17.5 C
Tirana
HomeKISHLeter qarkore e Konferencës Ipeshkvore për lumnimin e martirëve shqiptarë
HomeKISHLeter qarkore e Konferencës Ipeshkvore për lumnimin e martirëve shqiptarë

Leter qarkore e Konferencës Ipeshkvore për lumnimin e martirëve shqiptarë

Fort të dashur,
I jemi shumë mirënjohës Zotit i cili sivjet na ka mbushur me shumë gëzim kur, nëpërmjet Papa Françeskut, ka ngritur emrin e së Lumes Tereza ndër emrat e shenjtërve të Kishës. Dhe sikur kjo nuk mjaftonte, pas disa ditësh Kisha do të shkruajë në albumin e te Lumnive emrat e tridhjetë e tetë katolikëve që kanë pësuar martirizim në periudhën e errët e komunizmit ateist.
Shën Toma Akuini përkufizon martirizimin si “derdhjen e gjakut të dikujt për hir të Krishtit” dhe si “qëndresën e duhur ndaj vuajtjeve të shkaktuara padrejtësisht”. Fjala “martir” dotë thotë “dëshmitar”. Prandaj martiri është ai që jep dëshmi të besimit të tij. Jezusi tha: “Dashuri më të madhe nuk ka, sesa ajo e një njeriu që jep jetën për miqtë e tij” (Gjn 15, 13). Kështu martirizimi është shfaqja më supreme e dashurisë së Krishtit. Papa Gjon Pali II ka deklaruar se martirizimi i krishterë “i ka shoqëruar gjithmonë dhe vazhdon të shoqërojë jetën e Kishës, edhe sot”.
Komunizmi që, për gati një gjysmë shekull, ka sunduar Shqipërinë shfaqi një urrejtje të veçantë ndaj katolikëve. Në një bisedë që Enver Hoxha dha në Konferencën e Pezës, në vitin 1984, ai tha: “Hierarkët katolikë ishin njerëz pa atdhe, vareshin plotësisht nga Vatikani … Të gjithë hierarkët e kishës katolike … ishin të mësuar, të shkolluar me shkollë teologjike, me disiplinë të hekurt, me metodat dhe dredhitë e shtypjes së vullnetit të njerëzve me frikën e zotit … Kisha katolike dhe hierarkia e saj ishin në kulm obskurantiste, konservatore … gjithmonë në aleancë më regjimin reaksionarë …” Janë fjalë që tregojnë paragjykimet e tij kundër Kishës Katolike.
Toka shqiptare u lag me gjakun e martirëve. Por sot gëzohemi se, më 5 nëntor, Kisha do të ngre mbi altaret tona tridhjetë e tetë martirë të vrarë në atë periudhë të tmerrshme. Të gjithë këta ishin priftërinj (ose klerikë), me përjashtim të katër laikëve: një vajzë, Marije Tuci, e vrarë barbarisht sepse ajo ishte kandidate e Motrave Stigmatine dhe katekiste; dhe 4 burra, Mark Çuni, Qerim Sadiku, Gjelosh Lulash dhe Fran Mirakaj. Renditur i pari në mesin e dëshmorëve është Vinçenc Prendushi, ipeshkvi i fundit i Durrësit. Ai u akuzua si “armik i popullit”, “reaksionar”, “spiun i Vatikanit”, dhe i dënuar për njëzet vjet burgim, ku ai ishte torturuar, fyer dhe poshtëruar në shumë mënyra të ndryshme, derisa ai vdiq.
Në një fjalim të tij, Papa Pali VI pyeti: “Çfarë nevoje ka Kisha sot?” Dhe ai u përgjigj se në rrethanat e tanishme “Kisha ka nevojë për burra të fortë”, që është, njerëz të pajisur me virtytin e guximit. Shën Pali kishte paralajmëruar tashmë të krishterët e Romës: “Dhe mos u konformoni me këtë botë”, që nënkupton se jeta e krishterë gjithmonë nënkupton një luftë kundër një mentaliteti i një bote që përpiqet ta përjashtojë Zotin.
Të dashur vëllezër e motra, Kisha ka nevojë për dëshminë tuaj. Kisha ka nevojë që disa të rinj dhe të reja të kushtohen Zotit në jetën meshtarake dhe rregulltare. Shoqëria, veçanërisht sot, ka nevojë për dëshminë tuaj. Kini parasysh shembullin e martirëve tanë. Fjalët e fundit të tyre ishin: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!” Dashuria besnike ndaj Zotit na mëson si të duam atdheun, so të duam të tjerët, po ashtu edhe si të duam vetveten. Sepse njeriu nuk mund ta mohojë Zotin pa njëkohësisht mohuar vetveten. Pra të angazhohemi për të qenë qytetarë të mirë dhe të drejtë në familjen, në shkollë, në çdo sektor e jetës edhe në politikë. Tregohuni të fortë në besimin tuaj, që nëpërmjet nesh bota të mësojë të respektojë jetën njerëzore që nga ngjizja deri në vdekje dhe të angazhohet për atë drejtësi që është themeli i një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme.
Ju presim te merrni pjesë në kremtimin e Lumnimit të të martirëve tanë të shtunën më 5 nëntor, në Shkodër në orën 10.00.
Ju percjellim me bekimin tonë baritor.

Ipeshkvij tuaj

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme