë së saj të parapëlqyer. Nganjëherë i drejtohemi Zotit si strehimit të fundit: por a besojmë me të vërtetë? Herë të tjera e bëjmë Zotin si aleat, por zemra qëndron ende në mendjemadhësi. Në të gjitha rastet, mungesa jonë e fesë zbulon qartë se ne nuk jemi ende në gjendjen e zemrës së përvuajtur: «Pa mua s’mund të bëni asgjë» (Gjn 15,5).

2733 Një tjetër tundim, të cilit ia hap portën mendjemadhësia, është plogështia. Me këtë term Etërit e jetës shpirtërore kuptojnë një formë depresioni për shkak të flashkjes së askezës, një mungese të vigjilencës dhe mosruajtjes së zemrës. «Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë» (Mt 26,41). Sa më nga lart që të rrëzohesh, aq më shumë vritesh. Shkurajimi, i dhimbshëm, është e kundërta e mendjemadhësisë. I përvuajturi nuk çuditet për mjerimin e vet; ai e shpie në një besim më të madh, që të mbahet fort në qëndrueshmëri.

Vijon …

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme