Tre muaj nga Dita Botërore e Rinisë që do të mbahet në Lisbonë nga data 1 deri më 6 gusht, vjen një video-mesazh nga Papa Françesku për të rinjtë që do të nisen për në Portugali. Videoja u regjistrua në Casa Santa Marta nga Imzot Américo Manuel Alves Aguiar, ipeshkvi ndihmës i Lisbonës në audiencën më 27 prill.
Drejt horizontit të Ditës Botërore të Rinisë
Papa i sheh të rinjtë të projektuar drejt këtij takimi, “duke parë gjithmonë atë horizont, atë shpresë”, duke i imagjinuar ata teksa merren me organizimin e udhëtimit, duke zgjidhur çështjet logjistike dhe të zënë me planifikimin e atyre ditëve që do t’i shohin ata larg angazhimeve të tyre të përditshme.
Kisha ka forcën e të rinjve
“Pjesëmarrja në këtë Ditë është një gjë e bukur”, thotë Françesku, i cili i fton të rinjtë të përgatiten me gëzim për këtë ngjarje. “Vendosni shpresën atje, vendoseni atje shpresën – përsërit Papa – sepse rritemi shumë në një ditë si kjo. Nuk e kuptojmë – shton ai – por gjërat mbeten brenda, vlerat që gjejmë aty mbeten brenda, marrëdhëniet që krijojmë me të rinj të tjerë nga vendet e tjera, takimet, gjithçka mbetet brenda dhe mbi të gjitha, të shihet forca e të rinjve. Kisha ka forcën e të rinjve. Kështu që ecni përpara”.
Kërkojuni këshilla gjyshërve
Së fundi, Françesku jep një sugjerim për t’u përgatitur mirë për Ditën Botërore të Rinisë: “Shikoni rrënjët, përpiquni që të takoni të moshuarit”. Dhe i nxit ata që i kanë gjyshërit që të flasin me ta, t’u kërkojnë atyre këshilla se si ta jetojnë këtë takim: “Ata do t’ju japin urti dhe ju ecni gjithmonë përpara”. Papa përfundon duke thënë: “Do ju pres në Lisbonë. Mirupafshim!”.