17.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësDita e dytë e Papa Françeskut në Bratislavë
HomeJeta e KishësDita e dytë e Papa Françeskut në Bratislavë

Dita e dytë e Papa Françeskut në Bratislavë

Udhëtimi i 34-tërt apostolik i Papa Françeskut vazhdon sot në Sllovaki. Programi ditës së sotme qe i pasur me takime, në një vend ku përjetohet gëzimi i pritjes së popullsisë për vizitën e pasardhësit të Pjetrit.

Dita e dytë e Papa Françesku në Sllovaki. Gazetat kryesore – siç raportohet nga përgjegjësi i Radio Vatikanit – Vatican News Massimiliano Menichetti nga Bratislava – vënë të gjitha në dukje Udhëtimin e 34-tërt apostolik të Papës i cili, pas ndalesës në Budapest, mbërriti dje në mbrëmje në kryeqytetin sllovak.

Mirëseardhja dhe programi i ditës

Pritja zyrtare u zhvillua dje në aeroport, në prani të Presidentes Zuzana Čaputová me të cilën Papa Françesku pati një bisedë të shkurtër para se të nisej për të arritur te Nunciatura apostolike e cila ekziston në Sllovaki që nga viti 1993, me dëshirën shën Gjon Palit II. Këtu Papa Françesku, në takimin ekumenik, i pari në vend, hodhi shikimin kah vitet e errëta të persekutimit ateist dhe kah forca e Kishës së Krishtit, sot e thirrur për në bashkim, dëshmi, vëllazëri dhe afërsi me ata që gjenden në nevojë. Pastaj takimi me bashkësinë e jezuitëve atje të pranishëm.

Këtë paradite qe zhvendosja e Papës në Pallatin presidencial për ceremoninë e mirëseardhjes, pas takimit me Presidenten Čaputová, vijoi më pas takimi me autoritetet politike dhe fetare, të Shoqërisë civile dhe Trupit diplomatik. Shpresa është për një mesazh të aftë për të tronditur zemrën e Evropës. Paraditja do të përfundojë në Katedralen e shën Martinit ku Papa do të takojë ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët dhe rregulltaret, seminaristët dhe katekistët. Pasdite do të jetë përkëdhelja për mysafirët e Qendrës Betlehem ku Motrat e Bamirësisë ndihmojnë të pastrehët të cilët gjejnë dëgjim dhe ngushëllim aty. Pastaj takimi i shumëpritur me komunitetin hebre sllovak që pësoi mizori dhe dhunë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dita do të përfundojë në Nunciaturë ku do të presë Kryetarin e Parlamentit dhe Kryeministrin.

Pritja e popullit për një udhëtim të pashpresuar

Sllovakia, e cila u rishfaq si entitet shtetëror pas rënies së komunizmit në vitin 1993 – kur u nda nga Republika Çeke me të cilën përbënte Çekosllovakinë që nga viti 1918 – është pjesë e Bashkimit Evropian që nga viti 2004 dhe Eurozonës që nga viti 2009. Ka një popullsi prej 5 milion e gjysmë banorë, 73% janë katolikë dhe 4% greko-katolikë, ndërsa 13.5% deklarohen si ateistë. Françesku është Papa i dytë që shkon te ky komb pas shën Gjon Palit II i cili e vizitoi atë në vitin 1990, 1995 dhe 2003.

“Papa gjen një Sllovaki që ka nevojë për forcë dhe shpresë – tregon për Vatican News Maria Fabyrova Frisova, gazetare e Agjencisë kombëtare sllovake, tashmë redaktore e programit sllovak të Radio Vatikanit -; një komb mjaft i ndarë nga pikëpamja politike dhe sociale”. Ajo shpjegon se për shumëkënd ky udhëtim ishte një lloj surprize. “Dihet që Ati shenjt zgjedh, në një farë kuptimi, periferitë, por sipas mendimit tim pak shpresonin që Papa Françesku të vizitonte Sllovakinë kaq shpejt. Fatkeqësisht, i gjithë Udhëtimi apostolik zhvillohet në një kohë kur numri i rasteve të Covid-it në Sllovaki po rritet”.

Ndihma e Kishës gjatë pandemisë

Në të vërtetë, që nga fundi i gushtit, numri i njerëzve të infektuar po rritet me shpejtësi – rreth 400 në ditë – megjithëse jemi larg majave të regjistruara janarin e kaluar. Pothuajse 400,000 janë testuar pozitivë për koronavirus që nga fillimi i pandemisë dhe mbi 13,000 kanë vdekur. Një pasojë shumë e rëndë për popullsinë të cilës Karitasi vendor, ofruesi më i madh joqeveritar i shërbimeve përkrahëse dhe sociale, i ka dhënë lehtësim material dhe shpirtëror. “Përveç shërbimeve për të moshuarit dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, bamirësia e Kishës ka qenë jashtëzakonisht e dobishme për njerëzit në nevojë”, thekson Frisova. “Kisha dhe bashkëpunëtorët në organizmat bamirëse kanë ndihmuar, me blerjen dhe shpërndarjen e ushqimeve, veçanërisht të moshuarit për t’i mbrojtur ata nga sëmundja në fjalë. Sigurisht që ata kanë qenë gjithashtu një përforcim shpirtëror për ta, veçanërisht për ata që janë braktisur dhe mbyllur në shtëpitë e tyre, pa të dashurit dhe bijtë e bijat e tyre, shumë prej të cilëve mbase jetonin jashtë vendit dhe për këtë arsye nuk mund të udhëtonin për të shkuar për një vizitë, për shkak të pandemisë”.

Afërsia ndaj popullit hebre

Pas takimit me autoritetet dhe me ipeshkvijtë dhe Kishën vendore në Bratislavë, Papa do t’u drejtojë një fjalim Komunitetit hebre të vendit, në sheshin që simbolizon vuajtjet e hebrenjve sllovakë në shekullin XX – janë 105 mijë ata që humbën jetën gjatë Holokaustit. “Takimi me komunitetet hebraike – shpjegon Frisova – zhvillohet pak ditë pas 9 shtatorit, kur Sllovakia përkujtoi 80-vjetorin e miratimit të të ashtuquajturit Kodit Hebraik, dispozita me të cilën hebrenjtë humbën çdo të drejtë për liri. Përkujtimi i ditës u organizua në disa qytete. “Unë personalisht isha në atë që u zhvillua në një qytet të vogël në lindje, ku ishte një prift që, simbolikisht, kërkoi falje për të gjitha padrejtësitë e pësuara gjatë Holokaustit. Kështu, takimi i Atit shenjt me përfaqësuesit e Komunitetit është një tjetër hap drejt një rrugëtimi të përbashkët”.

Kundër racizmit ndaj romëve

Nesër pasdite, në Košice, Papa Françesku do të takohet me komunitetin rom, i vendosur në Sllovakinë lindore. “Takimi me romët mendoj se mund të jetë një shtysë e madhe për këta njerëz”, vëren gazetarja, e cila shpjegon se shumë priftërinj janë të përfshirë në kujdesin e tyre baritor. “Takimi është një moment shumë pozitiv, veçanërisht tani që edhe në Sllovaki po rriten manifestimet e racizmit kundër romëve”, thekson ajo.

Pritja e të rinjve

Programi i ditës parashikon një takim me të rinjtë në Stadiumin Lokomotiv në Košice. “Shumë të rinj që unë njoh e presin Papën me një entuziazëm të madh”, pohon Frisova. “Në shumë bashkësi të krishtera në Sllovaki prania e të rinjve është shumë e gjallë, megjithëse numri i besimtarëve është ulur shumë vitet e fundit. Shumë prej tyre do të marrin pjesë në këto zhvillime si vullnetarë – përfundon ajo -; Kisha këtu është shumë e gjallë. Ka shumë të rinj që janë lutur për këtë vizitë dhe mezi presin të marrin pjesë në takimin me Papën”.

Marrë nga Vatican.va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme