14.5 C
Tirana
HomeKryesorDIALOGU MES BREZAVE, EDUKIMI DHE PUNA: MJETE PËR NDËRTIMIN E NJË PAQEJE...
HomeKryesorDIALOGU MES BREZAVE, EDUKIMI DHE PUNA: MJETE PËR NDËRTIMIN E NJË PAQEJE...

DIALOGU MES BREZAVE, EDUKIMI DHE PUNA: MJETE PËR NDËRTIMIN E NJË PAQEJE TË QËNDRUESHME

Ndërkohë që bota mbetet në “shtrëngimin” e pandemisë dhe “zhurma shurdhuese e luftërave dhe konflikteve” përforcohet me një rritje edhe të prodhimit të armëve më shumë sesa gjatë “luftës së ftohtë”, ende është e mundur të ndërtohet një ” paqe e qëndrueshme “. Është një shpresë konkrete që Papa Françesku ia ofron kësaj bote të copëtuar në mesazhin për Ditën Botërore të 55-të të Paqes që kremtohet më 1 janar 2022. Një shpresë që merr formën e dialogut, qё kthehet në dëgjim, nё takim midis brezave, nё edukimin e të rinjve, punën e denjë për të gjithë. Hapa konkretë që Papa tregon për t’iu përgjigjur asaj “klithme të të varfërve dhe të tokës” që vazhdon të ngrihet sot “për të kërkuar drejtësi dhe paqe”.

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKU PËR KREMTIMIN E DITËS 55 BOTËRORE TË PAQES:

«Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell sihariqin e paqes» (Is 52,7).

Fjalët e Isaisë profet shprehin ngushëllimin, psherëtimën e lehtësimit të një populli të mërguar, të rraskapitur nga dhuna dhe abuzimet, i ekspozuar ndaj padenjësisë dhe vdekjes. Në lidhje me këtë gjë, profeti Baruk pyet veten:

«Po, përse ti, o Izrael, përse je në tokë të huaj? Ti u plake në dheun e huaj, po përdhosesh me kufoma, i çmuar si ata që në Nëntokë zbritën!» (Bar 3,10-11). Për këta njerëz, ardhja e lajmëtarit të paqes nënkuptonte shpresën e një rilindjeje nga rrënojat e historisë, fillimin e një të ardhmeje të ndritur.

Edhe sot, ecja e paqes, të cilën Shën Pali VI e ka quajtur me emrin e ri zhvillim integral, për fat të keq mbetet larg jetës reale të shumë burrave dhe grave dhe, rrjedhimisht, të familjes njerëzore, e cila tashmë është plotësisht e ndërlidhur. Pavarësisht përpjekjeve të shumta që synojnë dialogun konstruktiv midis kombeve, amplifikohet zhurma shurdhuese e luftërave dhe e konflikteve, ndërkohë që sëmundjet me përmasa pandemike përparojnë, përkeqësohen efektet e ndryshimeve klimatike dhe degradimi mjedisor, rëndohet drama e urisë dhe e etjes dhe vazhdon të mbizotërojë një model ekonomik i bazuar mbi individualizmin më shumë sesa në bashkëndarjen solidare. Ashtu si në kohën e profetëve të lashtë, edhe sot klithma e të varfërve dhe e tokës vazhdon të ngrihet për të kërkuar drejtësi dhe paqe.

Në çdo epokë, paqja është njëkohësisht një dhuratë nga lart dhe një fryt i angazhimit të përbashkët. Ekziston, në fakt, një “arkitekturë” e paqes, ku ndërhyjnë institucionet e ndryshme të shoqërisë dhe ekziston një “mjeshtëri” e paqes që përfshin secilin prej nesh personalisht. Të gjithë mund të bashkëpunojnë për të ndërtuar një botë më paqësore: duke filluar nga zemra e tyre dhe nga marrëdhëniet në familje, në shoqëri dhe me mjedisin, deri temarrëdhëniet mes popujve dhe shteteve. Këtu do të doja të propozoja tri rrugë për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme. Para së gjithash, dialogun mes brezave, si bazë për realizimin e projekteve të bashkëndara. Së dyti, edukimin, si faktor lirie, përgjegjësie dhe zhvillimi. Në fund, punën për një realizim të plotë të dinjitetit njerëzor. Pra, bëhet fjalë për tre elemente të pazgjidhshme për t’i dhënë jetë «një pakti shoqëror», pa të cilin çdo projekt paqeje është i paqëndrueshëm.

Dialog mes brezave për të ndërtuar paqen

Në një botë ende nën peshën e pandemisë, e cila ka shkaktuar shumë probleme, «disa përpiqen që t’i ikin realitetit duke u strehuar në botë private, kurse disa të tjerë përballen me këtë realitet me një dhunë shkatërruese, por “midis indiferencës egoistike dhe protestës së dhunshme ekziston një mundësi që është gjithmonë e mundur: dialogu. Dialogu midis brezave». Çdo dialog i sinqertë, edhe pse jo pa një dialektikë të drejtë dhe pozitive, kërkon gjithmonë një besim bazë mes bashkëbiseduesve. Te ky besim i ndërsjellë duhet të rikthehemi për ta rifituar atë! Kriza aktuale shëndetësore ka amplifikuar te të gjithë ndjenjën e vetmisë dhe të mbylljes në vetvete. Vetmive të të moshuarve u shtohet ndjenja e pafuqisë dhe e mungesës së një ideje të bashkëndarë për të ardhmen të të rinjve. Kjo krizë me siguri është e dhimbshme. Në të, megjithatë, mund të shprehet edhe më e mira e njerëzve. Në fakt, pikërisht gjatë pandemisë kemi ndeshur, në çdo kënd të botës, dëshmi bujare dhembshurie, bashkëndarjeje dhe solidariteti.

Të dialogosh do të thotë të dëgjosh njëri-tjetrin, të ballafaqohesh, të biesh dakord dhe të ecësh së bashku. Të favorizosh këtë gjë mes brezave do të thotë të punosh tokën e fortë dhe sterile të konfliktit dhe të skartove për të mbjellë aty farat e një paqeje të qëndrueshme dhe të bashkëndarë.

Ndërsa zhvillimi teknologjik dhe ekonomik shpesh i ka ndarë brezat, krizat bashkëkohore paraqesin urgjencën e aleancës mes tyre. Nga njëra anë, të rinjtë kanë nevojë për përvojën ekzistenciale, të urtë dhe shpirtërore të të moshuarve; nga ana tjetër, të moshuarit kanë nevojë për mbështetjen, përzemërsinë, krijimtarinë dhe dinamizmin e të rinjve.

Sfidat e mëdha shoqërore dhe proceset e paqëtimit nuk bëjnë dot pa dialogun mes rojtarëve të kujtesës – të moshuarvedhe të atyre që çojnë përpara historinë të rinjve -; dhe as pa gatishmërinë e secilit për t’i bërë vend tjetrit, për të mos pretenduar që të zënë krejt skenën duke ndjekur interesat e tyre imediate sikur të mos kishte të shkuar dhe të ardhme. Kriza globale që po përjetojmë na tregon në takimin dhe në dialogun mes brezave forcën lëvizëse të një politike të shëndoshë, e cila nuk mjaftohet «me rregullime të çastit ose zgjidhje të shpejta rastësore» por që e ofron vetveten si një formë e lartë dashurie për tjetrin, në kërkimin e projekteve të bashkëndara dhe të qëndrueshme.

Nëse, në vështirësi, do të dimë ta praktikojmë këtë dialog ndërbreznor «mund të jemi të rrënjosur mirë në të tashmen dhe, nga ky pozicion, të vizitojmë të kaluarën dhe të ardhmen: të vizitojmë të kaluarën për të mësuar nga historia dhe për të shëruar plagët që nganjëherë na kushtëzojnë; të vizitojmë të ardhmen për të ushqyer entuziazmin, për të realizuar ëndrrat, për të nxitur profeci, për të lulëzuar shpresat. Në këtë mënyrë, të bashkuar, do të mësojmë t’ia ngrohim zemrat njëri-tjetrit». Si do të mund të rriteshin pemët dhe të prodhonin fruta, po të mos kishin rrënjë?

Mjafton   të   mendojmë   për   temën e  përkujdesjes së shtëpisë sonë të përbashkët «Është një hua që çdo brez e merr dhe duhet t’ia përçojë brezit të ardhshëm». Prandaj, duhen vlerësuar dhe inkurajuar të rinjtë e shumtë që janë duke u përkushtuar për një botë më të drejtë dhe më të vëmendshme për mbrojtjen e krijimit, lënë në duart tona. E bëjnë me shqetësim dhe entuziazëm, sidomos me ndjenjë përgjegjësie përballë ndryshimit urgjent të drejtimit, që na e diktojnë vështirësitë që kanë dalë nga kriza e sotme etike dhe socio-mjedisore.

Nga ana tjetër, mundësia për të ndërtuar së bashku rrugëtime paqeje nuk mund të shkëputet prej edukimit dhe punës, vende dhe kontekste të privilegjuara të dialogut ndërbreznor. Edukimi siguron gramatikën e dialogut mes brezave dhe në përvojën e punës burrat dhe gratë e brezave të ndryshëm e gjejnë veten duke bashkëpunuar, duke shkëmbyer njohuri, përvoja dhe kompetenca në funksion të së mirës së përbashkët.

Arsimimi dhe edukimi si motorë të paqes

Vitet e fundit, është ulur ndjeshëm, në nivel botëror, buxheti për arsimin dhe edukimin, konsideruar si shpenzim dhe jo si investim. Megjithatë, ata përbëjnë vektorët parësorë të një zhvillimi integral njerëzor: e bëjnë personin më të lirë dhe më të përgjegjshëm dhe janë të domosdoshëm për mbrojtjen dhe nxitjen e paqes. Me fjalë të tjera, arsimi dhe edukimi janë themelet e një shoqërie të bashkuar, të qytetëruar, të aftë për të krijuar shpresë, pasuri dhe përparim.

Nga ana tjetër, shpenzimet ushtarake janë rritur, duke tejkaluar nivelin e regjistruar në fund të “luftës së ftohtë” dhe duket se do të rriten në mënyrë të tepruar.

Prandaj është e përshtatshme dhe urgjente që ata të cilët kanë përgjegjësi qeveritare të zhvillojnë politika ekonomike që parashikojnë një ndryshim të raportit mes investimeve publike në edukim dhe fondeve për armatim.

Nga ana tjetër, ndjekja e një procesi real të çarmatimit ndërkombëtar mund të sjellë vetëm përfitime të mëdha për zhvillimin e popujve dhe të kombeve, duke liruar burime financiare për t’u përdorur në mënyrë më të përshtatshme për shëndetin, shkollën, infrastrukturën, kujdesin për territorin e kështu me radhë. Uroj që investimi në edukim të shoqërohet me një angazhim më të madh për të nxitur kulturën e përkujdesjes. Ajo, përballë thyerjeve të shoqërisë dhe inercisë së institucioneve, mund të bëhet gjuha e përbashkët që thyen barrierat dhe ndërton ura. «Një vend rritet kur pasuritë e tij të ndryshme kulturore dialogojnë në mënyrë ndërtuese: kultura popullore dhe ajo universitare, kultura rinore dhe ajo artistike, kultura teknologjike dhe ajo ekonomike, kultura familjare dhe ajo mediatike».[14] Pra, është e nevojshme të krijohet një paradigmë e re kulturore, përmes «një pakti global edukativ për dhe me brezat e rinj, që i angazhon familjet, komunitetet, shkollat dhe universitetet, institucionet, besimet fetare, pushtetarët, mbarë njerëzimin,  në formimin e njerëzve të pjekur». Një pakt që nxit edukimin në ekologjinë integrale, sipas një modeli kulturor paqeje, zhvillimi dhe qëndrueshmërie, të përqendruar te vëllazërimi dhe te aleanca mes qenieve njerëzore e mjedisit. Investimi në arsimimim dhe edukimin e brezave të rinj është rruga kryesore që i çon ato, përmes një përgatitjeje specifike, të zënë frytshëm një vend të merituar në botën e punës.

Nxitja dhe sigurimi i punës e ndërton paqen

Puna është një faktor i domosdoshëm në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes. Është shprehje e vetes dhe e dhuntive vetjake, por edhe angazhim, lodhje, bashkëpunim me të tjerët, sepse njeriu punon gjithmonë me ose për dikë. Në këtë perspektivë dukshëm sociale, puna është vendi ku mësojmë të japim kontributin tonë për një botë më të jetueshme dhe më të bukur. Pandemia e Covid-19 ka rënduar situatën e botës së punës, e cila që më përpara po përballej me sfida të shumta. Miliona aktivitete ekonomike dhe prodhuese kanë falimentuar; punëtorët e pasigurt janë gjithnjë e më vulnerabël; shumë prej atyre që kryejnë shërbime thelbësore janë edhe më të fshehur nga ndërgjegjja publike dhe politike; arsimimi në distancë në shumë raste ka prodhuar një regres në mësimnxënie dhe në rrugëtimet shkollore. Për më tepër, të rinjtë që hyjnë në tregun profesional dhe të rriturit që kanë mbetur pa punë përballen sot me perspektiva dramatike. Në veçanti, ndikimi i krizës në ekonominë informale, e cila shpesh përfshin punëtorët migrantë, ka qenë shkatërruese. Shumë prej  tyre nuk njihen nga ligjet kombëtare, sikur të mos ekzistonin fare; jetojnë në kushte shumë të pasigurta për veten dhe familjet e tyre, të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të skllavërisë dhe pa një sistem të mirëqenies që i mbron. Për më tepër, aktualisht vetëm një e treta e popullsisë së botës në moshë pune gëzon një sistem të mbrojtjes sociale, ose mund të përfitojë prej tij vetëm në forma të kufizuara. Në shumë vende dhuna dhe krimi i organizuar po rriten, duke ia marrë frymën lirisë dhe dinjitetit njerëzor, duke helmuar ekonominë dhe duke penguar zhvillimin e të mirës së përbashkët. Përgjigjja ndaj kësaj situate nuk mund të kalojë përveçse përmes një zgjerimi të mundësive për një punë dinjitoze.

Në fakt, puna është baza mbi të cilën ndërtohet drejtësia dhe solidariteti në çdo komunitet. Për këtë arsye, «nuk duhet të përpiqemi ta zëvendësojmë gjithnjë e më shumë punën njerëzore me përparimin teknologjik: duke bërë kështu njerëzimi do të dëmtonte vetveten. Puna është një nevojë, është pjesë e kuptimit të jetës mbi këtë tokë, rrugë e pjekurimit, e zhvillimit njerëzor dhe e realizimit personal». Duhet t’i bashkojmë idetë dhe përpjekjet për të krijuar kushte dhe për të gjetur zgjidhje, që çdo njeri në moshë pune të ketë mundësi që, me punën e tij, të kontribuojë në jetën e familjes dhe të shoqërisë.

Është më urgjente se kurrë që në mbarë botën të nxiten kushte pune të përshtatshme dhe dinjitoze, të orientuara drejt të mirës së përbashkët dhe mbrojtjes së krijimit. Është e nevojshme të sigurohet dhe të mbështetet liria e nismave sipërmarrëse dhe, në të njëjtën kohë, të rritet një përgjegjësi e përtërirë sociale, në mënyrë që fitimi të mos jetë i vetmi kriter udhëzues.

Në këtë perspektivë, duhet të stimulohen, të mirëpriten dhe të mbështeten nismat që, në të gjitha nivelet, i nxisin kompanitë të respektojnë të drejtat themelore të punëtorëve dhe të punëtoreve si qenie njerëzore që janë, duke ndërgjegjësuar në këtë kuptim jo vetëm institucionet, por edhe konsumatorët, shoqërinë civile dhe realitetet sipërmarrëse. Sa më shumë që këto të fundit të ndërgjegjësohen për rolin e tyre shoqëror, aq më shumë bëhen vende ku ushtrohet dinjiteti njerëzor, duke marrë pjesë edhe ato në ndërtimin e paqes. Në këtë aspekt, politika është e thirrur që të luajë një rol aktiv, duke nxitur një ekuilibër të drejtë mes lirisë ekonomike dhe drejtësisë sociale. Të gjithë ata që veprojnë në këtë fushë, duke filluar nga punëtorët dhe sipërmarrësit katolikë, mund të gjejnë udhëzime të sigurta në doktrinën sociale të Kishës.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Ndërsa kërkojmë t’i bashkojmë përpjekjet tona për të dalë nga pandemia, dëshiroj të ripërtërij falënderimin tim për të gjithë ata që janë angazhuar dhe vazhdojnë të përkushtohen me bujari e përgjegjësi për të garantuar arsimimin, sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave, për të ofruar përkujdesje shëndetësore, për të lehtësuar takimin mes familjarëve dhe të t sëmurëve, për të siguruar mbështetje ekonomike për njerëzit në nevojë ose që kanë humbur punën. Dhe siguroj kujtimin tim në lutje për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre.

Pushtetarëve dhe të gjithë atyre që kanë përgjegjësi politike dhe sociale, barinjve dhe gjallëruesve të bashkësive kishtare, si dhe të gjithë burrave dhe grave vullnetmirë, u bëj thirrje që të ecim së bashku në këto tri rrugë: dialogun mes brezave, edukimin dhe punën. Me guxim dhe krijimtari. Dhe qofshin gjithnjë e më shumë ata që, pa bërë zhurmë, me përvujtëri e këmbëngulje, bëhen çdo ditë artizanë të paqes. I parapriftë e i shoqëroftë gjithmonë bekimi i Hyjit të paqes!

Nga Vatikani, më 8 dhjetor 2021

Françesku

Përktheu: Loreta Toma


Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme