10.5 C
Tirana
HomeEditorialFoshnja Jezus: Zbulimi i dinjitetit të njeriut
HomeEditorialFoshnja Jezus: Zbulimi i dinjitetit të njeriut

Foshnja Jezus: Zbulimi i dinjitetit të njeriut

Nga Imzot George Frendo O.P

Krishtlindja na zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit, i cili, si tha vetë Jezusi, ka dashur botën aq fortë, sa që ia ka dërguar birin e vet. Por njëkohësisht Krishtlindja na zbulon gjithashtu edhe fytyrën e vërtetë të njeriut. Krishtlindja është festa e njeriut, sepse shpall dinjitetin e vërtetë dhe të pazëvendësueshëm të njeriut, për të cilin Hyji u bë njeri dhe mori mbi vete të gjithë mjerimin tonë. Në liturgjinë e Krishtlindjes lexojmë një shprehje të Shën Leonit të Madh: “Njihe pra o i krishterë, dinjitetin tënd”. Marr guximin ta ndreq këtë shprehje, duke e lexuar kështu: “Njihe pra o njeri, dinjitetin tënd”. Krishtlindja na zbulon dinjitetin e njeriut, të çdo njeriu. Dinjiteti i njeriut zbulohet tek një foshnjë, që është Hyji, i cili kërkon njeriun, duke u bërë vetë njeri e për më tepër një foshnjë, që varet krejtësisht nga të tjerët.,

Luka na paraqet lindjen e Jezusit larg shtëpisë atërore, dhe në rrethana jo të zakonshme, jo vetëm për faktin se ka lindur në një shpellë, por edhe se ka lindur gjatë regjistrimit të popullsisë. Gjatë një regjistrimi njeriu është vetëm një numër, i zhytur dhe i humbur në gjithë masën. Kujt mund t’i binte ndër mend për atë që po ndodhte në shpellën e Betlehemit?

Jezusi lindi gjatë një regjistrimi të popullsisë. Ishte një numër në të gjithë atë masë. Por, nga grazhdi, Jezusi nxorri në pah dinjitetin e çdo njeriu. Dhe lindi në një bashkësi të ngrohtë e bujare, megjithëse e vogël, e përbërë nga dy persona: Maria dhe Jozefi. Maria ësthë Arka, e cili priti brenda vetes, jo rrasat e Ligjit (si Arka e Besëlidhjes së Vjetër), por autorin e Besëlidhjes së Re. Ajo është simboli i të gjithë atyre, që me besim e thjeshtësi e presin Krishtin dhe e mbajnë në zemrën e tyre.

Më tej vijnë barinjtë, të papërfillurit, të cilët me praninë e tyre, vërtetojnë atë lutje të Jezusit: “Të falenderoj o Atë – Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto gjëra të mëdhenjve e të diturve dhe ua zbulove të vegjëlve” (Mt 11, 25). Foshnja Jezus nuk i zbulohet Herodit apo kryepriftërinjve, por u zbulohet barinjve të Betlehemit. Barinjtë lanë pas kopetë e tyre, “thesarin” e tyre të vetëm dhe pranuan ftesën për të takuar Jezusin. Gjithë njerëzimi është i ftuar që t’i lërë “thesaret” e veta, për t’i dalë përpara Jezusit, Hyjit i cili bëri hapin e parë në rrugën e pajtimit me njeriun. Shpella e Betlehemit ishte Kisha e parë ku Jezusi u adhurua në Shpirt dhe në të vërtetë, u adhurua nga njerëz që nuk kishin t’i ofronin gjë tjetër veçse vetvetes.

Duke u bërë bashkëudhëtari ynë, Fjala e Mishëruar na zbuloi dinjitetin tonë. Që nga momenti kur Biri i Hyjit u bashkua me natyrën tonë njerëzore, duke pranuar të gjitha dobësitë tona, njeriu mund të bërtasë me gëzim: “Unë mund ta shoh Zotin!” Vërtetë, unë dhe ti mund ta shohim Zotin, në fytyrën e çdo njeriu. A nuk ishte vetë Jezusi që tha: “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua”?

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme