10.5 C
Tirana
HomePërshpirtëri“LECTIO DIVINA”
HomePërshpirtëri“LECTIO DIVINA”

“LECTIO DIVINA”

Leximi shpirtëror i Shkrimit Shenjt

Nga Atë Flavio Cavallini

Çfarë është lectio divina? Çfarë frytesh sjellë për jetën shpirtërore? A mund të praktikohet në jetën e përditshme nga të gjithë dhe në cilën mënyrë?

Me shumë kënaqësi do të paraqesim disa artikuj me anë të të cilëve do të kemi mundësinë të kuptojmë më mirë se çfarë është leximi shpirtëror i Shkrimit Shenjt duke uruar që, me hirin që vjen nga Shpirti Shenjt, ta vëmë në jetë. Lexim të këndshëm…  

Pjesa e katërt

SUGJERIME PËR TA BËRË LECTIO DIVINA PJESË TË JETËS SHPIRTËTORE TË PËRDITSHME

Leximi hyjnor është një realitet që kërkon një angazhim konkret personal. Nuk e kemi fjalën aq për persona të kushtuar në jetën murgjërore, sa për besimtarët laikë të cilët, brenda angazhimeve të përditshme familjare dhe të punës, kërkojnë mënyrën më të përshtatshme për ta jetuar këtë itinerar lexim-dëgjimi. Për të këtë arsye, sugjerimet që do të jepen tani, janë thjesht udhëzuese.

Mos i lini asgjë rastësisë

Në lidhje me rëndësinë e përgatitjes paraprake sa i përket kohës, vendit dhe brendësisë, kemi folur më përpara. Tani të përqendrohemi mbi zgjedhjen e teksteve biblike për t’u lexuar.

Leximi hyjnor është një mënyrë lutjeje që kërkon qëndrueshmëri dhe përkushtim. Përballja me detin e gjerë të Shkrimeve të Shenjta, kërkon një angazhim të programuar, përndryshe do të mbetemi rrugës sapo të bjerë entuziazmi fillestar. Të jesh spontan dhe t’i besohesh Shpirtit Shenjt, nuk do të thotë, në asnjë mënyrë, t’ia lësh gjërat rastësisë. Për ta përdorur sa më mirë kohën që kemi, duhet të dimë me saktësi se çfarë duhet të bëjmë ende pa filluar.

Për këtë arsye, zgjedhja e librit biblik që duam ta lexojmë përgjatë kohës, është e një rëndësie të veçantë. Çdonjëri nga 73 shkrimet që përmban Bibla, natyrisht se nuk përbën një problem, por për atë që hedh hapat e parë në këtë fushë, është mirë që t’i kërkojë këshillim dikujt që është më me përvojë, në mënyrë që të mos gjendet menjëherë përballë teksteve të ndërlikuara. Personalisht, sipas një parapëlqimi personal, do të këshilloja të fillohej nga letra e parë e shën Gjonit apostull.

Përzgjedhja e dytë duhet të jetë pjesa biblike për ta lexuar dhe dëgjuar. Për të mos shpërdoruar kohë dhe energji, përvoja sugjeron që të merret një pjesë jo më shumë e gjatë se dhjetë rreshta, pak a shumë. Për t’u vënë përballë një pjese leximi që ka një kuptim në vetvete, ndër të tjera, mund të mbështetemi pa dyshim te titujt editorial që, në Biblat që ne disponojmë, zakonisht e ndajnë kapitullin në disa pjesë. Një metodë e mirë që e bën shumë më të lehtë, është të ndjekësh njërin prej leximeve biblike të paracaktuara nga liturgjia e Meshës. Kjo, në të vërtetë, qoftë të dielave, qoftë ditëve të javës, është e dobishme për faktin se paraqet në formë antologjike, një përzgjedhje të gjerë të librave të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re të ndarë në pjesë. Me këtë qëllim mund të përdoren fare mirë kalendarët liturgjikë të cilët i gjen fare lehtë në kishë apo në libraritë katolike. Nuk është për t’u lënë mënjanë ndihma që ofrohet nga aplikacione të veçanta të shkarikueshme falas e fare lehtë në internet.

Për atë që ka në dispozicion një orë të plotë, një apo disa herë në javë

Për një fillestar, që ka në dispozicion një orë të plotë, mund të jetë shumë e dobishme të ushtrohet në katër shkallaret e Leximit hyjnor, duke e ndarë atë orë në katër pjesë, d.m.th. nga 15 minuta për secilën shkallë. Herëve të para, ndodh pothuajse shpesh, që nuk arrihet të respektohet koha e caktuar pasi leximi dhe kërkimi i ndonjë komenti zgjaten më shumë se duhet. Duke u praktikuar, ky defekt do të rregullohet e në këtë mënyrë, do t’ju jepet koha e duhur meditimit dhe lutjes.

Për atë person që i duhet të ‘rrëmbejë’ pak kohë aty këtu nga një angazhim në tjetrin

Me pak vullnet të mirë, kushdo mund të krijojë një stil të personalizuar për Leximin hyjnor, që i përgjigjet mundësive reale të tij.

Mund ta caktojmë momentin e Lectio-s në fillim të ditës. Duke e mbajtur Biblën afër vetes, mund të lexojë, për disa minuta, pjesën e përzgjedhur, para se të dalë nga shtëpia e të fillojë aktivitetet e ndryshme të ditës. Nëse kemi pasur mundësinë të marrim pjesë në Meshën e shenjtë, dëgjimi i vëmendshëm i liturgjisë së Fjalës përbën një fillim të vlefshëm për Leximin hyjnor. Për atë që merr pjesë në grupe lutjesh apo formimi biblik në famullinë përkatëse, mund të bëjë hapin e parë, duke përfituar prej leximit dhe shpjegimit të pjesëve biblike që paraqiten në formë bashkësiore.

Në çdo formë që Fjala dëgjohet dhe pranohet, e rëndësishme është që të mbahet mend dhe të përqendrohet në pikat e saj thelbësore. Ky është qëllimi i hapit të dytë të Leximit hyjnor. Përkushtimi, në të vërtetë, është që të mbajmë gjallë kujtimin e Fjalës në të gjitha momentet e mundshme. Për disa do të jetë udhëtimi shtëpi-shkollë-punë, për të tjerë, do të jetë koha e kaluar në makinë, pse jo edhe duke pritur dritën jeshile të semaforit. Disa do ta bëjnë këtë duke larë enët, duke hekurosur apo gjatë angazhimeve të tjera shtëpiake. Gjëja e rëndësishme është që të dimë se si të tërhiqemi në ‘dhomën’ e brendshme, duke lënë zhurmën, fjalët e padobishme, bisedat e kota, muzikën në kufje, televizorët e ndezur vazhdimisht. Kështu që, ndoshta nuk është e padobishme të përgatitemi për Leximin hyjnor, duke bërë këtë lutje të shkurtër, por të thellë, të shën Françeskut (BF 277) në të cilën përmblidhet domethënia përfundimtare e çdo itinerari shpirtëror dhe e çdo Fjale të Shkrimit Shenjt, d.m.th. braktisja e plotë në “Misterin e Pashkëve” të Krishtit Jezus, i vdekur dhe i ngjallur.

«Ma rrëmbeftë, po të lutem, o Zot,

forca e ndezur dhe e ëmbël e dashurisë sate,

krejt mendjen time, prej të gjitha gjërave që janë nën qiell,

që unë të vdes për dashuri ndaj dashurisë sate,

ashtu si ti je denjuar të vdesësh për dashuri ndaj dashurisë sime».

Sapo Fjala i ka folur zemrës, duke ndriçuar ndonjë aspekt të jetës sonë, nuk na mbetet tjetër përveçse t’i përgjigjemi me një lutje të shprehur me një nga format që kemi folur tashmë … e pse jo? Ndoshta edhe duke thënë Rozaren të gjallëruar nga ajo që meditimi ka përgatitur.

Nëse nuk kemi një ambient të përshtatshëm, mendja do të flasë në vend të gojës. Të ushtruarit e gjatë dhe një përqendrim më i madh, do ta bëjnë të mundur deri edhe hapin e katërt që është soditja. Njëmend, çfarë mund të na pengojë që ta përjetojmë, edhe ndërsa ecim në rrugë, qoftë edhe për pak momente, atë ndjeshmëri të veçantë, atë shkëndijë gëzimi që na paralajmëron për vizitën e Shpirtit Shenjt?

Përfundim

Në përfundim të kësaj paraqitjeje të shkurtër të metodës tradicionale të Leximit hyjnor, kthehemi te Shën Françesku i Asizit. Në të vërtetë, shembulli i shenjtërve është gjithnjë i çmueshëm, sepse na nxit të bëjmë atë që, në shikim të parë, duket njerëzisht e pamundur, por e arritshme, nëse i hapemi Shpirtit Shenjt që vepron me anë të Shkrimeve të Shenjta. Njëmend, rruga e shenjtërisë nuk mund të ndahet nga një ecje në dëgjim të vëmendshëm dhe frytdhënës të Fjalës së Hyjit.

Shën Françesku i Asizit

«Përkushtimi i palodhur ndaj lutjes, së bashku me ushtrimin e pandërprerë të virtyteve, e bëri njeriun e Hyjit (shën Françeskun) të arrinte një qartësi aq të madhe shpirtërore saqë, megjithëse nuk e kishte arritur kompetencën në Shkrimet e Shenjta nëpërmjet studimit dhe erudicionit njerëzor, gjithsesi, i ndriçuar nga shkëlqimet e dritës së amshueshme, shqyrtonte thellësitë e Shkrimeve me një intelekt të kulluar dhe të mprehtë.

Zgjuarsia e tij, e pastër nga çdo njollë, përshkonte sekretin e mistereve, dhe aty ku shkenca e mësuesve mbetet e përjashtuar, ai hynte me përzemërsinë e dashuruesit.

Ai i lexonte librat e shenjtë herë pas here, dhe e mbante aq fort të ngulitur në kujtesë atë që tashmë e kishte asimiluar: meqenëse ai vazhdonte ta përbluante me devotshmëri të përzemërt atë që e kishte dëgjuar me mendje të kujdesshme» (BF 1187).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme