Shkodër, më 22.04.2025
Duke falënderuar të gjithë ata që në këto çaste na gjenden pranë në mënyra të ndryshme si Kishë Katolike, për humbjen e bariut tonë, Papa Françeskut, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë njofton se:
• Ditën e enjte, më 24 prill, në orën 18:00, në katedralen e Shën Palit në Tiranë, do të kremtohet mesha për shpirtin e Papa Françeskut. Në këtë kremtim do të marrin pjesë të gjithë ipeshkvijtë e dioqezave në vendin tonë dhe janë të ftuar të gjithë besimatarët të bashkohen në lutje për shpirtin e Papa Françeskut, që aq shumë e deshi vendin tonë.
• Delegacioni zyrtar që do të marrë pjesë në varrimin e Papa Françeskut dhe që do të përfaqësojë kishën tonë lokale, do të përbëhet nga:
Sh.T. Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult-it
Sh.T. Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës-it
• Nunciatura Apostolike (Ambasada e Selisë së Shenjtë në Tiranë) do të presë ngushëllimet e rastit në datat 23-24 prill 2025, në oraret 10:00-12:30 dhe 14:00-17:00.
• Mesha e varrimit të Papa Françeskut do të mbahet të shtunën, më 26 prill, në orën 10:00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, për të vazhduar më pas sipas testamentit që vetë Ati i Shenjtë ka lënë të shkruar.
Dom Mark Pashkja,
Zëdhënës i KISH