4.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Shkodër-PultDrejt Firences. Në Shqipëri Kisha e rilindjes. “Eksodi tragjik i familjeve”
HomeArqidioqeza Shkodër-PultDrejt Firences. Në Shqipëri Kisha e rilindjes. “Eksodi tragjik i familjeve”

Drejt Firences. Në Shqipëri Kisha e rilindjes. “Eksodi tragjik i familjeve”

Intervista e Presidentit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë për Avvenire, Imzot Angelo Massafra

Një pakicë në vend, por në rritje. Arqipeshkvi Massafra: Të ngjallur nga rrënojat e komunizmit, jemi një forcë morale. «Jo kriminalitetit që cënon shoqërinë»

Ndër anijatat e Katedrales së Shkodrës, në një nga altarët anësorë, shfaqen fytyrat e tridhjetë e tetë martirëve të Shqipërisë. Të gjithë të lumnuar. Dhe të gjithë viktima të persekutimit të organizuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës kundër Kishës katolike. Figurat në bardh e zi mbushin një mur të tërë. «Ne e çmojmë veten dhe jemi vërtet bij të martirëve tanë të diktaturës së shekullit të njëzetë. Dhe përvoja e persekutimit na ka mësuar të ngulmojmë në besim, të jemi një grigjë e vogël besnike ndaj bariut dhe mësuesit të saj dhe ndaj Selisë së Pjetrit nga e cila shpesh përpiqeshin të na shkëputnin», thotë Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Shkodër-Pult. Sot bashkësia katolike është një pakicë në vend: pak më shumë se 500 mijë besimtarë nga një popullsi prej gati 3 milionë banorësh. Por në rritje. «Ne jemi ngjallur nga rrënojat dhe mund të dalim para shoqërisë si një forcë morale», shpjegon Massafra.

Arqipeshkvi i Arqidioqiezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, në një famulli të dioqezës së tij

Frat françeskan minor, me origjinë nga një qendër e lashtë arbëreshe e Pulias, San Marzano di San Giuseppe, është ipeshkëv në Shqipëri që nga viti 1996: fillimisht në Rrëshen, më pas në Shkodër. Shkurtin e kaluar ai u zgjodh president i Konferencës vendore të Ipeshkvijve për herë të tretë. Dhe në këtë cilësi ai do të marrë pjesë në mbledhjen e ipeshkvijve të Mesdheut që do të mbahet në Firence nga data 23 deri më 27 shkurt dhe që do të ketë në qendër temën e qytetarisë e lexuar në dritën e vëllazërisë dhe përqafimit mes popujve. «Çdo mundësi takimi nuk është vetëm konstruktive, por edhe shprehje e kishtarisë së vërtetë, siç po na mëson ecja e Sinodit të kërkuar nga Papa Françesku – thotë arqipeshkvi –. Natyrisht, tema e paqes ka lakime të shumta: si Kisha ne kemi këtë mision që buron nga Ungjilli dhe nuk mund t’i shmangemi një detyre që, sado angazhuese që të jetë, ka nevojë për përfshirjen tonë personale dhe bashkësiore. Nismat që ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit për kulturën e paqes, përtej të gjitha barrierave, janë të mirëseardhura».

Në Firence, nga data 23 deri 27 të muajit shkurt, do të mbahet takimi i dytë “Mesdhetar, kufiri i paqes” i promovuar nga CEI (Konferenca Ipeshkvore Italiane), i cili do të sjellë ipeshkvijtë e Kishave që shohin kah deti i madh në përfaqësimin e tre kontinenteve (Evropa, Azia dhe Afrika). Në qendër të takimit, frymëzuar nga intuitat e “profetit të paqes” Giorgio La Pira, është tema e qytetarisë e lexuar nën dritën e vëllazërisë mes popujve në një zonë të shënuar nga luftëra, persekutime, emigrime, pabarazi. Së bashku me ipeshkvijtë, në Firence do të mbërrijnë kryebashkiakët e qyteteve të Mesdheut për një forum “paralel”.

Shkëlqesia Juaj, Kisha në Shqipëri, edhe pse e vogël, po zgjerohet ndërkohë që në pjesën më të madhe të Evropës bashkësia katolike ecën me vështirësi. Si e shpjegoni?

Nuk mendoj se është vetëm çështje numrash. Aq më tepër që Shqipëria po përjeton një lëvizje migratore dhe zbrazjeje të paprecedentë: familje të tëra largohen nga dheu i tyre duke aspiruar rrethana më të mira jete. Përkundrazi, do të flisja për një rritje në logjikën e pjekurisë së një përkatësie kishtare. Sigurisht që ka ende shumë punë për të bërë, por koha duket se është pjekur për një kthesë vendimtare, pas atyre fiziologjike të rimëkëmbjes nga periudha e errët e diktaturës. Për më tepër, Kisha këtu është e përfshirë në shumë fusha: nga bamirësia te formimi, nga kultura te ndihma për të varfrit, të sëmurët dhe të margjinalizuarit. E gjithë kjo ndodh falë kontributit të misionarëve, por edhe falë përfshirjes zemërgjerë të besimtarëve dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe të huaja.

A ndihet numri i vogël i meshtarëve?

Situata në disa zona thuajse është dramatike pasi ato nuk janë në gjendje të ofrojnë shërbim baritor. Dhe, ndërsa organizohemi pa u kursyer për të plotësuar nevojën fetare në fshatra, edhe në ato më të largëtat, punojmë shumë për thirrjet. E gjithë kjo në një kontekst social tashmë të përafruar me standardet evropiane, gjë që e bën të vështirë lejimin e të rinjve për t’iu përgjigjur thirrjes për jetën rregulltare dhe meshtarake.

Ju jeni një Kishë e varfër, madje shumë e varfër.

Çdo Kishë jeton falë kontributit të anëtarëve të saj dhe bashkëpunimit ndërmjet Kishave. Besimtarët tanë, në shumicën e rasteve, nuk janë njerëz të pasur, por njerëz të varfër që kontribuojnë sipas mundësisë, shpesh me të mirat e natyrës. Por në mendjen time më vjen një numër i pafund projektesh mbështetëse të kryera me Kishat anembanë botës.

Në Firence do të flitet për marrëdhëniet mes Kishës, shoqërisë dhe institucioneve politike. Në Shqipëri bashkësia kishtare gëzon vlerësim.

Ne mbetemi një referim me histori të padyshimta dhe të vërtetuara përkushtimi për të mirën e vendit, lirinë, rilindjen e tij, mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve. Institucionet politike janë të vetëdijshme për këtë dhe na admirojnë. Megjithatë, nuk është e lehtë të dialogosh, veçanërisht në një mjedis të shekullarizuar si ky i yni.

Në Shqipëri ka një klimë harmonie mes feve, përfshirë edhe Islamin. Dhe toleranca fetare e ka karakterizuar historikisht vendin.

Është më se e ditur që popullsitë ballkanike karakterizohen nga një farë vitaliteti instinktiv që mund të çojë në konfrontime verbale dhe fizike. Mendoj se kjo vetëdije ka kontribuar edhe në gjetjen e formave të bashkëjetesës paqësore: është gjithmonë e nevojshme të fokusohemi në pozitiven dhe në atë që bashkon, më mirë sesa në dallimet. Nuk mungojnë maja fundamentalizmi, por as njerëz me vullnet të mirë, të përkushtuar seriozisht në kërkimin e së mirës.

Një moment procesioni nëpër rrugët e Shkodrës

A janë shkollat, spitalet, qendrat e ndihmës të drejtuara nga Kisha farëra të vëllazërisë?

Sigurisht, që në moshë të re. Në çerdhe, fëmijët nga të gjitha shtresat shoqërore dhe feve, ndihmohen për të krijuar marrëdhënie me njëri-tjetrin. Në shkollat ​​tona jemi të hapur për të mirëpritur të gjithë, pa dallim, pa prozelitizëm. Është pak më e vështirë të veprosh në qendra që nuk janë kompetencë e Kishës, ku jemi edhe ne të pranishëm, si spitalet.

A kanë mbetur shenjat e ateizmit të shtetit?

Sot sfida më e rëndësishme sociale është arritja e së mirës së përbashkët: gjë e cila nuk është e lehtë, sepse plaga e shkaktuar nga diktatura dhemb ende deri në atë pikë sa ka një refuzim përballë asaj që, qoftë edhe vetëm në teori, mund të minojë të mirën private. Porse shekullarizimi nuk rrjedh drejtpërdrejt nga përvoja diktatoriale, por më tepër nga klima bashkëkohore. Për ateizmin nuk është kështu: është pasojë e komunizmit nga i cili jemi rimëkëmbur me vështirësi pas rënies së tij. Por ende rezistojnë grupet dhe pakicat e nostalgjikëve.

Mesdheu është një vend migrimesh. Nga Shqipëria largohen, por nuk kthehen…

Ata që kthehen janë shumë të paktë dhe ata që kanë jetuar prej kohësh në një shtet tjetër, ku kanë krijuar familje ose tashmë kanë fëmijë të rritur, nuk ndihen më shqiptarë. Ideja e kthimit në atdhe, nga ana tjetër, bën hesapet qoftë me mungesën e vazhdueshme të infrastrukturës dhe shërbimeve, qoftë me krimin që tenton të minojë jetesën e bizneseve duke kërkuar përqindje. Kjo tregon se sa e nevojshme është që të merren masat e nevojshme për të krijuar kushte të denja dhe të drejta jetese, pune të paguar mirë, politike kompetente dhe të ndershme që ua largojnë nga mendja ikjen nga Shqipëria.

Dalja e besimtarëve pas mbarimit të Meshës në një nga Kishat e Arqidioqezës Shkodër-Pult

A e ka harruar Evropa jugun e kontinentit?

Varet se për cilën Evropë po flasim: për atë gjeografike apo atë institucionale dhe ekonomike. Sepse, nëse ngulmojmë që Evropa të përkojë vetëm me këtë specifikim të fundit, nuk do të ketë kurrë një bashkësi të vërtetë evropiane. Ligjet e tregut që përcaktojnë vendimet në pjesën më të madhe, përfshirë ato politike, nuk i bëjnë një shërbim të mirë ngritjes së një Evrope të vërtetë, sepse ato ndajnë dhe përjashtojnë. Shqipëria është e vetëdijshme se gjendet në Evropë edhe përkundër çdo diskriminimi të llojit ekonomik. Dhe jam i mendimit se, ndryshe nga sa po ndodh, zgjerimi për të përfshirë vendet e lindjes së Mesdheut është hapi i parë drejt një përfshirjeje të mëvonshme.

Tema e pandemisë. Ju u goditët nga Covid-i dhe qëndruat në spital për më shumë se një muaj. A i ka rënduar padrejtësitë urgjenca shëndetësore?

Me dhimbje kemi qenë dëshmitarë të vdekjeve dhe vuajtjeve të shkaktuara nga virusi, por edhe të gjesteve të jashtëzakonshme të solidaritetit. Pabarazitë, ekzistuese tashmë në Mesdhe, kanë dalë më shumë në dukje për shkak të pandemisë dhe vetëm ata që nuk kanë sy në ballë refuzojnë t’i shohin dhe të ndërmarrin veprime për t’iu bërë ballë. Kjo është arsyeja pse koronavirusi duhet të nxisë marrjen e masave për të kapërcyer çdo hendek social dhe ekonomik.

Përkthyer nga Avvenire

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme