12.5 C
Tirana
HomeEditorialLe të jemi një kishë që kumton shpresë
HomeEditorialLe të jemi një kishë që kumton shpresë

Le të jemi një kishë që kumton shpresë

George Frendo O.P   / 

I krishteri është i thirrur të shpallë një mesazh shprese falë thirrjes së tij. Nuk është një thirrje e lehtë, veçanërisht sot. Përse?

Shpresa: një Virtyt në Krizë

Christopher Lasch (The True and Only Heaven) ka treguar shumë mirë sesi idea e krishterë e shpresës ndryshon nga idea kryesore e Iluminizmit, domethënë idea e progresit. Kjo e fundit shpreh bindjen që falë zhvillimit të shkencës dhe pjekurisë së arsyes, është hapur rruga drejt një përparimi pakufi. Nga ana tjetër, shpresa nënkupton besim në jetën; ky besim duket i pakuptimtë për ata që nuk e kanë. Është një besim i bazuar mbi të kaluarën, por që hap rrugën drejt të ardhmes.

Rabbi-ni hebre Jonathan Sacks (The Dignity of Difference) pohon që nëpërmjet reflektimit mbi historinë e një populli, ka mësuar të dallojë optimizmin nga shpresa. “Optimizëm” do të thotë të besosh që gjërat mund të përmirësohen. “Shpresë” do të thotë, që së bashku, mund të përmirësojmë gjërat. Optimizmi është një virtyt pasiv, shpresa është një virtyt pozitiv”.

Pas rënies së komunizmit, Francis Fukuyama, ka shkruar një artikull interesant: The End of History. Sipas tij, etika e konsumit ka qenë shkaku për të shkrirë konfliktet ideologjike. E ardhmja do të jetë e errët, por paqësore. Kishte të drejtë apo jo? Ai vetë pranoi se kishte gabuar! Kanë lindur forma të reja tensionesh raciale dhe jo toleruese. Luftërat në Afganistan dhe në Irak kishin si synim të frenonin terrorizmin. Por nuk kanë bërë tjetër veçse ta nxisin akoma më shumë! Gjithë kjo nuk u ka lënë vend utopive.

Po, shpresa është një virtyt në krizë!
Të zbulojmë sërish Shpresën

Në 1967, filozofi i shquar marksist Ernst Bloch jepte një konferencë për shtyp, gjatë së cilës e pyetën se çfarë mendonte për faktin që teologë të ndryshëm po përdornin filozofinë e tij si instrument për teologjinë e tyre të shpresës. Mjafton të përmendim, p. sh., ndër teologët protestantë Jurgen Moltmann dhe Wolfhart Pannenberg; dhe ndër teologët katolikë Johannes Baptist Metz e Eduard Schillebeeckx. Bloch merr distancën nga Marx në konceptin e tij rreth fesë. Për Marx feja është “opiumi i popullit”. Bloch e hedh poshtë këtë ide dhe e konsideron fenë si “protestë”. Sipas Bloch, feja çon në qiellin e saj ëndrrat më të mira të njeriut: ëndrrat për një botë më denjë për njeriun. Mesazhi i ungjillit, sipas Bloch, është ta vendosë njeriun në një ecje drejt një toke të re, duke bërë të lindë kështu një lëvizje nga e tashmja tek e ardhmja, duke krijuar një histori.

Falë intuitave të Ernst Bloch, teologët kanë mundur të rizbulojnë dhe të zhvillojnë teologjinë e shpresës. Ngjarja kryesore në historinë e Popullit të zgjedhur në Besëlidhjen e Vjetër na paraqet ndërhyrjen e veçantë e Hyjit në historinë e këtij populli. Hyji është zbuluar si JAHWEH, është “ai që është”, zbulohet si Zoti i historisë. Vetë-zbulimi i tij është i lidhur me një premtim. Hyji që është (Jahweh) bëhet Hyji për ne dhe me ne (Emanuel). Fjala e tij e premtimit krijon një histori të re dhe përcakton një ecje: daljen.

Besëlidhja e Re ndjek të njëjtën model mendimi: domethënë që Hyji i Jezu Krishtit është Hyji i Besëlidhjes, “Hyji i premtimit”. Por ka një risi e madhe e zbuluar në ngjarjen e Krishtit. Jezusi ka marrë natyrën njerëzore në rrënjësinë e saj, pra përfshirë vdekjen, “kontradikta më e madhe dhe absurde e jetës” (Karl Rahner), dhe duke zbritur në sheol ka shkatërruar mbretërinë e vdekjes, që nga një fenomen i jo-komunikimit me Hyjin, është shndërruar në një kalim për një komunikim me të. Në Krishtin, lind risija e të gjitha gjërave. Prandaj Pali flet për Krishtin si Adami i ri (Rom 5). Nga momenti kur Krishti, me anë të vdekjes dhe ngjalljes së tij, është bërë Adami i ri, shpresa e njerëzimit është drejtuar nga qiejt e ri dhe toka e re. Sipas Palit: “Vetë krijesa është në afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit …. Vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në larine dhe lumturinë e bijve të Hyjit” (Rom 8, 19-21).

Predikatarë të Shpresës

Shpresa profetike është “një virtyt shoqëror”, siç pohon Alasdair MacIntyre (Marxism and Christianity). Është një shpresë që mund të ndryshojë shoqërinë për të mirën. Shpresa e krishterë e hap rrugën jo për optimizëm, por për guxim. Jonathan Sacks (në veprën e cituar) pohon: “Nuk kërkohet guxim për të qenë optimist, ndërkohë kërkohet shumë guxim për të pasur shpresë”. Është guximi i treguar nga Jezusi, i cili, pak orë para arrestimit të tij, u tha apostujve të tij: “Mos u trembni, unë e munda botën” (Gjn 16, 33).

Predikimi profetik lind atë shpresë që jep guxim. Është guximi për t’u angazhuar për një botë më të drejtë, për një shoqëri ku bien muret e ndarjes, e paragjykimeve dhe të urrejtjes, sepse “Krishti është paqja jonë” (Ef 2, 14). Është guximi për t’u angazhuar të ndërtojmë një shoqëri më të denjë për njeriun.
Në botë janë disa njerëz plotësisht të munduar nga padrejtësitë sa harrojnë që çdo mëngjes dielli lind; janë disa të tjerë plotësish të dhënë pas bukurisë sa janë të verbër përballë vuajtjes së të tjerëve. Këto janë disa nga problemet që kemi përpara, duke nxitur pyetje për të cilat ne nuk kemi përgjigje shteruese. Të predikosh në këtë botë do të thotë të bashkëndash jetën, shpresën dhe premtimet që jetojnë në botën e tjetrit.

Jemi të ndjeshëm ndaj shenjve të sotme si shekullarizmi, konsumizmi, pluralizmi, etj, por duhet të pyesim veten, çfarë do të na thotë Zoti nëpërmjet këtyre shenjave? Dhe çfarë pret prej nesh në këto situata? Ekperienca e tensionit në Kishë, si drita e kuqe e semaforit, na detyron të ndalemi për të reflektuar. Është një ftesë të bëjmë një analizë, një vetëkritikë, për të kuptuar çfarë nuk shkon. Por është edhe një ftesë për të mos u rehatuar me mediokritetin. Mos të kënaqemi me status quo. Jemi në një kishë gjithmonë në ecje.

Është e nevojshme të reflektohet situata e Darkës së Fundit. Është një situatë e përzier me parashikim të mohimit, të tradhëtisë, të vdekjes, por edhe me premtimin e Shpirtit Shenjt që do të ngushëllojë e do të mbështesë, dhe me fjalët si: “Mos t’ju shqetësohet zemra” (Gjn 14, 1); “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (14, 6). Dhe duke shkuar drejt agonisë së tij, Jezus guxon t’u thotë apostujve: “Mos u trembni, unë e munda botën” (16, 33).

Kisha nuk shkurajohet nga situatat e darkës së fundit, por frymëzohet nga pohimet dhe premtimet e Jezusit. Dhe me gjithë problemet e përditshme, vazhdon të planifikojë, duke frymëzuar shpresë, në një kulturë pa shpresë, dhe duke i drejtuar besimtarët të synojnë ad altiora, pa u kënaqur me status quo.
Sot gjithçka vjetërsohet shpejt. Prandaj duhet jo vetëm të dimë të lexojmë shenjat e kohrave, por edhe të dimë të dëgjojmë, të mësojmë, të përditësohemi dhe të mbetemi entuziastë. Nuk mund t’u përgjigjemi pyetjeve të sotme me përgjigjet e djeshme, as të zgjidhim problemet e sotme, me metodat e djeshme.
Mons. George Frendo O.P.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme