Nga Atë Flavio Cavallini

Çfarë është lectio divina? Çfarë frytesh sjellë për jetën shpirtërore? A mund të praktikohet në jetën e përditshme nga të gjithë dhe në cilën mënyrë?

Me shumë kënaqësi do të paraqesim disa artikuj me anë të të cilëve do të kemi mundësinë të kuptojmë më mirë se çfarë është leximi shpirtëror i Shkrimit Shenjt duke uruar që, me hirin që vjen nga Shpirti Shenjt, ta vëmë në jetë. Lexim të këndshëm…   

Pjesa e tretë

LECTIO DIVINA, KATËR SHKALLARE PËR T’U NGJITUR NË QIELL

Metafora e shkallës, me të cilën ngjitësh në qiell, është e frymëzuar nga Bibla (Zan 28,11-16), e njihej shumë mirë prej traditës murgjërore. Në shek. XII, murgu Guigo II, epror i Gran Qertoza, e propozoi sërish për të përshkruar itinerarin shpirtëror të Leximit hyjnor. Ky mësues i jetës shpirtërore, sheh në një prej tetë lumturive të shpallura prej Jezu Krishtit në fillim të fjalimit të tij në mal, qëllimin përfundimtar të lutjes (Mt 5,8): «Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin». Në të njëjtën kohë, në mësimet e tij mbi lutjen ngulmuese, pikas hapat e nevojshëm për t’ia arritur pikësynimit (Lk 11,10): «Kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që troket, i hapet dera».

Me një fjalë, zemra pastrohet dhe përgatitet për të “parë” Hyjin, dm.th. të krijojë një marrëdhënie personale dhe të ngushtë me të, falë ngjitjes së katër shkallareve. Guigo Qertozini, duke parafrazuar rreshtin e shën Lukës, i rëndit në këtë mënyrë:

  1. lypësh me anë të leximit të vëmendshëm të Shkrimit Shenjt;
  2. kërkosh me anë të meditimit të Shkrimit Shenjt;
  3. trokasësh me anë të lutjes;
  4. që të hapet porta e soditjes.

Nëse vërejmë me kujdes, ajo që paraqitet si një shkallë për t’u ngjitur drejt njohjes së Hyjit, duhet të jetë njëkohësisht një shkallë me anë të cilës zbret në thellësitë e Shkrimit Shenjt. Tani, po kërkojmë të përshkruajmë karakteristikat kryesore të secilës shkallare.

  • 1. Lectio, që do të thotë “lexim”

Leximi, në mënyrë të pashmangshme, është pikënisja. Me anë të tij, i jetuar si dëgjim personal, i afrohemi tekstit të shkruar, për t’u zhytur në të në zbulim të Fjalës. Në vizionin tipik ‘katolik’, në të vërtetë, Bibla, si libër, para së gjithash, është tabernakull i Fjalës, e si i tillë, duhet të hapet domosdoshmërisht. Për këtë arsye, besimi ynë nuk mund të përcaktohet kurrë si “religjion i Librit”, i cili është një ndërmjetësim i Fjalës e jo Fjala në vetvete.

Pjesa e zgjedhur duhet të lexohet disa herë, pa u ngutur dhe mundësisht me zë. Të bashkosh leximin e syve me dëgjimin e veshëve, është një mënyrë e thjeshtë për të rritur aftësinë e përshkimit të tekstit në mendjen tonë. Qëllimi i parë i leximit është kuptimi i drejtpërdrejtë i tekstit, duke pasur mundësinë ta shijosh kuptimin ashtu si ai tingëllon. Aftësia që vihet në punë është parësisht inteligjenca personale. Në përpjekjen për të kuptuar, ajo përdorë të gjitha burimet që zotëron, duke filluar nga njohja e gjuhës përkatëse e deri tek gjuhët antike, nga nocionet gramatikore e sintaksore për të hyrë në përkthimet e gjuhëve moderne, nga kultura e përgjithshme deri tek njohja e periudhave të ndryshme historike në çështje. Përveç kësaj, për sa është e mundur, është mirë të përdoren edhe komentarët biblikë dhe fjalorët teologjikë, me një fjalë, aq sa niveli kulturor i secilit mund të ofrojë.

Një mënyrë shumë e thjeshtë është zgjerimi i leximit të pjesës së zgjedhur, duke ndjekur citimet e ndryshme që disa botime të Biblës vendosin në fund të tekstit. Bëhet fjalë për një zgjedhje të ‘pjesëve paralele’, d.m.th. të rreshtave të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re, ku gjenden shprehje të njëjta apo të ngjashme me pjesën e zgjedhur në fillim. Në këtë mënyrë, është e mundur të bëhet një lexim “zinxhir”, me anë të cilit Shkrimi Shenjt shpjegohet prej vetë Shkrimit Shenjt. Si përfundim, bëhet fjalë për të dëgjuar me vëmendje atë që Hyji thotë në Fjalën e tij, pa pasur të tjera qëllime jashtë vetë Fjalës.

  • 2. Meditatio, që do të thotë “Meditim”

Shkalla e dytë na çon nga objektiviteti i tekstit të shkruar e i domethënies së tij, tek ajo që Fjala fillon të na thotë personalisht. Prej gjithë asaj që është lexuar në tekst e në librat e tjerë ndihmës të përdorur, vetëm disa fjalë apo shprehje, bëhen, për të thënë ashtu, të ndritshme. Fillon, kështu, një proces përzgjedhjeje e ballafaqimi mes Fjalës dhe situatës ekzistenciale (simbolizmi – shoshitja). Këtu, fakulteti që më fort hyn në punë, është kujtesa. Njëmend, bëhet fjalë, nga njëra anë, që të fiksohet Fjala, që të mos tretet, e nga ana tjetër, të kujtohet situata ekzistenciale, duke i vënë në marrëdhënie dhe në ballafaqim. Tradita murgjërore e përshkruan më së miri këtë moment kur flet edhe për ruminatio (ripërtypje), në kuptimit që Fjala e marrë nga Lectio, rimerret dhe ripërtypet – personi e përbluan në mendje fjalën – për kohë të gjatë në përngjasim të kafshëve ripërtypëse, të cilat në qetësinë e stallës, ripërtypin barin që kanë marrë në kullotë. Fillon, kështu, përthithja e Fjalës së dëgjuar për ta bërë pjesë të vetvetes. Në këtë mënyrë, arrihet një tjetër synim i rëndësishëm: jeta jonë e ndriçuar prej Fjalës, fillon të kuptohet si pjesë e historisë së shpëtimit.

  • 3. Oratio, domethënë “lutja”

Ajo që ka kryer Fjala përbrenda, e bën më të fortë marrëdhënien me Hyjin. Prandaj, në këtë pikë, jemi të gatshëm për të filluar t’i përgjigjemi atij, i cili me anë të Fjalës na ka thirrur. Bashkëbiseda mund të marrë ngjyrime të ndryshme: përgjërim, ndërmjetësi, lavd, falënderim, ankim, adhurim, kërkim faljeje, këndim, thirrje e Shpirtit Shenjt. Lutja, e ushqyer nga Fjala, buron natyrshëm dhe i drejtohet Hyjit si person shpirtëror, por konkret.

  • 4. Contemplatio, domethënë “soditja”

Kjo fazë mund të përshkruhet vetëm me termat si qetësi, paqe dhe heshtje. Pas intensitetit të bashkëbisedës në lutje, mbetet për t’u jetuar kënaqësia e heshtur e të qenurit në prani të Hyjit, aty ku lihet mënjanë çdo shqetësim tjetër. Është sikur të jesh në diell duke u përkëdhelur nga ngrohtësia e dobishme e rrezeve të tij mbi lëkurë. Fjala na ka çuar përpara bukurisë madhështore të Hyjit. Tani nuk mbetet tjetër veçse të lejojmë që hiri hyjnor të rrjedhë në qenien tonë duke e shndërruar atë. Këtu mund të vërehet një lidhje e ngushtë e veprimit të Hyjit mes Leximit Hyjnor dhe kremtimit të Eukaristisë: pushojnë përpjekjet tona për t’ia lënë Hyjit nismën në jetën tonë.

Një hap i pestë me shën Françeskun e Asizit

Shën Françesku në Nxitjen e VII-të [BF 156] trajton marrëdhënien mes jetës së besimtarit dhe Shkrimit Shenjt. Një tekst i shkurtër e që duket se është përmbyllja e natyrshme e ecjes së Leximit hyjnor të përvijuar nga Guigo Qertozini.

«Gjallërohen nga shpirti i Shkrimit hyjnor ata të cilët, çdo dije që kanë dhe dëshirojnë të kenë, nuk ia atribuojnë unit të tyre, por ia kthejnë, me fjalë e me shembull, Zotit Hyj të tejetlartë, të cilit i përket çdo e mirë».

Siç e kemi parë, Leximi hyjnor zhvillohet duke u nisur prej takimit ndërmjet jetës dhe Fjalës ndriçuese të Shpirtit Shenjt. Për ta përfunduar, nuk na mbetet tjetër veçse ta vendosim përvojën e soditjes brenda jetës së përditshme.

Shën Françesku na shpjegon se si Shpirti hyjnor vepron në mënyrë të dyfishtë në atë që e pranon Fjalën në mënyrë të frytshme. Në radhë të parë, ndodh pastrimi i “uni”-t, duke mos ia njohur vetes gjërat, por vetëm Hyjit. Në radhë të dytë, ndodh shenjtërimi i “uni”-t, ku personi bëhet i aftë që të ofrojë falas, pa mbajtur asgjë për vete. Nuk është e vështirë të njohim në këtë aftësi, tiparin më autentik të lumturisë së të “varfërve në shpirt” (Mt 5,3). Dëshmia e një jete të mirë dhe predikimi i Fjalës, janë dy rrugë të cilat na pengojnë që ta mbizotërojmë Fjalën dhe ta përdorim, në një farë mënyrë, si të na e dojë qejfi. Në këtë mënyrë, personi i liruar prej dredhave gjarpëruese të “uni”-t narcizist, ashtu si shiu që bie kthehet në qiell sërish, është i lirë ta çojë në përmbushje udhëtimin e tij, duke u kthyer në qiell nga ku kishte zbritur, por vetëm pasi e ka bërë të frytshme tokën (krh. Is 55,10).

Vijon…