26.5 C
Tirana
HomeKISHKjo kohë krize është më e përshtatshmja për vështrimin e mistikës
HomeKISHKjo kohë krize është më e përshtatshmja për vështrimin e mistikës

Kjo kohë krize është më e përshtatshmja për vështrimin e mistikës

Kjo fazë tranzicioni epokal është e favorshme për përvojën mistike, e cila nuk kërkon zgjidhje të menjëhershme, por bën që, në të tashmen, të lulëzojë ajo që është ende e pashprehur.

[Disa faqe nga mistika dhe ndërgjegjja. Të shohësh brenda nga Antonella Lumini (Paoline, 368 faqe). Përvoja mistike, duke u zhytur në thellësi, aktivizon jetën soditëse, shkrydh ngurtësinë e formave që pengojnë ndryshimin, gërmon, zbulon dhe ndriçon ndërgjegjen]

Festina lente! Ngutu ngadalë! Ekziston një urgjencë që s’pret, një realitet ende i nëndheshëm që mundohet të shfaqet, që fton për dëgjim. Kriza sistematike që po kalojmë nuk mund të gjejë një rrugëdalje duke qëndruar të lidhur pas së kaluarës, as duke u projektuar si një vorbull drejt një të ardhmeje iluzore. Përkundrazi, na kërkon që të aderojmë thellësisht tek e tashmja për të mirëpritur atë që, ende në formim e sipër, po përpiqet me mundim për të dalë në dritë. Na fton që ta jetojmë deri në fund përhumbjen, duke pranuar që të heqim dorë nga një aset me të cilën ndërgjegjja nuk përkon më. Ndërsa e vjetra po shpërfaq të gjitha kontradiktat e veta, e reja nuk është ende gati të shfaqet. Ka një pjesë të paqartë për të përshkuar, është thelbësore të ndalojë e të presë për shtytjen që vjen thellë nga brenda. Pikërisht në këtë ndërrim drejtimi që çon drejt një hapësire të panjohur që tremb, e tashmja përgatit të ardhmen. Urgjencës nuk i nevojitet një kërkim i angështuar për zgjidhje të lehta, por pritja e vendosur, e rrënjosur, guximi për ta përshkuar boshllëkun. Në këtë tranzicion epokal, nga njëra anë mund të vërejmë frenimin e papritur të një tendencë që tashmë është jashtë kontrollit, nga ana tjetër shtytjen që përshpejton ndryshimin, favorizon zgjimin e ndërgjegjes, çmobilizon veçanërisht strukturat psikike dhe mendore, formae mentis, mund të thuhet sinapset, të cilat përbëjnë lidhje të kockëzuara që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u çmontuar. Vetëm Shpirti Shenjt mund ta bëjë këtë. Është urgjente që mistika të kthehet në qendër të vëmendjes. Përvoja e brendshme të çon drejt thelbit, aktivizon nivelet e thella, ndihmon procesin e shndërrimit. Ndërsa reflektohet në ndërgjegje, ka një ndikim të fortë mbi kohën dhe historinë. Natyrisht, ne aludojmë për një mistikë të mishëruar, për atë përvojë të brendshme që përbën aksesin nëpërmjet të cilit hyjnorja mishërohet te njeriu.

Një qasje shpirtërore ndaj Perëndimit në tërësi, hedh një dritë të qartë mbi matricën e tij të pangatërrueshme ungjillore. Nuk bëhet fjalë për të rivendikuar rrënjët e saj të krishtera në mbështetje të disa impulseve ideologjike fondamentaliste që synojnë të mbajnë në këmbë një vizion të botës që po shembet. Përkundrazi, bëhet fjalë për të parë nga një kënd që është i lirë nga skemat ideologjike. Është urgjente që të përqafohet sërish dëshira e lindur për ta pastruar shikimin, në mënyrë që të shihet në një mënyrë të thellë dhe të ndriçuar. Pika kyçe është kthimi [konvertimi] i arsyes dominuese, materialiste, reduksioniste, e cila ka vënë mënjanë çdo qasje tjetër ndaj njohjes, përveç asaj tipike të shkencës eksperimentale. Qytetërimi perëndimor është i krishterë për shkak të parimeve që ka përpunuar. Ky qytetërim është i krishterë jo vetëm për nga rrënjët, për nga kumtimi prej ku buron, por për atë që ka mbirë prej saj. Është i krishterë si midis besimtarëve ashtu edhe midis jobesimtarëve dhe ateistëve, por është po aq i çkristianizuar në praktikë. Në të njëjtën kohë është i përshkuar nga farat e shenjtërisë për shkak të pranisë së asaj Mbretërie të padukshme që banon aty në mënyrë të mistershme. Vetë bota e globalizuar është e përshkuar nga forca shpërthyese e një kumtimi që sigurisht nuk mund të kufizohet në një religjion, por, duke qenë universal, i drejtohet mbarë njerëzimit. Forca e ngjalljes e përshpejton atë dinamizëm përmes të cilit hyjnorja mishërohet në njeriun, duke e zbuluar veten. Hap dhe mbyll. Të shtyn përpara, pastaj të kthen prapa aty ku një pjesë e madhe lufton dhe reziston, kapet pas kufijve të vet për ta mbrojtur veten, duke u përpjekur që të qëndrojë. Kumtimi e përshkon njerëzimin si farat e mbjella që bien në tokë dhe lëshojnë rrënjë aty ku gjejnë kushtet e duhura për të mbirë. Shpirti i të Ngjallurit depërton tek ata që hapen për të pritur zjarrin e tij në një Rrëshajë të vazhdueshme. Vetë Pagëzimi është zhytje në zjarrin e një dashurie të pastër që është Shpirti, dashuria që dashuron, dashuria që lind dashuri. Sakramenti ratifikon dhe favorizon përvojën, si një investiturë që pllenon, por ajo që ka rëndësi është përvoja në vetvete, kur prekja e dashurisë së pastër pranohet. Kumtimi bën thirrje për ta jetuar misterin në të vërtetën e vet të pakufishme, kërkon një qasje soditëse ndaj realitetit. Krijimi nuk ka kufij të mbyllur, është dëftim i dukshëm i Hyjit të padukshëm, është libri jo i shkruar, por i thënë/i bërë, është matrica. Të besosh se mund të kodifikosh çka është e mistershme e që të tejkalon gjithmonë, shuan lëvizjen dinamike të jetës dhe sjell një shterpësi të ngurtë vdekjeje. Krishterimi zbulon dimensione të padukshme përmes caqeve të kufizuara, realitete mbinatyrore përmes realiteteve natyrore. Si një mishërim i ngadalshëm, por i vazhdueshëm i hyjnores në njeriun, ai çrrënjos çdo formë lidhjeje shtypëse, zgjeron, krijon hapësirë aty ku ka pengesë, e shtyn përpara atë gjë që frenon. Një dialektikë delikate e drejton historinë përtej vazhdës së dukshme: ndërveprimi i vazhdueshëm midis mistikës dhe ndërgjegjes. Përvoja mistike gërmon, zbulon. Bën që të mbijë çka është ende duke u formuar në gjirin e vet. Qenia është gjithmonë në vetvete, por realiteti formësohet sipas asaj që mund të shohë syri. Krijimi është një proces i vazhdueshëm zbulimi që ndodh në ndërgjegje ndërkohë që këndvështrimi me të cilin shikon syri bëhet më i thellë. Duke shikuar gjithnjë e më kthjellët, ai sheh gjithnjë e më shumë në të padukshmen. Çdo kohë kalimi, përhumbjeje, kërkon atë ndalim soditës përmes së cilit ajo që është e mistershme të mund të zbulohet, ajo që po merr formë në gjirin e vet të mund të dalë në dritë. Por ajo zbulohet, lind, nëse dikush ndalon të dëgjojë. Nuk përpunohen programime që e shtyjnë historinë drejt përmbushjes së saj, por rritet aftësia për ta kapur të renë që përpiqet të dalë nga e vjetra duke u mishëruar në atë që dorëzohet dhe lejon të hapet. Aftësia është nxënësí. Është një boshllëk që mund të mbushet. Mistika dhe ndërgjegjja janë koordinatat e kohës vektoriale që priret drejt plotësisë, e cila e shtyn evolucionin në masën me të cilën mbart të farëzuar në vetvete dinamizmin e aktit krijues që mishërimi e përshpejton fuqishëm pasi e njeh èschaton-in e vet, në të cilin misteri zbulohet i tëri në ndërgjegje. Jezu Krishti përbën kujtesën e përhershme, gjithmonë të ndezur e të gjallë të kësaj ndërgjegjeje që dëshiron të zgjohet te çdo grua dhe çdo burrë.

BurimiAvvenire

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme