22.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Shkodër-PultHomelia për 25 Vjetorin e Shugurimit Ipeshkvnor të Imzot Angelo Massafra
HomeArqidioqeza Shkodër-PultHomelia për 25 Vjetorin e Shugurimit Ipeshkvnor të Imzot Angelo Massafra

Homelia për 25 Vjetorin e Shugurimit Ipeshkvnor të Imzot Angelo Massafra

Shumë të dashur vëllezër në ipeshkvni,

meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare,

të dashur Vëllezër dhe motra,

sot kremtojmë misterin e ujit dhe të Shpirtit përmes të cilit, në përngjasim me Krishtin, të gjithë ne bëmë daljen tonë pashkore, kaluam ujërat (shkak vdekjeje për mëkatin, por burim jete për shpëtimin) dhe dolëm në hir. Kështu na tha Shën Pali: “Vërtet u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve” (Tit 2,11).

Fjala që na jep hir, që na liron nga dënimi i merituar për fajet tona, është ai Jezus të cilin e soditëm vetëm pak ditë më parë në misterin e lindjes së tij, me të cilin u bashkuam nëpërmjet pjesëmarrjes në sakramente dhe në të cilin sot sodisim rilindjen tonë.

Ai i pari, së bashku me krejt Trininë e Shenjtë, zbret në ujërat e Jordanit për të kryer ritin e pastrimit dhe, në këtë mënyrë, për t’u solidarizuar me gjininë njerëzore, me atë natyrë që ka dashur të marrë për ta bërë krejt të re atë dhe për t’i rikthyer pafajësinë e saj fillestare; solidaritet që, menjëherë pas kësaj, do ta përtërijë duke e lënë veten që të shkojë në shkretëtirë për t’u tunduar nga i Keqi dhe për të dalë fitimtar ndaj tij.

Pra, ashtu siç thotë edhe Gjon Pagëzuesi, Ai që ka fuqinë të pagëzojë me Shpirtin Shenjt dhe me zjarr, rijeton në vetvete ngjarjet pashkore të popullit të lashtë të Izraelit, në pritje për të bërë Pashkën e fundit, atë të kalimit nga vdekja në jetë me ngjarjet e të Premtes së Madhe dhe të Ngjalljes. Ai, solidar me ne, bën të mundur që të jemi solidar me Të dhe të marrim pjesë në hirin që na ka dhuruar, duke anuluar dokumentin e shkruar për dënimin tonë.

Duke zbritur në lumin Jordan jo vetëm që i shenjtëron ujërat që do të bëhen për ne shenja sakramentale e pjesëmarrjes sonë në Pashkën e tij, por na paraqitet edhe si Profet që sjell mesazhin e shpëtimit: Shpirti e shuguron duke zbritur mbi të në formën e një pëllumbi; si Meshtar, sepse është i vetmi flijim i pranuar prej Atit; si Mbret-MesiShpëtimtar i vërtetuar nga zëri i Atit: “Ti je biri im!” (Ps 2,7).

Janë ato karakteristika që, nëpërmjet pjesëmarrjes, i morëm edhe ne ditën e pagëzimit, të cilat duhet t’i kemi fort për zemër, sepse na bëjnë të ngjashëm me Krishtin. Sidomos në këtë kohë në të cilën po jetojmë Sinodin, është shumë e përshtatshme që të rivlerësohet kjo pjesëmarrje pagëzimi në Misterin e Krishtit, duke zhvilluar gjithnjë e më shumë në Kishën tonë ato karizma dhe mbarështime të dobishme për jetën kishtare. Këto janë karakteristika që, në mënyrë sakramentale, janë përtërirë në shugurimin meshtarak dhe ipeshkvnor, në mënyrë që mbarështuesi i shuguruar të veprojë “in persona Christi”, domethënë ta bëjë Krishtin vërtet të pranishëm. Dhe kjo, në mënyrë të veçantë, është e vërtetë për Ipeshkvin që vepron në personin e Krishtit kur jep mësim, kur drejton dhe kur shenjtëron popullin e Hyjit që i është besuar kujdesit të tij baritor.

Ditën e Dëftimit të Hyjit pata gëzimin që ta përkujtoj 25-vjetorin tim të shugurimit ipeshkvnor duke kremtuar në Vatikan së bashku me Papa Françeskun, aty ku u shugurova nga Shën Gjon Pali II, i cili ia besoi mbarështimin tim Shpirtit Shenjt, pikërisht në atë vit të vështirë për historinë e Shqipërisë. Sot gëzimi im përtërihet prej mundësisë që ta bëj përsëri këtu, i rrethuar nga vëllezërit e mi në ipeshkvnì, nga meshtarët, nga anëtarët e instituteve rregulltare dhe nga të gjithë ju, të dashur vëllezër dhe motra, që merrni pjesë në këtë Eukaristi falënderimi.

Falënderoj Zotin për praninë tuaj dhe për këto 25 vite mbarështimi ipeshkvnor jetuar në dimensionin misionar. Dua të kujtoj këtë aspekt misionar që e ka karakterizuar gjithmonë shërbimin tim. Nuk është thjesht një fjalë, por diçka reale, sepse e kam jetuar në një kontekst në të cilin ishte e nevojshme që Krishti të rikthehej në këtë tokë që i ishte hequr me dhunë. I jam mirënjohës Zotit që më ka zgjedhur për këtë detyrë dhe më ka lejuar që të shoh përparimet në fe që janë bërë gjatë këtyre viteve, si dhe realizimin e atyre strukturave kishtare të nevojshme për jetën e Kishës dhe për shugurimin meshtarak e ipeshkvnor të shumë bijve të kësaj toke.

Në këto 25 vjet jam kujdesur jo vetëm për këtë Kishë të veçantë, por edhe për Kishën universale dhe atë evropiane, duke kryer detyrat që Ati i Shenjtë m’i ka besuar herë pas here dhe që unë i kam pranuar me një shpirt dëgjese. Edhe për këto përvoja pasuruese falënderoj Zotin.

Me siguri ka ende shumë për të ecur: udhëtimi do të përfundojë vetëm në fund të kohëve! Ne jemi vetëm shërbëtorë, vegla në dorë të hirit të Hyjit për të mirën e bijve të tij; me të gjitha kufizimet tona, e megjithatë të mbushur me Shpirtin Shenjt për ta përfaqësuar Krishtin e gjallë te bashkëkohësit tanë. Prandaj, në mënyrë të pashmangshme, do të ketë pasur edhe mangësi nga ana ime për të cilat i kërkoj falje Hyjit dhe të gjithëve ju; por jam i sigurt se Ai dhe ju do të tregoheni dashamirës me mua në lidhje me këtë gjë.

Shfrytëzoj këtë rast në të cilin përkujtojmë Pagëzimin tonë dhe shugurimin tim ipeshkvnor për t’i falënderuar të gjithë ata që bashkëpunuan me mua në mbarështim: meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, dhe besimtarët e Dioqezave në të cilat kalova, edhe pse vetëm për pak kohë (Rrëshen, Lezhë, Sapë). Përfitoj gjithashtu nga ky rast për të nxitur fuqishëm një fe të gjallë në Krishtin Shpëtimtar.

Krishti qoftë zemra e jetës sonë personale: t’ia mundësojmë zemrës sonë që të rrahë

në sinkron me zemrën e Krishtit!

Krishti qoftë qendra e jetës së bashkësive tona të krishtera: gjithçka filloftë prej Tij

dhe gjithçka në të gjeftë plotësi!

Krishti qoftë modeli i dashurisë për familjet e krishtera: çdo marrëdhënie u bazoftë

në dhurimin total të vetes, ashtu siç bëri Jezusi!

Krishti qoftë miku i besuar i fëmijëve dhe i të rinjve: u rritshin së bashku me Jezusin

në moshë, urti dhe hir përpara Hyjit dhe përpara njerëzve!

Krishti qoftë mbështetja e të rriturve dhe e të moshuarve: me Ungjillin e Tij në dorë,

ditshin ta drejtojnë mirë jetën e tyre, duke u bërë protagonistë me ndjenjë përgjegjësie ndaj

shoqërisë dhe brezave të rinj, duke vënë në jetë atë pakt edukativ për të cilin na nxit Papa

Françesku!

Krishti qoftë ngushëllimi i të sëmurëve dhe i të vuajturve: ditshin ta ofrojnë

dhimbjen e tyre duke e bashkuar atë me Mundimet e Krishtit për të mirën e Kishës dhe të

botës.

Zoti Jezus, i dashur në këtë mënyrë dhe i vënë në qendër të gjithçkaje, qoftë garancia e një jete të mirë e të shenjtë për të gjithë të pagëzuarit, burim thirrjesh të reja në meshtari, jetë të kushtuar dhe në mision; dhe kështu Kisha katolike në Shqipërinë tonë u bëftë gjithnjë e më shumë “kripa e tokës dhe drita e botës”.

Të dashur, i sigurt që do të vazhdoni të luteni për mua, ia besoj pjesën tjetër të misionit tim ipeshkvnor dhe të gjithë ju dashamirësisë së Trinisë së Shenjtë, nëpërmjet ndërmjetësisë së fuqishme të Nënës së Këshillit të Mirë, të Shën Nënës Tereze të Kalkutes dhe të Martirëve tanë të lumë.

Qoftë levduar Jezu Krishti!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme