8.5 C
Tirana
HomeEditorialHyji i gjithëpushtetshëm – krijues i çdo gjëje
HomeEditorialHyji i gjithëpushtetshëm – krijues i çdo gjëje

Hyji i gjithëpushtetshëm – krijues i çdo gjëje

Nga Anton Nikë Berisha

Pjesa 2

Psalmet i kushtohen Hyjit, krijuesit të botës, prej të cilit varët gjithçka. Mënyrat që njeriu i drejtohet atij dhe komunikon me të janë të shumta dhe të ndryshme për arsye se Hyji është i Tejlarti dhe i Gjithëpushtetshmi.

Toka është e Hyjit dhe gjithçka që ajo përmban:

bota me banorët e saj.

Ai është që e përfitoi atë mbi detet

dhe e vendosi mbi lumenjtë (Ps 24, 1- 2).

Se Fjala e Hyjit bën bazën e Librit të Psalmeve dëshmohet thuajse në çdo psalm: njeriu ndien nevojën të jetë afër Hyjit, në çdo rrethanë jete dhe veprimi, sidomos kur ndodhet në vështirësi dhe ka nevojë për ndihmën dhe hirin e Tij:

 po në ligjin e Hyjit e gjen gëzimin e vet,

ditë e natë e përsiat ligjin e tij (Ps 1, 2).

Hyji është drita dhe shpëtimi im:

nga kush do të kem drojë?

Hyji është mbrojtja e jetës sime (Ps 27, 1).

nga froni ku qëndron

i vështron të gjithë banorët e tokës,

ai që e ka ngjizur zemrën e secilit

i kupton të gjitha veprat (Ps 33, 14 – 15).

Ligji i Hyjit në Psalme dëshmohet si ligj i dashurisë dhe i përdëllimit, të cilin Ai e zbaton për krijesat e veta në jetën konkrete dhe në jetën hyjnore. Kush mbështetet në Të bëhet i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij Ligji. Ky afrim kushtëzon që Hyji dhe njeriu të njësohen, të jenë të njëri – tjetrit. Në këtë mënyrë Ai bëhet strehë, shkëmb dhe lirimtar i njeriut.

E mira ime është të rri pranë Hyjit;

në Zotin tim unë e kam strehimin

për t’i rrëfyer të gjitha veprat e tua (Ps 73,28).

I kam thënë Hyjit: “Hyji im je ti,

vetëm në ty është e mira ime” (Ps 16, 2).

Të dua, o Hyj, fuqia ime,

Hyj, shkëmbi im, kështjella ime, lirimtari im,

Hyji im, shkrepi im në të cilin unë strehohem,

mburoja ime, shpëtimtari im i fuqishëm dhe ledhi im

(Ps 18, 2 – 3).

Dashurinë ndaj Hyjit psalmtari e shpreh nëpërmjet lutjes, himnit, lavdit, këngës. Kjo ngjet për arsye se madhëria e Hyjit është e pafund dhe e amshuar: “Detyra të lavdërohet dhe të bekohet Hyji nuk është asnjëherë e përfunduar, për arsye se është fjala e fillimit dhe e fundit[1]”.

Do ta falënderoj Hyjin me gjithë zemër

do t’i shpall të gjitha mrekullitë e tua.

Do të gëzohem e do të lartësohem në ty,

do t’i këndoj himne emrit tënd, o i Tejlartë. (Ps 9, 2 – 3)

Shtatë herë në ditë unë të lavdoj,

për gjykimet e tua të drejta (Ps 119, 164).

O Hyj, mbreti im, dua të të lartësoj

e ta bekoj emrin tënd në amshim dhe përgjithmonë […]

Hyji është i madh dhe i denjë për çdo lavd;

madhëria e tij është e pafund. Ps 145, 1. 3).

Dashuria për Hyjin në Psalme dëshmohet në një përmasë sa të gjerë aq dhe të thellë; ajo është përcaktuesja kryesore e marrëdhënieve midis Hyjit dhe njeriut; është shpëtim dhe ngushëllim i secilit:

Dashuria jote është e madhe deri në qiell,

deri tek retë besnikëria jote. (Ps 57, 11)

Hyji im më paraprin me dashurinë e tij; Ps 59, 11

Meqenëse dashuria jote vlen më shumë se jeta, Ps 63, 4

 Për të përligjur dashurinë përballë dashurisë së pakufishme të Hyjit njeriu do t’i këndojë atij lavde dhe himne gjatë gjithë jetës së tij.

Dua t’i këndoj Hyjit derisa të jetoj,

t’i këndoj himne Zotit tim derisa të kem frymë. Ps 104, 33

sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës,

këndoni himne me mjeshtëri (me art). Ps 47, 8

Fjala jote është llambë për hapat e mi,

dritë në udhën time. Ps 119, 105

Në një varg psalmesh shqiptohen gjendje të rënda, pësime, fatkeqësi, të mjerimit të jetës dhe të sjelljes së shëmtuar të njeriut. Ai ka humbur cilësitë dhe virtytet dhe i bën dëm tjetrit; është shndërruar në një shkatërrues të tjetrit dhe të vetvetes.

Të gjithë janë prishur, të gjithë janë shthurur,

s’ka asnjë të vetëm që vepron mirë (Ps 14, 3)

Lë të kthehen të këqijtë në skëterrë (Ps 9, 18).

Prush, zjarr e squfur do të bjerë mbi të këqijtë

erë e përzjarrtë do ta caktojë fatin e tyre (Ps 11, 6).

të gjithë eshtrat e mi më janë shpërbërë (Ps 22, 15).

do të më galdohen eshtrat që i ke dërrmuar (Ps 51, 10).

Gjithë vlera e Psalmeve dëshmohet në lutjen e tyre, në kërkimin e gëzimit e të mirësisë të besimit në Hyjin për të siguruar parajsën; në kërkimin e mëshirës së Hyjit, jo në pasurinë materiale, siç thuhet: “Deri kur, ju njerëz, do ta shkelni nderin tim, / t’i duani gjërat e kota e ta kërkoni gënjeshtrën?” (Ps 4, 5)dhe “Largoji sytë e mi nga shikimi i gjërave të kota, / më bëj të jetoj në rrugën tënde” (Ps 119, 37).

Në Psalme shprehet nderim i madh ndaj lavdit dhe këngës kushtuar Hyjit, ndaj krijimit të këngës së re, dëshmi e dashurisë për Të.

Këndoni Hyjit një këngë të re,

bini çestrës me mjeshtëri dhe duartrokitni (Ps 33, 3).

Më ka vënë në gojë një këngë të re,

një lavdërim për Hyjin tonë (Ps 40, 4).

O Hyj, do të të këndoj një këngë të re,

ty do të himnizoj me harpën me dhjetë tela. (Ps 144, 9).

Dukuria tjetër, mjaft e pranishme në Psalme, është mëkati dhe pasojat e tij. Aq sa mëkati është i dëmshëm dhe me pasoja për jetën e njeriut, po aq është e qenësishme pendesa ndaj Hyjit, përkatësisht kërkimi i faljes. Pendesë domethënë vetëdijesim për mëkatin e bërë dhe kthimi te Fjala e Hyjit; Ai në çdo rrethanë e dëshmon dashurinë ndaj krijesës së vet dhe është i mëshirshëm për të.

Vetëm Hyji është në gjendje t’ia falë mëkatet njeriut dhe ta shpjerë në rrugën e drejtë; Ai është i vetmi, ku qenia njerëzore duhet të mbështesë shpresën dhe jetën. Ata që pendohen për gabimet e bëra, mëshirohen nga Hyji dhe përsëri përjetojnë paqen shpirtërore dhe vijojnë jetën e denjë. Të shlyerit e mëkatit është ringjallje e jetës së personit.

Frikësohuni dhe mos mëkatoni më,

në shtratin tuaj, në heshtje, zemrën shestoni (Ps 4, 5).

Lum njeriu të cilit i është shlyer faji

dhe i është falur mëkati (Ps 32, 1).

O Hyj, ke mëshirë për mua në dashurinë tënde;

në përdëllimin tënd të madh,

shlyeje gabimin tim.

Më laj krejtësisht nga faji im,

nga mëkati im më pastro.

Po, unë i pranoj paudhësitë e mia,

mëkati im përherë më rri përpara. (Ps 51, 3 – 5).

Në zemrën time e ruaj premtimin tënd

që të mos mëkatnoj kundër teje (Ps 119, 11).

Nevoja e përballimit të vështirësive dhe e vuajtjeve në jetë, domosdoja e shpresës, e ngushëllimit shpirtëror të përhershëm, përligjet thellësisht në tekstet e Psalmeve. Është vështirë të gjesh një psalm në të cilin në një mënyrë ose në një tjetër nuk shqiptohet dashuria ndaj Hyjit, pendimi dhe kërkimi i faljes së mëkatit dhe kërkimi i mëshirës nga i Tejlarti.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme