17.5 C
Tirana
HomeKISH“Ëndrrat që mbartim”/ Ekspozita fotografike e organizuar nga Caritas Shqiptar dhe UNHCR
HomeKISH“Ëndrrat që mbartim”/ Ekspozita fotografike e organizuar nga Caritas Shqiptar dhe UNHCR

“Ëndrrat që mbartim”/ Ekspozita fotografike e organizuar nga Caritas Shqiptar dhe UNHCR

Caritas-i Shqiptar dhe UNHCR në Shqipëri kanë hapur një ekspozitë fotografike me titull “Ëndrrat që mbartim” nga data 8 deri në 10 Nëntor 2021, në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë e cila më pas do të udhëtojë dhe në vende të tjera të Shqipërisë. Ceremonia u mbajt në 8 Nëntor në orën 6 të pasdites me pjesëmarrjen e Zëvendësministrit të Brendshëm, përfaqësues të Policisë së Kufirit dhe Migracionit, drejtuesve të komuniteteve fetare, përfaqësuesve diplomatik, Koordinatores Rezidente dhe krerëve të Agjencive të OKB-së, përfaqësues të Caritas Shqiptar, Caritas Austriak dhe Caritas Italian, familje refugjatësh dhe partnerë mediatikë. Fotografitë e bëra nga Renuar Locaj dhe ekspozita e kuruar nga Oltsen Gripshi, portretizojnë qëndresën dhe aspiratat e njerëzve të detyruar për t’u larguar nga vendet e tyre për shkak të konfliktit, dhunës, dhe persekutimit.

Që prej 2015, vendi ynë është shndërruar në rrugë tranzit për mijëra refugjatë dhe emigrantë të cilët, të detyruar për tu larguar nga vendet e tyre dhe kërkojnë një jetë më të sigurtë. Ata udhëtojnë në grupe, vetëm apo familje. Rrugëtimi nis në vendin e origjinës dhe zgjat shumë në kohë ku një pjesë e rrugës së tyre organizohet edhe nga kontrabandistë dhe duke paguar shuma të mëdha. Një pjesë e tyre ecin me ditë në këmbë, në vende, zona të rrezikshme për jetën e tyre, shumë ndahen nga grupi apo humbasin, të tjerë vdesin rrugës.

Ideja e kësaj ekspozite lindi si nevojë për të sjell tek publiku dhe prezantuar çështjet e migracionit nëpërmjet fotografisë duke përcjellë imazhet, identitetin e këtyre njerëzve, vuajtjet, histori individuale dhe familjare, ashtu të thjeshtë, në të përditshmen, të vuajtur në udhëtimin e tyre, duke u përpjekur t’i japin vlerë asaj çfarë është mbi gjithçka, dëshira për jetën. 

Andi Mahila, zëvendësministër i brendshëm pohoi se qeveria shqiptare do të vazhdojë të punojë për mbrojtjen e refugjatëve. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të refugjatëve dhe azilkërkuesve.

Imzot Angelo Massafra, President i Caritas-it Shqiptar, solli në vëmendje që në misionin e punës tonë bëhet fjalë për ata që për ne janë të panjohur, të padukshëm, të parëndësishëm, bëhet fjalë për më të fundit, të cilët, shpesh herë, vuajnë indiferentizmin tonë global dhe individual, por që në kulturën tonë të krishterë ata janë “të parët”. Për të adresuar realitetin e atyre, ne duhet të zhvillojmë projekte efektive dhe qasje të reja për të mbrojtur dinjitetin e tyre, për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre dhe për të përballuar sfidat që po dalin nga format moderne të neglizhimit, mohimit apo persekutimit. Ai bëri thirrje që kjo ekspozitë, këto imazhe, të na kujtojnë se detyra jonë kryesore është të fokusohemi tek “njeriu”, tek ai që është në udhëtim, tek ai që lufta dhe dhuna i kanë hequr shpresën e jetës por që ne, ashtu si një samaritan i mirë ia mjekojmë plagët e trupit dhe të shpirtit duke e pranuar, por pa harruar të fokusohemi edhe tek “NE” që të mos kemi frikë për takimin me to. Sepse ajo që ne na kërkohet sot është dhembshuria, shërbimi, pranimi për të dëshmuar që humanizmi në këtë shoqëri kaq kaotike ekziston dhe duhet të mbetet si vlerë.

Imzot Angelo Massafra, Presidenti i KISH dhe Caritas Shqiptar

Zëri dhe autoriteti moral i feve dhe organizatave të bazuara në besim është themelor në mbajtjen e debatit rreth flukseve të përziera, të përqendruara në aspektin thelbësor të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut”, deklaroi Pablo Zapata, përfaqësues i UNHCR Shqipëri, në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës.

Imzot Angelo Massafra me Pablo Zapata, përfaqësues i UNHCR Shqipëri

Gjithashtu, një refugjate kongoleze, ndau historinë e saj: “Kam pasur një rrugëtim shumë të vështirë. Unë kurrë nuk kam dashur të largohem nga vendi im. I jam mirënjohëse Shqipërisë që më mundësoi të rifitoj një jetë dinjitoze”, shtoi ajo.

Refugjatja kongoleze gjatë fjalës së saj

Mundësia për të qenë pjesë e një projekti të tillë, padyshim që është një privilegj për çdo artist”, tha gjatë fjalimit të tij Renuar Locaj, artisti i kësaj Ekspozite, përveç se privilegj për mua është dhe një reflektim. Një nga misionet kryesore të fotografisë është që të frymëzojë njerëzit, që të vlerësojnë jetën. Kjo bëhet duke ua tërhequr vëmendjen drejt gjërave që të shumtën e kohës i marrim si të mirëqena, e ndonjëherë edhe të parëndësishme. Neglizhenca kundrejt asaj që vërtet është e rëndësishme në jetë -vijoi Locaj – është diçka të cilës asnjë nga ne nuk mund t’i shmanget. Kjo i ndodh secilit, pra më ka ndodhur edhe mua”.

Hirësia, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetar i Këshillit Ndërfetar Shqipëri, mbajti fjalën përmbyllëse në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës së Fotografisë. Ai u shpreh se: “Në çdo fe, mbrojtja e fëmijëve është shumë e rëndësishme. Dëshira e krijuesit është t’i mbështesë fëmijët në çdo hap, t’i udhëzojë ata drejt rrugës së drejtë.” Ai bëri thirrje për përpjekje kolektive nga të gjitha komunitetet për të trajtuar gjendjen e vështirë të njerëzve që kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Ekspozita e fotografisë pasurohet edhe me sende si; veshje, bastun, këpucë, çantë, të marra me vete nga refugjatët dhe migrantët si kujtim i një kujtese që brenda tyre nuk do të shuhet asnjëherë, por përkundrazi do të mbetet brenda tyre si imazhi që ata identifikojnë të shkuarën e tyre e gjitha kjo e relizuar nën kujdesin e veçantë të kuratorit të ekspozitës Olsen Gripshti i cili e mbylli ceremoninë me poezinë e krijuar në kuadër të kësaj iniciative të Caritas-it Shqiptar.

Për dashuritë dhe shpirtin e braktisur në tokat e lëna pas,

ndaj utopive dhe në ndjekje të ëndrrave,

për dhimbjen në sytë e tyre,

për plagët në shputat e këmbëve,

djegur shkretëtirave të pakufishme,

të etur brigjeve të detit të përshkuar,

atyre që fundin prekën,

për buzëqeshjet e tyre,

dhe atyre që janë ndalur buzë shpresës.

Në të vërtetë në shtëpinë e të gjithëve ne, pasi shtëpia e shqiptarit është e Mikut dhe e Zotit.

Ariela MITRI

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme