Arqipeshkvi Angelo Massafra lajmëron kalimin në amshim të Dom Gjergj Simonit, meshtar i kësaj Arqidioqeze Shkodër-Pult, ditën e sotme, më 28 janar 2022, dhe i fton të gjithë besimtarët që të luten për shpirtin e tij të bekuar dhe të marrin pjesën në Ritin e Salikimit, që do të mbahet nesër, më 29 janar 2022, ora 11.00, pranë kishës Katedrale të Shën Shtjefnit në Shkodër.
Deri në momentin e Ritit të Varrimit trupi i Dom Gjergj Simonit do të qëndrojë për nderim në Sallën “Mikel Koliqi”, që ndodhet pranë Famullisë “Zoja e Shkodrës”.
Falënderojmë Zotin për dhuratën që i ka bërë Kishës së Hyjit që është në Shqipëri për këtë vëlla meshtar, për besnikërinë e tij, për zellin e tij meshtarak dhe për dëshminë e jetës së tij ofruar Hyjit dhe Kishës.
Curriculum vitæ e Dom Gjergj Simonit:
Dom Gjergj Simoni, ka lindur në Shkodër më 08.12.1933, në një familje qytetare shkodrane. I rritur në një mjedis katolik e me prindër të devotshëm fetarë. Që në moshë të vogël, ka pasur thirrje të brendshme për t’ju kushtuar Zotit, e cila me kalimin e viteve ka ardhur duke u shtuar pa pasur asnjë lëkundje.
Duke qenë se Kisha Katolike në Shqipëri pësoi përsekutime që në ditët e para të ardhjes së komunizmit, me mbylljen e seminarit, nxjerrjen e motrave prej kuvendeve, arrestimin e pothuajse e të gjithë meshtarëve dhe pushkatimin e shumë prej tyre, i bëri studimet për meshtar në mënyrë të fshehtë. Gjatë viteve të mëvonshme ka punuar punë të ndryshme si nëpunës, por në të shumtën e viteve si punëtor krahu deri në gushtin e vitit 1976, kur u arrestua nga forcat e Sigurimit.
Natën e Pashkëve të vitit 1977 doli në gjyq dhe u dënua me akuzën e të ashtëquajtur “agjitacion i mbyllur” dhe në pretence Prokurori e dënoi me 10 vjet burg. Arsyeja e dënimit ishte se në oborrin e shtëpisë së tij kishte groposur librat më të zgjedhur të Arqipeshkëvisë dhe objekte të Shenjta marrë fshehtas para se të mbylleshin kishat. Po ashtu, në dhe kishte futur edhe shkrimet e vëllait të tij, Imzot Zef Simoni. Githashtu ka fshehur nën dhe edhe dorëshkrimet e Padër Mark Harapi S.J., të Padër Benedikt Dema, si dhe qindra vjersha dhe poezi të shkruara gjatë viteve prej tij. Midis tyre dallohet poema satirike me titull “Letra e Luciferrit drejtuar popullit Shqiptar”, ku në fund ka vendosur shenimin: Luçiferri = Enver Hoxha.
Në vitin 1985 është liruar nga burgu, pas kalvarit që e shoqëroi në tre kampe burgu; Ballsh, Qafë e Barit dhe Spaç. Mbas muajve të lirimit ka hyrë në punë si punëtor dhe ka punuar kështu deri në muajt e para të vitit 1991. Me riardhjen e lirisë së fesë në Shqipëri, më 21 prill 1991 është shuguruar meshtar nga Imzot Nikoll Troshani. Për një vit ka shërbyer në qytetin e Shkodrës dhe është emëruar famullitar i Dajçit të Bregut të Bunës dhe administrator i famullisë së Pentarit në shtatorin e 1992. Eshtë meshtar i parë i shuguruar mbas mbylljes së kishave. Përveç shërbimeve fetare të përditshme, është marrë edhe me sistemimin vëllimeve me poezi gjithashtu ka shkruar tregime të shkurtra me kujtime nga koha në burg.