16.5 C
Tirana
HomePërshpirtëriHermeneutika e Shkrimit të shenjtë në veprën e Pjetër Bogdanit: “Çeta e...
HomePërshpirtëriHermeneutika e Shkrimit të shenjtë në veprën e Pjetër Bogdanit: “Çeta e...

Hermeneutika e Shkrimit të shenjtë në veprën e Pjetër Bogdanit: “Çeta e profetëve” (1/2)

Nga Don Robert Kola

Hermeneutika e Shkrimit të shenjtë (Pjesa 1-rë)

Kur flasim për hermeneutikën e Shkrimit të shenjtë, qoftë edhe në një vepër, siç është: “Cuneus Prophetarum,”[1]  e cila mund të mbahet si një doracak i thjeshtë karshi hermeneutikës në traditën e Kishës, por që për kulturën tonë përbën një sofër të madhe, e cila ende mbetët dhe është e panjohur dhe e pa shqyrtuar mirëfilli, qoftë nga aspekti diakronik, qoftë nga aspekti sinkronik i saj dhe ballafaqimi me hermeneutikën biblike, kërkon njohje në imtësi i gjithë atyre prurjeve që përgjatë shekujve u trajtuan dhe trajtoj edhe hermeneutikën biblike sidomos të Mesjetës, në vazhdën e të cilës shtrihet edhe vepra “Cuneus Prophetarum.”

Mjafton t’i hedhim një shikim hermeneutikës biblike dhe mund të hetojmë, se si ajo ngjason me oqeane brenda oqeaneve, ku çdo libër që përmban Shkrimi i shenjtë, kërkon edhe qasjen e duhur hermeneutike, duke filluar nga Libri i Zanafillës, i cili fillon me rrëfimin e krijimit: “Le të bëhet drita,” dhe mbaron me librin e Apokalipsës: me “Dasmën e Qengjit,  “ku shfaqet toka e re dhe qielli i ri”, dhe ku qyteti që zbriste nga qielli (polis): “s’ka nevojë as për diell as për hëne për t’u ndriçuar, sepse ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji.” (Zb 21, 23)

Hermeneutika biblike pra, përfshin zanafillën e krijimit dhe përmbushjen e saj eskatologjike. Pohimi se Hyji krijoi botën përmes Fjalës është “prologu i saj, ndërsa, pohimi se krijimi është dhuratë e agapesë Hyjnore, do të jetë epilogu i saj.”[2]

Këto janë caqet e hermeneutikës së Shkrimit të shenjtë, ku: “Krijimi është parathënia e rrëfimit të historisë: historia është hapësira e sprovës së premtimeve të krijimit që përkryhet në eskatologji.”[3]

Duke mbajtur parasysh këto caqe të hermeneutikës biblike, lypset gjithashtu të mbahet parasysh edhe një kriter i domosdoshëm i hermeneutikës biblike, i cili shquhet në vetë jetën e Kishës. P. Bogdani rreth këtij kriteri sjell një nga qëndrimet me origjinale që mund të hasim në traditën e hermeneutikës biblike, kur rreth saj, thotë: “Perse të neveritunitë (herezia) nukë asht tjetër veçë nji të dam o të larguem se Shkruemit Shejt.” (Scal. II. Lig. IV, 6.)

Kur flitet për hermeneutikën e Shkrimit të shenjtë në traditën e Kishës, kriteri themelor i hermeneutikës biblike, siç bënë të ditur edhe Nxitja apostolike: “Verbum Domini,” është jeta e Kishës. Ky pohim nuk e paraqet referimin kishtar si një kriter të jashtëm të cilit ekzegjetët duhet t’i binden, por kërkohet nga vetë realiteti i Shkrimeve dhe nga ajo se si ato janë formuar në kohë. Rreth saj thuhet: “Në të vërtetë ‘traditat e fesë formonin mjedisin jetësor’ në të cilin ka hyrë veprimtaria letrare e autorëve të Shkrimit të shenjtë. Kjo hyrje përfshinte edhe pjesëmarrjen në jetën liturgjike dhe në veprimtarinë e jashtme të bashkësive, në botën e tyre shpirtërore, në kulturën e tyre dhe në peripecitë e fatit të tyre historik. Prandaj interpretimi i Shkrimit të shenjtë, në të njëjtën mënyrë, kërkon pjesëmarrjen e ekzegjetëve në të gjithë jetën dhe në të gjithë fenë e bashkësisë besimtare të kohës se tyre.” (nr. 29)

Argumenti i kësaj temë, duhet të përkufizohet edhe në paraqitjen e hapësirës së Etërve të Kishës, nga buron edhe hermeneutika e Shkrimit të shenjtë, e cila shtrohet dhe ndiqet me aq përkushtim nga vepra e P. Bogdanit.

Mjafton të nisemi nga një tekst i Shën Hipolitit nga Roma, (†237?) i cili kur flet rreth Kishës, pyetej: “Çka është Kisha? Është asambleja e atyre që jetojnë në drejtësi, është rruga e shenjtërve drejtë bashkësisë, është Kopshti shpirtëror i Hyjit i mbjellë në Krishtin, si në Lindje (antole, Dielli që lind, metafora për Krishtin, krhs. Lk 1, 18), ku mbinë çdo lloj bimësie: linja e Patriarkëve, që vdiqën në fillim, veprat e Profetëve, të bërë sipas Ligjit, kori i apostujve, të cilët pranuan urtinë nga Fjala e Amshuar, kori i martirëve, të shpëtuar nga gjaku i Krishtit, kori i Virgjrave të shenjtëruar nga uji, kori i Doktorëve. Rendi i ipeshkvijve dhe i meshtarëve. Të gjitha këta Shenjtër lulëzuan në kraharorin e Kishës dhe fryti i saj nuk mund të thahet. Nëse vjelim frytet e tyre, do të kemi vizionin e saktë të njëmendësisë.” (In Danielem, 1, 17)

P. Bogdani shpalosë në veprën e tij edhe këtë aspekt të rrallë të ekleziologjisë: “Vështi i Tinëzot (Vinea Domini) ende i thonë përse prej Adamit ndjerë mbë ma të mbramit të dërejtë, sa shejtënë ndërshej shejtja Kishë, aqa triskujë o raskallë  ka shtim, posi thotë i S. Gërguri. Përse Zoti ynë shtrydhi venënë e sakramentevet n’soje kur erdh.” (Scal. II. Lig. IV, 11).

Nga kjo pamje buron edhe kuptimi edhe interpretimi  i Shkrimit të shenjtë në traditën e kishës. Teksti i Shën Hipolitit është një shembull i mirë për të hetuar “eksegjezën patristike.” Shën Augustini një qëndrim të tillë e lakoj në një formulim, që i shkonte për dore vetëm atij, kur rreth hermeneutikës së Shkrimit të shenjtë në Kishë, thoshte: “Ecclesiam docuerunt, quod in Ecclesia didicerunt” (Kishës i mësojmë, atë çka mësojmë nga vetë Kisha), (Contra Julianum, 1, 117).

Ky qëndrim përfshihet edhe nga P. Bogdani. Rreth këtij qëndrimi, pohon: “Atynë katër duer t’marrunave vesht të  t’Shkruemit Shejt u përgjegjenë katër dotorët e shëjtes Kishë. S. Hieronimi përgjegjtë historisë. Topologjisë i S. Gërguri. Alegorisë S. Ambrozi. Anagogjisë përgjegjtë S. Augustini. “ (Scal. II. Ligj. I, 11)

Shkollat biblike në antikë

Ndodhë në kulturën teologjike të njohim vetëm dy shkolla kryesore të antikës në botën e krishterë, atë të Aleksandrisë (Filoni i Aleksandrisë: ekzegjeza alegorike) dhe ajo e Antiokisë. E para shquhej për hermeneutikën alegorike, ndërsa e dyta për hermeneutikën realistike.

Bogdani i njihte mirë përvijimin e tyre, sidomos të ekzegjezës alegorike: “Të fëshimit të kërshtenë, qi gjëllijtinë ndë gjyte të Aleksandrisë me të madhe shejtni, kallëzon Filoninji i fortë letërar, se gjithëherë xijnë e vijnë roe të Shkruemitë S. tue marrë vesht porsi duhej me dy vështrime: thojnë se vështrimi i historisë o si kumbon letra së pari ishte porsi mishi qi ka shpirtin e vet, e kyj ishte vështrimi i përshpirçim, i silli gjindej me nji të vum roe fort të kthellë përmbi të Shkruemitë Shejt, gjithë ndrequnë për të mirët tanë të shpirtit, me të mishënuemit e mor të Jezu Krishtit Zotit tinë.” (Scal. II. Ligj. II, 1)

Në traditën e Kishës, kemi shkolla biblike të shtrira në gjithë ekumenën e saj. Po përmend vetëm disa prej tyre, të cilat kanë një ndikim të madh në krijimin e njëmendësisë hermeneutike të Mesjetës, në vazhdën e të cilës qëndron edhe vepra e P. Bogdanit. Kalimthi do cekim vetëm disa prej tyre.

Shkolla në Edesë, quhej dhe shkolla e Persianëve. Në shkollë, katedra e parë ishte “mepasqana,” interpretimi, ku me ndjesi të holla shtroheshin shestimet letrare, historike, kritike. Eksponent të kësaj shkollë ishin RABBULA ipeshkëv i Edesë-s (436) me tendenca monofizite; HIBA (457) me tendenca kalqedoniane dhe PROBA etj. Ky i fundit ngriti grupin që përktheji veprat filozofike greke si: “Isagoge” të Profirit, “Analytikon” dhe “Per hermeneias” të Aristotelit, në gjuhen sirianë.

Shkolla në Nisibi, Kishte për udhëheqës NARSAIN-IN nga Edesa (399-502). Shkolla ishte e organizuar si një monastir, rendi akademik ishte i renditur sipas materies dhe shquhej në rend të parë interpretimi i Shkrimit të shenjtë. Nga rendi i tyre akademik u ndikua edhe krijimi i “Institutiones” nga Kasiodori, që u bënë model për shkollat në mbarë Evropën.

Shkolla e Cezaresë përderisa gjendej i syrgjynosur nga Aleksandria, ORIGJENI, themeloi në Cezare një shkollë tjetër.

Që nga shek. 5, kemi në Gazë shkollën ekzegjetike. Janë dy personazhe që shquhen në këtë shkollë: PROKOPI NGA GAZA (465-528), është i pari i cili shpiki sistemin e “seirai”, apo “hallkat” (“catenae Patrum”, në mesjetë do të njihen si: “Catena aurea”). Këto hallka ishin si një antologji më pjesë të rëndësishme të ekzegjesës antike, që ofronin një lehtësim për lexuesit për të gjurmuar Shkrimin e shenjtë.[4]

Relievi i hermeneutikës biblike në: “Cuneus prophetarum”

Hermeneutika e mesjetës përqendrohet rreth Personit të Krishtit, Fjalës së Amshuar: si “tenens medium in omnibus.” Në Misterin e Mishërimit të Vetes së dytë të Trinisë, përshkohet lëvizja e dyfishtë e asaj “influxus” apo “exitus,” që vjen prej Hyjit, si plotësi e gjithë asaj që ekziston dhe e kthimit “reductio” apo “reditus” e krijesës në dritën e hirit hyjnor. Falë këtij shkëmbimi përmes misterit të Mishërimit, tejkalohet vështrimi neoplatonian dhe i miteve, ku krijesa takon hyjnoren pa u cunguar njëra as tjetra dhe pa u shkrirë njëra në tjetrën. Në Krishtin këto dy lëvizje përputhen. Ai është ndërmjetësi i Hyjit ndaj krijesës dhe i krijesës ndaj Hyjit. Ai është Sakramenti në mes Hyjit dhe krijesës.

P. Bogdani në interpretimin e Ps 18, duke u nisur nga rr. 6 i këtij psalmi, i cili thotë: ”Nde diellit vu shatorrë të vet,” sjell një interpretim sa të veçantë, po aq edhe domethënës për hermeneutikën e Shkrimit të Shenjtë. Rreth saj thotë: “Zotynë Jezu Krishti, vu ndë kranuer të Virgjinësë korpin e vet, posi ndënji shator […] posi një tjetër dhandërrë shtratit së vet, me u përziem me natyrë të nierit, e me S. Kishë të vet.” (Shkall. III, Ligj. III, 5.

Gjithë hermeneutika e ngritur në traditën kishtare, sidomos ajo përgjatë mesjetës është e vulosur nga kërkimi i Hyjit: “quaerere Deum.” Ky kërkim i Hyjit është i lidhur thellësisht me “sacra pagina” apo “lectio divina.” Shën Jeronimi ofron kuptimin me të thellë që merr në traditën latine leximi i “sacra scriptura” apo “sacra pagina” si “lectio divina.” Rreth saj, thotë: “[…] duke qenë se korpi i Krishtit është buka e vërtetë dhe gjaku i tij pija e vërtetë, e mira e vetme e jetës sonë të tanishme është që të marrim këtë korp të tij dhe gjakun e tij, jo vetëm në misterin e altarit, por edhe në leximin e Shkrimit të Shenjtë.” (In Ecclesiasten 3, 13).”

Njësia e Shkrimit të shenjtë është e përmbledhur përmes Mishërimit të Fjalës. Misteri i Hyjit (mysterion tou theou) që përfshin tërë planin e “oikonomia” së shpëtimit i filluar me krijimin, kulmon në Mishërimin e Fjalës së Amshuar. Tradita e Kishës, pranë shumëllojshmërisë së kuptimeve në Shkrimin e shenjtë, qoftë të atij letrar, alegorik, tropologjik dhe anagogjik, heton një kuptim të vetëm atë “shpirtëror.” Sikundër që kemi një “oikonomi” të vetme të shpëtimit, kemi pra edhe një kuptim të vetëm të Shkrimit të shenjtë. Mjafton të sjellim një shqyrtim nga Origjeni, i cili do të ketë ndikim të madh në hermeneutikën e Shkrimit të shenjtë, në traditën e kishës perëndimore.

Ai duke u nisur nga domethënia që merr në Shkrimin e shenjtë fjala: “Mysterion,” e në traditën latine kjo fjalë do të shquhet edhe përmes fjalës “sacramentum,” heton lidhshmërinë e Shkrimit të shenjtë me Misterin e Mishërimit. Rreth saj, thoshte: “Sikur në Krishtin dallohen dy natyra, ajo njerëzore dhe ajo hyjnore, por të bashkuara dhe të pandara në një Person, ashtu në Bibël, Shpirti Shenjt dhe Shkrimi, përbëjnë fjalën e vetme të Hyjit, e cila na shpie kah kuptimi i vetëm i këtij Misteri. Pra, ashtu siç nuk guxojmë të nënvleftësojmë trupin e Jezu Krishtit, nuk guxojmë të nënvleftësojmë as Shkrimin, që është shprehje fonetike e Shkrimit të shenjtë.”[5]

Tri përmasat e hermeneutikës biblike

Nga ky përvijim i hermeneutikës biblike, shquhen edhe tri përmasat e saja, të cilat i nxori në pah P. Ricouer, në veprën e tij të njohur: “Filozofia dhe gjuha.” Ai përmblodhi në tri përmasa hermeneutikën që filozofia dhe gjuha, duhet t’i kenë parasysh kur flitet rreth interpretimit. “Detyra e parë e gjuhës – thoshte Ricouer – qëndron në hapjen udhëtimit të saj drejt njëmendësisë, për aq sa shkencat e gjuhësisë, gjakojnë të ngadalësojnë nëse edhe jo të shlyejnë lidhjen në mes shenjës (signum) dhe gjësë (res); detyra e dytë, qëndron në rihapjen e udhëtimit të gjuhësisë përballë personit konkret, për aq sa shkencat gjuhësore përligjin në llogari të njeriut si person, sistemet dhe strukturat gjuhësore të shkëputura dhe të pavarura nga personi; dhe në fund, është e domosdoshme të rihapet udhëtimi i gjuhës drejt bashkësisë njerëzore, për aq sa humbja e dimensionit të ndërsubjektivitetit dhe gjuhës, humbet edhe relacioni ndër personal përmes të cilës thuret bashkësia.“[6]

Këtu kemi të ravijëzuara tri përmasat përmes të cilave përvijohet edhe hermeneutika biblike: a.) njëmendësia e krijesë (signum et res), nga buron dhe kuptimi i sakramentit; b). personi, i krijuar në përngjasimin dhe shëmbëlltyrën e Hyjit, ikonë e Hyjit; c) eklesia: bashkësia si relacion nder personal mes vetjeve.

Ja pra, relievi i hermeneutikës së Shkrimit të shenjtë në traditën e krishterë, që ndiqet edhe nga P. Bogdani në veprën: “Cuneus prophetarum.”

“Quarentes Verbum”

Në këtë vazhdë të kërkimit të Hyjit në Shkrimin e shenjtë, qëndron edhe vepra e P. Bogdanit: “Cuneus prophetarum.” Si pikënisje e këtij kërkimi, kemi një tekst që shërben si çelës hermenutik i veprës së tij, kur thotë: “Për gojë të Amos profetësë thotë Zotynë: Ecce dies veniunt, dicit Dominus, et mittam famem in terram: famem non panis, neque sitim aqueae; sed audiendi verbum Domini, et commovebuntur a mari, usque ad mare, et abaquilone usque ad orientem, circuibunt, quarentes verbum Domini, et non invenient. Nje po vinjënë ditt e vjettë (thotë Zotynë) e po dërgonj nji të madhe u përmbi dhet: jo un e bukësë, as eten e ujit, po të fjalësë Tinzot, e kanë me u lëkundunë prej njij deti mbë tjetërit, e prej se dalit e mbë akuilont kanë me u sjellë rreth tue e lypunë fjalën e Tinzot e nuk kanë me gjetunë.  […] Kush nuk e shef si sillemi rreth shekullit, tue votë mbë dyer të huej Quarentes Verbum.” (Të primtë përpa letrarit).[7] Ja amza e veprës së P. Bogdanit: “Quarentes Verbum.

Në Misterin e Mishërimit të Fjalës së amshuar ndodh shkëmbimi i mrekullueshëm në mes Logosit dhe natyrës njerëzore. Në Mishërim hetojmë kenozën e Logosit dhe në Ngjalljen e Tij lartësimin e krijesës, deri në transfigurimin e shkëlqimit të Lavdisë së Hyjit.

Teksti që sjell Bogdani rreth kenozës (zbritjes, uljes, përuljes së Fjalës së amshuar) prek një nga dimensionet thelbësore të kemozës së Fjalës së Hyjit edhe në kulturën burimorë të një populli, që është gjuha. Duke folur për vështirësitë e lakimeve të shprehjeve teologjike në shqip, thotë: “[…] e ku te mos mundemi me petëkue të shqerrë të gjuhësë sanë me mbluem jetën e Jezu Krishtit bekuem, asgjamangu t’lumit qi leu në grasht e dviq mbë kryjt, nukë ka me i ndym mbarre ende arbënisht me u veshunë ndë nji dhe të vobek, çpërblem me gjak të vet të pacmuemit.” (Të primtë përpara letrarit).

Në ngjarjen e transfigurimit dëftohet lartësimi në Lavdinë e Hyjit: “Muer Jezusi (assumpit Jesus) tre mijt e vet apostujtë e i shpu ndë majë të nji mali t’naltë që do me thanë mbë Mal të Taborit. […] Aty pra u ndërrue fëtyerje (transfiguratus), do me thanë se përjashtëshime, e u kthyem ndë nji tjetërë fort ma të shkëlqyeshime, e silla bukuri nukë ju çtue përjashtane porsi  Mojzesit ndëpër shoqni të Tinëzot, po prej përmbrenda prej natyret së vet, e silla dritë ani vote ende përjashtane ndjerë mbë petkat, e u bënë të bardha posi dvora, mu ende të shkëlqyeme, posi thotë S. Luka, të shkëlqyeshime porsi rrezet e diellit. (Shkall. II. Ligj. V. 6)

Në një komentim të denjë për këtë perikopë, T. Fed­erici, thekson: “Para tyre ‘u tejfigurua’, e, në veçanti, përmes shen­jave të një teofanie: Fytyra e tij shndriti si dielli (Ps 35, 10; Zb 1, 14; 10, 1), petkat e tij u bënë të bardhë si bora (Ps 28, 3; 103, 2); është Biri i njeriut në lavdinë e tij (Dan 7, 9). Drita e Fytyrës së Zotërisë është Drita e pambarueme e Hyjit e shfaqur në Fjalën Zot (Gjn 1, 1-5), përkatësisht në natyrën e tij njerëzore, të vdekshme. Kjo për një çast, pranoi lavdinë trinitare, që është eksperienca e ngjalljes, ajo e cila do të ndritët në Krishtin (2Kor 3, 18).”[8]


[1]P. BOGDANI, Cuneus prophetarum, Botimi kritik përgatitur nga Anila Omari, Tiranë 2005.

[2] W. KERN, Interpretazione teologia della fede nella creazione, në: Mysteruim Salutis 4 (1985), f.126.

[3] P. BEAUCHAMP, Salmi notte e giorno, Assisi 2017, f. 213.

[4] J. SEIZ, Die Schule von Gaza, Heidelberg 1892; H. R. NELZ, Die theologischen Schulen der morgenlandischen Kirchen, Boon 1916; E. R. HAYES, L’ecole d’Edesse, Paris 1930; J. B. SEGAL, Edessa, “the Blessed City”, Oxford 1970; A. VÖÖBUS, History of the School of Nisibis, Louvian 1965.

[5] ORIGENE, In Rom. Com, 4, 2, në PG 14, 988. Shih: A. U. von BALTHASAR, Parola e Mistero in Origene, Milano 1972, f. 34-52.

[6] P. RICOUER, Filosofia e linguaggio, Napoli 2004, f. 1t.

[7] P. BOGDANI, Cuneus prophetarum, Botimi kritik përgatitur nga Anila Omari, Tiranë 2005.

[8] T. FEDERICI, Per conocere Lui e la potenza dell Resurrezione di Lui. Per una let­tura teologica del Lezionario ciclo A. Edizione Dehoniane Roma 1989, f. 435.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme