HomeKISHKatekezë 7. Shenjtëria dhe këshillat ungjillore në Kishë

Katekezë 7. Shenjtëria dhe këshillat ungjillore në Kishë

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Lumen gentium.

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se vini!

Kushtetuta e Koncilit II të Vatikanit Lumen gentium (LG) mbi Kishën i kushton një kapitull të tërë, të pestin, thirrjes së gjithmbarshme në shenjtëri të mbarë besimtarëve: secili prej nesh është i thirrur që të jetojë në hirin e Hyjit, duke ushtruar virtytet dhe duke u përngjashmuar me Krishtin. Shenjtëria, sipas Kushtetutës konciliare, nuk është një privilegj për pak veta, por një dhuratë që e angazhon çdo të pagëzuar për të synuar përsosmërinë e dashurisë, domethënë plotësinë e dashurisë ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit. Dashuria është, në të vërtetë, zemra e shenjtërisë në të cilën janë të thirrur të gjithë besimtarët: e zbrazur në zemrat tona nga Ati, përmes Birit Jezus, ky virtyt «rregullon të gjitha mjetet e shenjtërimit, u jep atyre formë dhe i çon drejt qëllimit të tyre» (LG, 42). Shkalla më e lartë e shenjtërisë, ashtu si në zanafillën e Kishës, është martirizimi, «dëshmia më e lartë e fesë dhe e dashurisë» (LG, 50): për këtë arsye, teksti konciliar mëson se çdo besimtar duhet të jetë i gatshëm që ta dëshmojë Krishtin deri në derdhjen e gjakut (krh. LG, 42), siç ka ndodhur gjithmonë dhe ndodh edhe sot. Kjo gatishmëri për dëshmi bëhet e njëmendtë sa herë që të krishterët lënë gjurmë feje dhe dashurie në shoqëri, duke u angazhuar për drejtësinë.

Të gjitha Sakramentet, në mënyrë të veçantë Eukaristia, janë ushqim që bën të rritet një jetë e shenjtë, duke e bërë çdo person të përngjashëm me Krishtin, model dhe masë e shenjtërisë. Ai e shenjtëron Kishën, së cilës i është Krye dhe Bari: shenjtëria është, në këtë këndvështrim, dhuratë e tij, e cila shfaqet në jetën tonë të përditshme sa herë që e pranojmë me gëzim dhe i përgjigjemi me përkushtim. Lidhur me këtë gjë, Shën Pali VI, në Audiencën e përgjithshme të 20 tetorit 1965, kujtonte se Kisha, për të qenë autentike, dëshiron që të gjithë të pagëzuarit të jenë «të shenjtë, domethënë bij të saj me të vërtetë të denjë, të fortë e besnikë». Kjo realizohet si një shndërrim i brendshëm, përmes të cilit jeta e çdo personi bëhet e përngjashme me Krishtin për virtyt të Shpirtit Shenjt (krh. Rom 8,29; LG, 40).

Lumen gentium e përshkruan shenjtërinë e Kishës Katolike si një tipar konstitutiv të saj, që duhet pranuar në fe, pasi ajo besohet «e shenjtë në mënyrë të padështueshme» (LG, 39): kjo nuk do të thotë se ajo është e tillë në mënyrë të plotë e të përsosur, por se është e thirrur që ta konfirmojë këtë dhuratë hyjnore gjatë shtegtimit të saj drejt synimit të amshuar, duke ecur «mes përndjekjeve të botës dhe ngushëllimeve të Hyjit» (Shën Augustini, De civ. Dei 51,2; LG, 8). Realiteti i trishtueshëm i mëkatit në Kishë, domethënë në të gjithë ne, e fton secilin që të bëjë një ndryshim serioz jete, duke iu besuar Zotit, i cili na ripërtërin në dashuri. Pikërisht ky hir i pafund, që e shenjtëron Kishën, na dorëzon një mision për ta përmbushur ditë pas dite: atë të kthimit tonë. Prandaj shenjtëria nuk ka vetëm natyrë praktike, sikur të mund të reduktohej në një angazhim etik, sado i madh të jetë ai, por ka të bëjë me vetë thelbin e jetës së krishterë, personale dhe bashkësiore.

Në këtë këndvështrim, një rol vendimtar luan jeta rregulltare, për të cilën Kushtetuta konciliare flet në kapitullin e gjashtë (krh. nr. 43-47). Në popullin e shenjtë të Hyjit ajo përbën një shenjë profetike të botës së re, të përjetuar këtu e tani në histori. Njëmend, këshillat ungjillore, shenja të Mbretërisë së Hyjit, tashmë e pranishme në misterin e Kishës, i japin formë çdo përvoje të jetës rregulltare: varfëria, dëlirësia dhe dëgjesa. Këto tri virtyte nuk janë urdhëresa që e prangosin lirinë, por dhurata liruese të Shpirtit Shenjt, përmes të cilave disa besimtarë i kushtohen tërësisht Hyjit. Varfëria shpreh besimin e plotë ndaj Provanisë, duke e çliruar njeriun nga përllogaritja dhe interesi vetjak; dëgjesa ka për model dhurimin e vetvetes që Krishti bëri ndaj Atit, duke e çliruar njeriun nga dyshimi dhe nga mbisundimi; dëlirësia është dhurimi i një zemre të plotë e të pastër në dashuri, në shërbim të Hyjit e të Kishës.

Duke u përngjashmuar me këtë stil jete, rregulltarët dëshmojnë thirrjen e gjithmbarshme në shenjtëri të mbarë Kishës, në formën e një ndjekjeje rrënjësore. Këshillat ungjillore dëftojnë pjesëmarrjen e plotë në jetën e Krishtit, deri në Kryq: është pikërisht nga flija e të Kryqëzuarit që të gjithë ne shëlbohemi dhe shenjtërohemi! Duke soditur këtë ngjarje, dimë se nuk ka përvojë njerëzore që Hyji të mos e shëlbojë: madje edhe vuajtja, e jetuar në bashkim me mundimin e Zotërisë, bëhet udhë shenjtërie. Hiri që e kthen dhe e shndërron jetën na forcon kështu në çdo provë, duke na treguar si cak jo një ideal të largët, por takimin me Hyjin, që u bë njeri për dashuri. Virgjëra Mari, Nëna krejt e shenjtë e Fjalës së mishëruar, e mbështettë dhe e mbrojtë gjithmonë ecjen tonë.

APEL

Pas këtyre orëve të fundit me tension të madh për Lindjen e Mesme dhe për mbarë botën, e mirëpres me kënaqësi dhe si shenjë të një shprese të gjallë njoftimin për një armëpushim të menjëhershëm dyjavor. Vetëm përmes kthimit në negociata mund të arrihet fundi i luftës.
Nxis që kjo kohë e punës së ndjeshme diplomatike të shoqërohet me lutje, duke shpresuar që gatishmëria për dialog të bëhet mjeti për të zgjidhur edhe situata të tjera konflikti në botë.
E ripërtërij për të gjithë ftesën që të bashkohen me mua në Vigjiljen e lutjes për paqen, që do ta kremtojmë këtu në Bazilikën e Shën Pjetrit të shtunën, më 11 prill.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme