14.5 C
Tirana
HomeLajmeEpifania, Papa Françesku: të kemi dëshirë për Zotin, ashtu si Mbretërit Dijetarë...
HomeLajmeEpifania, Papa Françesku: të kemi dëshirë për Zotin, ashtu si Mbretërit Dijetarë...

Epifania, Papa Françesku: të kemi dëshirë për Zotin, ashtu si Mbretërit Dijetarë në udhë drejt Betlehemit

Kisha kremton sot Dëftimin e Zotit, pra, ditën në të cilën ai iu paraqit botës përmes dëshmisë së tre personazheve, që nisen nga larg për të mbërritur në shpellën e Betlehemit e për të adhuruar Foshnjën Hyjnore të sapolindur. Në meshën e kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, Papa Françesku reflektoi mbi rrugën e bërë nga Mbretërit Dijetarë dhe i nxiti të gjithë t’i bëjnë vetes pyetje, duke filluar nga shtegtimi drejt Jezu Krishtit, nën drejtimin e yllit. Me Françeskun, bashkëkremtuan 21 kardinaj, 19 ipeshkvij e rreth 150 meshtarë. Ndër ta, edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit, që pikërisht sot, kremton 25-vjetorin e shugurimit të tij ipeshkvnor.

Mbretërit Dijetarë, njerëz me zemër të shqetë

Homelia e Papës u përqendrua në udhëtimin e Mbretërve Dijetarë drejt shpellës së Betlehemit, për të parë e për të adhuruar Foshnjën Hyjnore, udhëtim i çdo besimtari, që ka dëshirë ta njohë Zotin, në çdo kohë e në çdo vend. Çfarë i vuri në lëvizje këta njerëz të Lindjes? – pyeti Ati i Shenjtë. Gjithçka u thoshte të mos lëviznin nga vendi: kishin famë e kulturë, mund të kënaqeshin me pasurinë e tyre shoqërore dhe ekonomike, por dëshira për të gjetur Foshnjën, yllin e të cilit e kishin parë të lindte, siç thuhet në Ungjillin sipas Mateut, ishte më e fortë se çdo rehati tjetër. Lëvizën, të shtyrë nga dëshira, vërejti Papa:

“Të dëshirosh do të thotë ta mbash gjallë zjarrin, që digjet brenda nesh dhe na nxit të kërkojmë përtej së menjëhershmes, përtej së dukshmes. Do të thotë ta mirëpresësh jetën si një mister që shkon përtej nesh, si një dritarëz gjithnjë të hapur, që na fton të shikojmë më tej, sepse jeta nuk është ‘e gjitha këtu’, është edhe ‘diku tjetër’”.

Jemi çka dëshirojmë

Papa e krahasoi dëshirën për Zotin me atë të piktorit të njohur Van Gogh, që dilte për të pikturuar yjet, sepse kishte nevojë për Hyjin, por përmendi edhe shën Augustinin, që thoshte se “jeta është gjimnastika e dëshirës”. Jemi çka dëshirojmë, nënvizoi Françesku:

Sepse janë dëshirat ato, që na e zgjerojnë vështrimin dhe na e shtyjnë jetën përtej: përtej barrierave të zakonit, përtej një jete të sheshuar nga konsumizmi, përtej një feje rutinë e të lodhur, përtej frikës për t’u vënë në lojë, për t’u impenjuar në favor të të tjerëve e të së mirës”.

Kemi harruar të shikojmë lart, kah qielli

Sot, theksoi Ati i Shenjtë, është mirë ta pyesim veten në ç’pikë kemi arritur gjatë udhëtimit tonë të fesë. A jemi bllokuar në një fe të jashtme, formale, që nuk na e ndryshon jetën as ne e as të tjerëve? Papa vuri në dukje trishtimin e atyre bashkësive të krishtera, që tërhiqen rrëshqanë, pa e lejuar Jezu Krishtin t’i shkundë nga apatia.

“Kriza e fesë, në jetën dhe në shoqëritë tona, ka të bëjë edhe me zhdukjen e dëshirës për Zotin. Ka të bëjë me gjumin e shpirtit, me zakonin për t’u kënaqur me ç’sjell dita, pa e pyetur veten çfarë dëshiron Zoti prej nesh. Jemi përkulur pak si tepër mbi hartat e tokës dhe kemi harruar të shikojmë lart kah qielli; ndihemi të ngopur me shumë gjëra, por pa nostalgjinë e gjithçkaje, që na mungon. Jemi fiksuar mbi nevojat, mbi çfarë do të hamë dhe çfarë do të veshim (shih Mt 6,25), duke e lënë të avullojë mallin për gjithçka shkon përtej. E jemi në buliminë e bashkësive, që kanë gjithçka dhe shpesh nuk ndiejnë më asgjë në zemër. Sepse mungesa e dëshirës çon në trishtim dhe indiferencë”.

Shpirti Shenjt sugjeron udhë të reja

Papa Françesku i ftoi besimtarët të marrin shembull nga Mbretërit Dijetarë. Fillimisht, ata nisen sapo shohin yllin, ashtu siç duhet të nisemi ne çdo ditë në kërkim të Zotit, sepse feja nuk është armaturë, që s’të lë të lëvizësh, por udhëtim magjepsës. Pastaj, në Jeruzalem, Mbretërit pyesin ku është Foshnja Hyjnore, ashtu siç duhet të pyesim edhe ne zemrën e ndërgjegjen tonë, sepse shpesh, pikërisht aty na flet Zoti. Kur ndodhen para Herodit, Mbretërit e sfidojnë e, edhe ne kemi nevojë për një fe të guximshme, profetike, që nuk ka frikë ta sfidojë logjikën e errët të pushtetit, duke u bërë farë drejtësie e vëllazërimi në shoqëri. E së fundi, Dijetarët kthehen nga një rrugë tjetër e, edhe ne duhet të përshkojmë gjithnjë udhë të reja, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke iu referuar Sinodit të sapofilluar në Kishë:

“Është krijimtaria e Shpirtit, që bën gjithmonë gjëra të reja. Është edhe një nga detyrat e Sinodit: të ecim së bashku duke dëgjuar, në mënyrë që Shpirti Shenjt të sugjerojë udhë të reja, rrugë për ta çuar Ungjillin në zemrën e atyre, që janë indiferentë, të largët, të atyre që e kanë humbur shpresën, por po kërkojnë atë, që gjetën Mbretërit, ‘një gëzim shumë të madh’ (Mt 2,10)”.

Edhe në netët më të errëta, shndrit ylli i Jezu Krishtit

Por çasti më i rëndësishëm, si për Mbretërit Dijetarë, ashtu edhe për ne sot, është ai i adhurimit të Zotit. Rrugëtimi i fesë, nënvizoi Papa Françesku, merr hov vetëm në praninë e Zotit. Dëshira për ta takuar Hyjin, përtërihet vetëm përmes adhurimit, duke qëndruar para Jezu Krishtit, i vetmi, që i shpëton dëshirat tona nga diktatura e nevojave të përditshme. Sepse zemra e secilit sëmuret, kur dëshirat përkojnë vetëm me nevojat. Para Eukaristisë, Jezusi na shndërron. E Papa e përfundoi homelinë me ftesën:

“Aty do të kemi sigurinë, si Mbretërit Dijetarë, se edhe në netët më të errëta, shkëlqen një yll. Është ylli i Jezu Krishtit, i cili vjen të kujdeset për humanitetin tonë të brishtë. Le të nisemi për udhë drejt Tij. Të mos i japim apatisë dhe dorëzimit pushtetin për të na gozhduar në trishtimin e një jete rutinë. Bota pret nga besimtarët hovin e përtërirë drejt Qiellit. Ashtu si Mbretërit Dijetarë, le ta ngremë kryet, ta dëgjojmë dëshirën e zemrës, ta ndjekim yllin, që Zoti e bën të shdrisë mbi ne. Si kërkimtarë të shqetë, të mbetemi të hapur ndaj surprizave të Zotit. Të ëndërrojmë, të kërkojmë, të adhurojmë”.

(Marrë nga Radio Vatikani)

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme