9.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësKisha në Shqipëri, një prezantim i shkurtër
HomeJeta e KishësKisha në Shqipëri, një prezantim i shkurtër

Kisha në Shqipëri, një prezantim i shkurtër

Prezantim i shkurtër mbi Kishën në Shqipëri para pjesëmarrësve në takimin vjetor të Sekretarëve të Përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvore të Evropës nga Dom Mark Pashkja

Don Mark Pashkja

Shumë të nderuar Shkëlqesi
Të nderuar meshtarë dhe motra
Zonja dhe Zotërinj

Dëshiroj të ripërtërij edhe një herë para jush mirëseardhjen time/tonën në tokën tonë. Një fjalë e urtë e lashtë shqiptare thotë: “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, ndaj kjo shtëpia jonë në Shqipëri është dyfish juaja. Kësisoj, ndihemi të nderuar dhe të privilegjuar që ju kemi këtu.

Në Letrën drejtuar Romakëve, Shën Pali thotë:

«Që prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit» (Rom 15,19).

Me siguri që sot në mëngjes kemi dëgjuar nga Nunci Apostolik një shpluhurosje të mirë të plagëve që kanë mbetur në Shqipëri nga historia e saj. Kjo Kishë e vogël vendore ka ruajtur historikisht brenda vetes vetëdijen se është ungjillëzuar nga Pali apostull dhe se e ka pranuar lirisht krishterimin që në vitet e para të ekzistencës së saj. Në vitin 58 pas Krishtit kemi Ipeshkvin e parë të kësaj dioqeze që ra martir (Shën Çezari i Durrësit). Sipas traditës, ky ishte një nga 72 të dërguarit nga Jezu Krishti. Në shekullin III e gjithë Shqipëria ishte e ungjillëzuar tashmë dhe ishte e krishterë. Duhet thënë se historia nuk është treguar shumë bujare me ne. Për arsye të ndryshme, duke përfshirë edhe ato gjeografike, kjo tokë ishte objekt i pushtimeve të ndryshme dhe natyrisht edhe i shumë vuajtjeve. Martirizimi ishte pothuajse gjithmonë i pranishëm në gjirin e kësaj Kishe gjatë gjithë historisë së saj. Më i vështiri ishte padyshim ai turk. Pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ky popull vuajti pushtimin turk për 5 shekuj. Në këtë periudhë filloi edhe islamizimi i madh i vendit. Për të mbijetuar, të krishterët katolikë u detyruan të braktisnin qytetet dhe të fshiheshin në zonat rurale, veçanërisht në male, me një jetë shumë të vështirë. Megjithëse Kisha ishte pakicë, ajo i qëndroi gjithmonë besnike Selisë së Shenjtë dhe u bë një udhërrëfyese e pazëvendësueshme për mbarë kombin. Kontribuuesit më të mëdhenj në lindjen e shtetit modern shqiptar ishin ipeshkvijtë shqiptarë, disa priftërinj dhe të krishterë laikë. Pas pavarësisë, e cila erdhi në vitin 1912, Kisha njohu në një nga periudhat më të ndritshme. Nga viti 1912 deri në vitin 1945 Kisha themeloi disa shkolla, qendra kulturore, gazeta, muze dhe biblioteka. Në këtë periudhë pati shumë personazhe të formuara nga Kisha katolike, katolikë e jo vetëm që u bënë pika referimi të jetës letrare, ekonomike, kulturore dhe politike të vendit. Pikërisht për këtë dhe jo vetëm në vitin 1945 kur komunistët morën pushtetin, Kisha u shpall armiku më i rrezikshëm i “pushtetit popullor”. Tre ipeshkvij, qindra priftërinj dhe mijëra laikë u pushkatuan ose vdiqën nën torturat mizore. Misionarët që nuk u arrestuan, u detyruan të largoheshin nga Shqipëria së bashku me Delegatin apostolik. Në vitin 1948 regjimi tentoi të krijonte Kishën Katolike Shqiptare, të shkëputur nga Selia e Shenjtë. Ipeshkvi i atëhershëm Imzot Frano Gjini e refuzoi publikisht propozimin duke deklaruar: «Nuk do ta ndaj kurrë grigjën time nga Selia Apostolike». Gjashtë muaj më vonë ai u pushkatua. Në vitin 1967 regjimi e shpalli Shqipërinë, me kushtetutë, shtet ateist, i vetmi në botë. Të gjitha aktivitetet fetare u ndërprenë. Dy priftërinj u dënuan me vdekje për arsye se kishin kremtuar dhe pagëzuar në fshehtësi. Në vitin 1990 demonstrata e parë publike kundër regjimit ishte Mesha e parë e hapur për publikun që u kremtua në Shkodër. Në këtë Meshë të shenjtë morën pjesë 50.000 vetë, katolikë e jo vetëm. Pas kësaj Meshe të shenjtë filloi e gjithë lëvizja që solli lirinë politike dhe fetare.

Në vitin 1993 qe vizita e parë e një Pape në Shqipëri. Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë dhe ringriti hierarkinë kishtare duke shuguruar 4 ipeshkvij të rinj. Gjithçka filloi përsëri… Në vitet në vijim Kisha u përpoq të rimarrë dhe të zgjerojë veprimtarinë e saj në të gjitha fushat e mundshme. Një realitet ku ajo ka qenë gjithmonë e përqendruar dhe vazhdon të jetë e tillë është ai i dialogut ekumenik dhe ndërfetar. E gjithë kjo sepse përkon në mënyrë të përkryer me vlerat e popullit tonë. Një nga vlerat themelore të popullit tonë është vëllazëria fetare. Në një situatë ku në shoqërinë shqiptare 60% i përkasin islamit, 20% ortodoksë dhe 10% katolikë, dialogu ndërfetar dhe ekumenik janë pjesë e përditshme e kujdesit baritor. Në këtë fushë, ekziston prej vitesh tashmë Këshilli Ndërfetar dhe është mjaft aktiv në nivel kombëtar.

Persekutimi i pësuar gjatë komunizmit dhe vëllazëria që ekziston mes nesh ishin arsyet që Papa Françesku në vitin 2014 zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë në botë për ta vizituar. Në vitin 2016 në altarin e Kishës universale u lartësuan 38 bijë e bija të këtij populli,  të cilët me gjakun e tyre dëshmuan Krishtin gjatë regjimit ateist komunist. Aktualisht plaga më e madhe që kemi është migrimi, i cili vitet e fundit shfaqet në nivelet e shpopullimit. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania etj., janë tashmë objektivi i të rinjve tanë.

Statistikisht në mënyrë të përmbledhur mund të themi se në Shqipëri gjenden:

  • 5 Dioqeza nga të cilat 2 janë Arqipeshkvi.
  • 1 Administraturë Apostolike.
  • 1 Kardinal, 6 Ipeshkvij.
  • 52 Priftërinj dioqezanë.
  • 72 Rregulltarë, 107 rregulltare.
  • 30 Shoqata dhe grupe laikale.
  • 1 Seminar Ndërdioqezan.
  • 1 Seminar “Redemptoris Mater
  • 1 Universitet Katolik.
  • 45 institucione arsimore para-universitare ku aktualisht studiojnë 7300 studentë dhe japin mësim 545 profesorë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme