17.5 C
Tirana
HomeKISHDITA E TOKËS
HomeKISHDITA E TOKËS

DITA E TOKËS

Zero plastikë për të shpëtuar planetin. Vala blu mobilizohet në 192 vende

Dita e Tokës [Earth Day] festohet në mbarë botën për të rritur ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe të institucioneve për mbrojtjen e mjedisit. Objektivi: reduktimi i prodhimit të materialit plastik me 60% deri në vitin 2024

Një planet me zero plastikë. Është ëndrra e atyre që, sot, dalin në rrugë për të festuar Ditën e Tokës, e cila për 54 vjet ka mobilizuar miliona njerëz nga çdo kontinent për mbrojtjen e Planetit. Tema e Ditës për vitin 2024 është “Planet vs. Plastics” për të kërkuar «një reduktim prej 60% të prodhimit të plastikës deri në vitin 2040 dhe qëllimi fundor është ndërtimi i një të ardhmeje pa plastikë për brezat e ardhshëm». Plastika është një material me një qëndrueshmëri të pafundme, por me një përdorim shumë të shkurtër.

Dita e Tokës lindi në SHBA, Earth Day-a e parë e datës 22 prill 1970 pa mobilizimin e 20 milionë amerikanëve që kërkonin mbrojtje më të madhe për Planetin, një ngjarje e cila në vitin 1990 u bë globale, duke përfshirë 200 milionë njerëz në 141 vende. Sot Dita e Tokës mobilizon një miliard njerëz në mbi 192 vende me veprime dhe partnerë të koordinuar globalisht nga rrjeti jofitimprurës Earthday.org.

Ndotja plastike është bërë një nga problemet më urgjente mjedisore për t’u trajtuar, si për shkak të seriozitetit të çështjes, ashtu edhe për shkak se ne e kemi shpërfillur atë për një kohë të gjatë. Në dekadat e fundit, prodhimi dhe konsumi i objekteve plastike ka parë rritje eksponenciale dhe ka prodhuar fenomene ndotjeje në tokë e në det, veçanërisht në shumë vende të Azisë dhe Afrikës, ku sistemet e grumbullimit të mbetjeve janë shpesh joefikase ose të paqena. Bazuar në të dhënat e mbledhura nga Wwf (World Wide Fund for Nature organizatë ndërkombëtare joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit me seli në qytetin Gland, Zvicër), plastika është materiali i tretë më i përhapur në mbarë botën, i krijuar nga njeriu (pas çelikut dhe betonit). Ushqim, kozmetikë, rroba, lodra, kontejnerë dhe shumë më tepër. Edhe produktet e vogla “hiper-paketohen” në shumë ambalazhe të ndryshme plastike, ndonjëherë të përziera me materiale të tjera. Ne prodhojmë dhe përdorim shumë plastikë, edhe kur nuk është e nevojshme dhe riciklojmë shumë pak. Është vlerësuar se secili prej nesh gëlltit rreth 5 gramë plastikë në javë. Shpërndarja e plastikës në natyrë dhe ekspozimi ynë ndaj kimikateve të lidhura me të – dhe të çliruara prej saj – janë kryesisht për shkak të sistemeve tona të konsumit, prodhimit dhe menaxhimit të mbetjeve plastike. Denoncimi që Wwf ka bërë tashmë prej disa kohësh është: jemi të rrethuar nga plastika. Dhe duhet domosdoshmërisht të bëjmë diçka për ta kufizuar shpërndarjen e saj në mjedis.

Tema e këtij viti do të shohë valën blu të vullnetarëve Plastic Free në veprim në plazhe, përgjatë brigjeve të lumenjve, në parqe dhe zona publike për të rritur ndërgjegjësimin mbi ndotjen plastike. Një ndërgjegjësim që ka një objektiv konkret: çlirimin e mjedisit nga tonelatat e mbetjeve plastike dhe të braktisura.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme