19.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleFamilja Ulma, një lumnim i paprecedentë
HomeKisha UniversaleFamilja Ulma, një lumnim i paprecedentë

Familja Ulma, një lumnim i paprecedentë

Të shfarosur për arsye të fshehjes së tetë hebrenjve, më 10 shtator 2023 ata do të ngriten në nderet e altarëve. Nga pikëpamja e procedurës aktuale kanonike, kjo gjë është një risi: një familje e tërë do të lumnohet së bashku, prindërit dhe fëmijët, duke përfshirë edhe krijesën e bartur në bark nga nëna. Kardinali Semeraro: «Mendoj, për një rast të ngjashëm, atë të Shenjtërve të pafajshëm».

Familja Ulma ka qenë një copëz drite në vitet e errëta të Luftës së Dytë Botërore, e pra, ishte një familje si gjitha të tjerat: baba Jozefi punonte në ara dhe nënë Viktoria në shtëpi me gjashtë fëmijë për t’u kujdesur dhe një tjetër që do të lindte.

Ungjilli në gjëra të vogla

Nëpërmjet një përditshmërie të thjeshtë, ata jetojnë dhe e bëjnë të gjallë Ungjillin. Edukimi në fe, lutja e përbashkët në familje, leximi i Biblës, e bëjnë familjen Ulma, atë që Gjon Pali II e quajti «Kishë shtëpiake», e hapur edhe për më nevojtarët. Dhe në ato vite, “nevojtarët” ishin veçanërisht hebrenjtë. Familja Ulma u hapi dyert tetë prej tyre, u ofroi një strehim të fshehtë, ushqim dhe miqësi, megjithëse ishin të vetëdijshëm për rrezikun e pamasë.

Një takim i papritur

Mirëpo, për të ditur pak më shumë rreth historisë së familjes Ulma, duhet të kthehemi në ditët e sotme përmes fjalëve të Manuela Tulli-t, gazetare e agjencisë ANSA dhe autore me at’ Paweł Rytel-Andrianik, historian dhe përgjegjës i sektorit polak të Vatican News – Radio Vatikani: «Uccisero anche i Bambini [Vranë edhe fëmijët]. Ulma-t, familja martire që ndihmoi hebrenjtë» (Botimi Ares). E dërguar në Ukrainë për të ndjekur kronikën e kësaj tragjedie në zemër të Evropës, Tulli bën një ndalim në Poloninë juglindore:

«E kam njohur familjen Ulma rastësisht, është një histori që nuk e kam zgjedhur unë, është një histori që më ka zgjedhur mua. Shumë shpesh ne gazetarët nisemi në kërkim të historive. Këtë herë mund të them se ishte e kundërta. Në Poloni shihja kudo figura, vizatime dhe foto të kësaj familjeje të madhe që jetoi më shumë se 80 vjet më parë. Sinqerisht, nuk e dija se kush ishin ata, edhe pse polakët e merrnin për të mirëqenë. Por ata tashmë të jepnin hare vetëm kur i shihje … këta dy prindër kaq të rinj dhe me kaq shumë fëmijë të vegjël. Ndërsa isha atje, mendoja për luftën e sotme dhe atë të djeshme. Për miqësinë e sotme, sepse edhe tani polakët kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për 2 milionë refugjatë. Nuk janë vetëm institutet dhe manastiret që ofrojnë mikpritje. Dhe për miqësinë e djeshme, sesi kjo familje ua hapi dyert e shtëpisë së tyre të varfër, vetëm dy dhoma, tetë vetëve.

Më pas, para se të largohesha, postulatori i lumnimit të Ulma-ve, i cili shpjegonte se çfarë po bënin polakët për ukrainasit, më dha një libër, duke më thënë që t’i kushtoja ca kohë për ta njohur më mirë familjen. E vendosa atë libër në valixhen time dhe u nisa për në Ukrainë. Pastaj, kur u ktheva në Itali dhe Papa vendosi të lumnonte familjen Ulma, atëherë po, më duhej të kuptoja më shumë nga kjo histori».

Samaritanët e Markovës

Duke ripërshkuar fillesat e çështjes Ulma dhe duke u kthyer në Markova, brenda mureve të shtëpisë së tyre, gjejmë në Biblën e familjes – të ruajtur ende – një nënvizim të fjalës “samaritani” dhe, krahas, një shënim me shkrimin “po” . Një zgjedhje e ndërgjegjshme, një thirrje e përqafuar në thjeshtësinë e një jete që qëndroi punëtore dhe harmonike në një periudhë historike ku dhuna, urrejtja dhe përçarja donin të impononin çrregullimin e tyre. Si dëshmi e kësaj jete janë fotot e shumta të bëra nga kryefamiljari Jozef, një fotograf amator, një njeri i talentuar dhe aktiv në komunitetin e Markovës.

Masakra

Më pas, spiunimi, tradhtia dhe nazistët që hyjnë rrëmbimthi në shtëpinë e vogël Ulma duke qëlluar drejt nënçatisë ku ishin të fshehur miqtë hebrenj. Një masakër. Jozefi dhe Viktoria tërhiqen zvarrë jashtë dhe qëllohen në sy të fëmijëve. Ajo ishte shtatzënë prej shtatë muajsh. Pas nënës dhe babait, “ekzekutohen” edhe të vegjlit. Shtëpisë i vihet zjarri. Ishte 24 mars 1944.

Një martirizim hebreo-kristian

At’ Paweł Rytel-Andrianik, historian dhe autor i librit së bashku me Tulli-n, vë në dukje se vrasja e Ulma-ve flet për një martirizim që nuk është vetëm i krishterë:

«At’ François-Marie Léthel, këshilltar i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve, ka shkruar në Osservatore Romano se ishte një martirizim hebreo-kristian. Me këtë pohim ai donte të nënvizonte se ajo që duket qartë është se u vranë njerëz të pafajshëm: familja Ulma dhe tetë hebrenj, mes të cilëve Shaul Goldmann me katër fëmijët e tij, Lea Didner me vajzën e saj pesëvjeçare Reshla dhe Golda Grünfeld.

Kjo histori është shumë prekëse. Kur gjermanët nazistë mbërritën në shtëpinë e familjes Ulma, ata filluan të qëllojnë drejt tavanit ku ishte nënçatia dhe gjaku i viktimave filloi të rridhte nga tavani. Në drejtim me gjakun që pikonte, pikërisht poshtë, ishte tavolina në të cilën ishte vendosur – nuk dihet arsyeja – një fotografi e dy grave hebreje, njëra me yllin e Davidit në krah. Kjo foto është ruajtur edhe sot e kësaj dite si “relike” e martirizimit hebre.

Në këtë tregim, përfundon at’ Rytel-Adrianik, «ne shohim tmerrin e Holokaustit, por edhe dritën e Ungjillit që rrezaton tek ata që donin ta mishëronin në konkretësinë e jetës së përditshme».

Të Drejtët e kombeve dhe të Lumët

E keqja e luftës nuk ka mundur ta fshijë dritën e kësaj ngjarjeje. Të Drejtët e Kombeve për Shtetin e Izraelit, të Lumë për Kishën katolike, Ulma-t janë njohur të gjithë si martirë, madje edhe fëmija i shtatë ende në barkun e Viktorias.

Një lumnim i paprecedentë

Siç shpjegohet nga prefekti i Dikasterit për Çështjen e Shenjtërve, kardinali Marcello Semeraro, në intervistën e sjellë në librin “Uccisero anche i Bambini [Vranë edhe fëmijët]”, në peticionin e paraqitur Atit të Shenjtë është përfshirë edhe krijesa që ishte në barkun e nënës, e cila, me gjasë, filloi të lindte, nga frika, gjatë ekzekutimit të saj prej nazistëve. «Ky është një rast shumë i veçantë – vijon kardinali – që, duke iu referuar një episodi ungjillor, mund ta quajmë Pagëzim gjaku. Mendoj, për një rast të ngjashëm, atë të shenjtërve të pafajshëm. Edhe kjo krijesë, siç u gjet në varrin e përbashkët pas kërdisë (koka dhe një pjesë e trupit kishin dalë nga Viktoria – shënim i redaktorit), u çmua e denjë për të qenë martire».

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme