16.5 C
Tirana
HomeDioqeza Sapë“DRITA E VËRTETË QË SHNDRIT ÇDO NJERI ERDHI NË BOTË!”
HomeDioqeza Sapë“DRITA E VËRTETË QË SHNDRIT ÇDO NJERI ERDHI NË BOTË!”

“DRITA E VËRTETË QË SHNDRIT ÇDO NJERI ERDHI NË BOTË!”

Mesazhi i Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli me rastin e Krishtlindjes!

Fort të dashur,

Shëlbuesi ynë lindi sot! Le të gëzohemi! Nuk ka vend për trishtim ditën në të cilën lind jeta, një jetë që e shkatërron frikën e vdekjes dhe jep gëzimin e premtimeve të amshuara. Askush nuk është i përjashtuar prej kësaj lumturie sepse Zoti ynë erdhi për shëlbimin e të gjithëve. Prandaj zgjohu, o njeri: për ty Hyji u bë njeri! – Po, Hyji u bë njeri për ty vëlla, për ty motër, për shëlbimin e të gjithëve. Edhe sot, ka zemra të ftohta e të mbyllura për Zotin, dhe nuk e pranojnë Atë në zemrën dhe në jetën e tyre. Prandaj po përsëris: për ty Hyji u bë njeri!

Edhe pse në botë ende shumë njerëz nuk e njohin, Zoti është!

Edhe pse shumë njerëz ende nuk e pranojnë në zemra të veta, Zoti vjen!

Edhe pse në shumë zemra njerëzish vend për Të nuk ka nga egoizmi e urrejtja, Zoti lind;

Po, Zoti lind për të na shpëtuar nga e keqja, nga errësira dhe vdekja;

Po, Zoti lind për të na mësuar dashurinë dhe treguar udhën e Jetës.

Krishtlindja është mister i madh i së Vërtetës e i Bukurisë së Hyjit që vjen ndërmjet nesh. Prandaj duhet të gëzojmë dhe ta dëshmojmë këtë. Jezusi nuk e pakëson gëzimin, përkundrazi, e bën më njerëzor dhe më të bukur. Në fytyrën e Jezusit të vogël duhet që secili prej nesh të kundrojmë fytyrën e Hyjit i cili nuk na dëftohet si njeri i fortë, i pushtetshëm, por si fëmijë. I mbështjellë në fasha e i vënë në grazhd, rrethuar nga kujdesi i Nënës, kjo Foshnje Hyjnore na zbulon mirësinë dhe bukurinë e pakufishme të Zotit. “Mahnitja që provojmë para mrekullisë së Krishtlindjes – thotë Papa  – pasqyrohet në një farë mënyre në mahnitjen që shkakton lindja e çdo foshnjeje dhe na fton ta shikojmë Krishtin Fëmijë në të gjitha foshnjat, që janë gëzimi i Kishës e shpresa e botës”.

“Zoti bëhet njeri, mishërohet, që vetë njeriu të hyjnizohet” (Shën Augustini).  Ai u bë një prej nesh, por prapë është i ndryshëm, që edhe ne të ndryshojmë. Njeriut të sotëm i duhet më tepër zemra se sa arsyeja e mendjes. Gjërat mund t’i shohim ashtu siç janë vetëm me zemër. Rrethi në të cilën jetojmë varet prej zemrës. Atë, çka zemra dëshiron ajo edhe e zgjedh. Zemra e ndriçon mendjen ose e terratisë. Kriteri i zemrës duhet të jetë DASHURIA. Ajo dashuri e cila është mishëruar për ne – Jezu Krishti.

Prandaj:

Le të galdoj shenjti, pse në Jezusin Foshnje e ka shpërblimin;

Le të gëzoj mëkatari, pse në Jezusin Foshnje i dhurohet falja e pajtimi;

Le të marrë guxim pagani, i patenzoni, pse në Jezusin Foshnje është i thirrur të marrë pjesë në Jetë.

Të dashur vëllezër e motra, duke u ndalur para Jezusit, Foshnjes Hyjnore në Shpellë të Betlehemit, të orvatemi ta pranojmë dhuratën e Tij Hyjnore e ta njohim këtë Mister të madh të Dashurisë Hyjnore që na siguron se Krishtlindja është Zoti me ne! Le drejtohen sytë e të gjithëve tek Shpella e Betlehemit. Çdo njeri vullnet mirë le të afrohet tek grazhdi i Foshnjës së Betlehemit për ta takuar, pranuar dhe adhuruar Dashurinë e Zotit bërë njeri. Kjo është Krishtlindja e vërtetë: lindja e Jezusit në zemrat tona, dhe shpërthimi e rrezatimi i Dritës së Tij Hyjnore në jetën e veprat tona të përditshme. AMEN!

+ Imzot Simon Kulli

Ipeshkëv i Sapës

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme