3.5 C
Tirana
HomeKISHKrishti Mbret, shpallur në kryq nga akti më heroik i dashurisë
HomeKISHKrishti Mbret, shpallur në kryq nga akti më heroik i dashurisë

Krishti Mbret, shpallur në kryq nga akti më heroik i dashurisë

Kёtё tё dielë Kisha katolike e ritit romak kremton solemnitetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret. Vdekja e Jezusit në kryq është akti më i madh i dashurisë që njihet në të gjithë historinë e njerëzimit: këtë të vërtetë, që i është dorëzuar, Kisha e ruan plot përvujtëri, pa hijen e mburrjes ose të arrogancës dhe shpall në solemnitetin e Krishtit Mbret.

Kisha kumton të vërtetën e Krishtit Mbret, shpallur në kryq nga akti më heroik i dashurisë që njeh historia. Krishti Mbret i universit është i vetmi Zot, e përballë tij të gjithë jemi vëllezër.  Figura e Krishtit Mbret, nё ungjij, paraqitet pa pushtet e pa lavdi, Jezusi është i kryqëzuar mbi kryq, ku duket më shumë i mundur, sesa fitimtar.

Pushteti i tij mbretëror është paradoksal: froni i Tij është kryqi, kurora është e thurur me ferra; nuk ka skeptër; në vend të tij, i vunë në dorë një kallam; nuk është i veshur me salltanet e edhe mantelin nuk e ka më, ia kanë hequr; nuk ka unaza vezulluese në gishtrinjtë e duarve, shporuar nga gozhdat; nuk ka  thesar, e shitet për tridhjetë aspra.

Krishti u përul deri tek ne, provoi mjerimin tonë njerëzor, u shty deri në fund të kufijve të universit, për t’i përqafuar e për t’i shpëtuar  tё gjithë njerёzit, pa dallim, pa pёrjashtim. Nuk na dënoi, e as nuk na pushtoi, nuk deshi ta dhunonte kurrë lirinë tonë njerёzore, ndaj u bë udhë, me dashuri të përvuajtur, që fal gjithçka, gjithçka shpreson, duron gjithçka…Vetëm kjo dashuri ngadhënjeu e vijon të ngadhënjejë mbi kundërshtarët tanë, mbi mëkatin, vdekjen, frikën.

Mbretëria e Hyjit, siç thoshte Jezusi, nuk është e kësaj bote e vetë Krishti nuk e pranoi titullin e mbretit në kuptimin politik të kësaj fjale, por jo mbretëri realizon gjithçka të mirë që ekziston në zemrën e njeriut e në histori.

Nё solemnitetin e Krishtit Mbret, Kisha na fton ta pranojmë me gëzim sundimin e Tij të dashurisë, por do të ishte ende pak për të besuar se Krishti është Mbret i universit dhe qendër e historisë, nëse nuk e bëjmë edhe Zotëri të jetës sonë e nuk e pranojmë edhe mënyrën e sundimit të Tij.

Kjo e kremte, pra, është një ftesë e fuqishme për ta kthyer zemrën gjithnjë kah mbretëria e Zotit, duke pranuar sundimin e Hyjit, që sjell të Dashurinё e tё Vërtetën në jetën tonë.

E kërkojmë këtë përditë në lutjen “Ati ynë” me fjalët “Ardhtë mbretëria jote”, që është sikur t’i themi Jezusit: o Zot, na bëj të jemi të tutë, jeto në ne, mblidhe rreth Teje njerëzimin e vuajtur e të hapërdarë, që në Ty, gjithçka t’i nënshtrohet Atit të mëshirës e të dashurisë. Në se vemë në jetë dashurinë për të afërmin, sipas lajmit ungjillor, atëherë i hapim rrugën sundimit të Zotit e mbretëria e tij vjen mes nesh. Por në se secili mendon vetëm për interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit.

Prandaj, në se jeta e Jezusit është dashuri, rruga nëpër të cilën duhet të ecë i krishteri nuk mund të mos jetë e njëjtë: rruga për të arritur në cakun-dashuri është e gjatë e nuk të lejon t’i biesh për shkurt: duhet që çdo njeri ta pranojë lirisht të vërtetën e dashurisë së Zotit. Ai është Dashuri e Vërtetësi; as dashuria e as vërtetësia nuk mund të imponohen kurrë: trokasin në portën e zemrës e të mendjes e, atje ku mund të hyjnë, çojnë paqen e gëzimin. Kështu di të mbretërojë Zoti; ky është plani i tij i shëlbimit, një ‘mister’ në kuptimin biblik të fjalës, do të thotë plan që zbulohet pak nga pak në historinë tonë njerëzore.

Nga lutja me të cilin mbylli homelinë në festën e Krishtit Mbret Papa Gjon Pali II në vitin 1998

“Jezus, të të bjerë ndër mend për mua, të të bjerë ndër mend për ne, kujtohu për të gjithë popujt, të cilëve barinjtë u japin çdo ditë bukën e gjallë e të vërtetë të Ungjillit tënd nëpër hapësirat e pafundme të detit e të tokës: pasi të kemi ndjekur, vijmë tek ti, në mbretërinë tënde, të tërhequr prej teje, që je lartësuar mbi kryq; vijmë tek ti, që je lartësuar përmbi historinë dhe në qendër të saj, alfa dhe omega, fillimi dhe mbarimi, Zot i kohës e i shekujve.

Ty, o Krishti, të drejtohemi me fjalët e himnit të lashtë:

Me anë të vdekjes sate të lavdishme,

o mbret i lavdisë së amshuar,

fitove për popujt jetën e amshuar,

prandaj mbarë bota të quan Mbretin e njerëzimit.

Mbretëro mbi ne, o Krisht, Zoti ynë!”

Amen!

Marrë nga Radio Vatikani

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme