3.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Shkodër-PultKoncerti vokalo-instrumental “Ave Maria”
HomeArqidioqeza Shkodër-PultKoncerti vokalo-instrumental “Ave Maria”

Koncerti vokalo-instrumental “Ave Maria”

Një ndër momentet më të veçanta të vitit liturgjik është Koha e Ardhjes, pasi na fton që të bëjmë së bashku një rrugëtim, finaliteti i të cilit është ardhja e Jezu Krishtit në mesin tonë. Në këtë rrugëtim një vëmendje të veçantë merr Nëna e Zotit, Virgjëra Mari. Në personin e saj duhet të pasqyrohet krejt jeta jonë në mënyrë që në ne të realizohet vullneti i Hyjit. Tashmë janë të njohura cilësitë si: heshtja, kontemplimi, soditja, dhembshuria etj., që e kanë karakterizuar Marinë në jetën e saj. Në muajin dhjetor festohet njëra ndër tri festat më të mëdha të Marisë: Zoja e Papërlyer.

Me rastin e festës së Zojës së Papërlyer, Shoqata “Mark Kaftalli” në bashkëpunim me Shoqninë “Illyricum” kanë organizuar një koncert vokalo-instrumental të titulluar “Ave Maria”. Koncerti është paraqitur më 14 dhjetor 2021 në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol në orën 18:00. Koncerti është hapur me antifonën mariane gregoriane “Ave Maria” dhe është ndjekur nga këngët me të njëjtin titull të Franz Schurbertit dhe Jacob Arcadeltit. Pastaj ka vijuar motër Dila Shtjefni (nga motrat françeskane të Zojës së Papërlyer) me një reflektim të shkurtër muziko-shpirtëror rreth figurës së Marisë. Koncerti ka vazhduar me pjesët e tjera muzikore të kompozuara nga kompozitorë të mirënjohur si: Giuseppe Verdi, George Friedrich, Johann Sebastian Bach, Mario Miladin, Giulio Caccini, Prengë Jakova e të tjerë.

Për një ekzekutim sa më të mirë të veprave të autorëve të lartpërmendur u kujdesën: drejtuesi i korit “Illyricum” z. Lukë Mllugja, drejtuesi i korit “Atë Martin Gjoka” z. Fatjon Tanazi dhe drejtuesi artistik z. Anton Kaftalli. I pranishëm në këtë mbrëmje ishte provinciali i Provincës françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë” fra Pashko Gojçaj, nën kujdesin e të cilit edhe është organizuar koncerti; rektori i kishës së Shën Françeskut fra Gazmend Tinaj dhe famullitari i famullisë “Zoja Rruzare” fra Aurel Gjerkaj. Të pranishëm ishin edhe familjarët e performuesve, rregulltarë e rregulltarë si dhe dashamirë të muzikës kishtare.

Në fund të koncertit fjala iu dha fra Pashkut, i cili uroi dhe përgëzoi të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në mbarëvajtjen e këtij koncerti drejtuar Zojës dhe njëkohësisht ftoi dhe nxiti që organizime të tilla të jenë më të shpeshta pasi janë vetëm një pasurim i muzikës dhe kulturës në përgjithësi. Gjithashtu ai theksoi se ky koncert i organizuar me rastin e festës së Zojës së Papërlyer ka shërbyer si një përgatitje për festën e Krishtlindjeve, drejt së cilës edhe jemi drejtuar. Ky ishte koncerti i parë në radhë i organizuar nga Shoqnia “Illyricum”, pasi në vazhdimësi në kësaj periudhe festash do të organizohet edhe një koncert tjetër jo shumë ditë para Krishtlindjeve.

Fra Lorenc Pepniku

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme