6.5 C
Tirana
HomeKISHDita Botërore e të Varfërve 2024
HomeKISHDita Botërore e të Varfërve 2024

Dita Botërore e të Varfërve 2024

Papa do drekojë në Vatikan me 1300 persona në nevojë

Françesku do të kryesojë kremtimin eukaristik në Bazilikën e Shën Pjetrit, të dielën, në orën 10.00. Para meshës, Papa do të bekojë 13 çelësa, që përfaqësojnë 13 vendet e botës ku Familja Vinçenciane do të ndërtojë 9 banesa për të varfërit, përmes projektit “13 shtëpi” për Jubileun. Ndër këto vende, edhe Siria.

Një drekë me mbi njëmijë të varfër, bekimi i 13 çelësave, që simbolizojnë projektin e ndërtimit të shtëpive për nevojtarët, hapja e ambulancës së destinuar për ata, që s’kanë mundësi të tjera: kështu do ta përjetojë Papa Françesku, Ditën e tetë Botërore të të Varfërve, të dielën, më 17 nëntor. Propozuar për herë të parë në vitin 2017, dëshiruar me forcë nga Françesku, këtë vit, kjo Ditë ka si moto një fragment nga Libri i Siracidit: “Lutja e të varfërve lartohet tek Zoti” (shih Sir 21,5). Papa rithekson se të varfërit kanë një vend të privilegjuar në zemrën e Zotit, i cili ua dëgjon lutjet dhe, para vuajtjeve të tyre, bëhet “i paduruar” derisa të vendosë drejtësinë. Vërtet, Libri i Siracidit dëshmon se “gjykimi i Hyjit do të jetë në favor të të varfërve” (shih 21,5).

Bekimi i çelësave dhe dreka në Sallën Pali VI

Si zakonisht, Papa Françesku do të kryesojë meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 10.00. Para saj, Ati i Shenjtë do të bekojë 13 çelësa, që përfaqësojnë 13 vendet e botës ku Familja Vinçenciane do të ndërtojë 9 banesa për të varfrit, përmes projektit “13 shtëpi” për Jubileun. Ndër këto vende, edhe Siria, tokë e martirizuar nga lufta. Pas meshës, në Sallën Pali VI, Bergoglio do të drekojë së bashku me 1300 të varfër. Dreka e organizuar nga Dikasteri vatikanas i Shërbimit të Bamirësisë do të ofrohet këtë vit nga Kryqi i Kuq Italian. Gjatë saj, Fanfara e Kryqit të Kuq do të ekzekutojë disa pjesë muzikore. Në fund të drekës, çdo pjesëmarrësi do t’i jepet një çantë shpine, e ofruar nga Etërit Vinçencianë (Kongregata e Misionit), që përmban ushqime dhe produkte të higjienës personale.

Shërbimet e ambulancës “Nëna e Mëshirës”

Gjithashtu, nga ora 8.00 deri në orën 17.00 të javës 11-16 nëntor, është në shërbim ambulanca “Nëna e Mëshirës”, strukturë e lidhur me Dikasterin e Shërbimit të Bamirësisë, e cila ofron kujdes shëndetësor të përditshëm falas për të varfërit dhe nevojtarët. Do të bëhen çdo ditë vaksinat e gripit, analizat e gjakut, tamponë dhe mjekime e vizita të ndryshme.

Nisma bamirëse

Dikasteri për Ungjillëzimin do të sigurojë plotësimin e nevojave të të varfërve me nisma të ndryshme bamirësie, duke përfshirë, për shembull, pagesën e faturave për familjet më të brishta ekonomikisht, përmes kontakteve me famullitë. Gjatë kësaj jave, të gjitha famullitë janë thirrur të vënë në qendër të vëmendjes të varfërit, përmes shenjave konkrete. Për më tepër, mund të konsultohet doracaku i Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin, në gjashtë gjuhë, në faqen përkatëse të internetit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme