11.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësDeklaratë e përbashkët e Presidentëve të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane(KKIE) dhe...
HomeJeta e KishësDeklaratë e përbashkët e Presidentëve të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane(KKIE) dhe...

Deklaratë e përbashkët e Presidentëve të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane(KKIE) dhe të Këshillit Ekumenik të Kishave(KEK) me rastin e Kohës së Krijimit 2021

«Imzot, nëse kam ndonjëfarë rëndësie para syve të tu, mos kalo pa hyrë te shërbëtori yt» (Zan 18,
3). Në shkretëtirë, ndërsa ishte ulur në hyrje të tendës në orën më të nxehtë të ditës, Abrahami u
tregua mikpritës dhe bujar, dhe bashkëndarja e pak uji dhe e një cope buke zbuloi para tij premtimin
e Hyjit. Burri plak, plot fe, e kuptoi se varfëria e shpirtit ka të bëjë me lënien e çdo pretendimi me
qëllim gjetjen e zgjidhjeve për të gjitha problemet, duke i vënë shpresat te Hyji, me përulësi dhe
durim.


Shenja biblike e tendës së Abrahamit është zgjedhur këtë vit për të përfaqësuar angazhimin për
përkujdesjen ndaj “shtëpisë së përbashkët”, për përkujdesin ndaj krijimit, në një shpirt mikpritjeje
dhe dialogu.


Urtësia e kësaj pjese biblike ndriçon rrugën dhe punën e Kishave të krishtera në Evropë, të cilat
duan ta rrisin angazhimin e tyre për ruajtjen e krijimit, në mënyrë që të jenë në gjendje të ripërtërijnë
oikos-in e Hyjit, siç e shpreh edhe tema e zgjedhur për kremtimin e Kohës së Krijimit këtë vit, në
mënyrë që të bëhet një shtëpi për të gjithë bijtë e Hyjit, pa përjashtuar askënd.


Oikos-i, në greqisht, shpreh kuptimin e “shtëpisë”, të asaj që është shtëpiake, familjare, të
gjithçkaje që është objekt i kujdesit të dikujt, që përfaqëson një interes të përbashkët, si edhe një
përgjegjësi të përbashkët. Prandaj, ripërtëritja e oikos-it së Hyjit, e shtëpisë së përbashkët që
bashkëndajmë, para së gjithash presupozon bërjen e çdo përpjekjeje të mundshme për ta bashkuar
krejt familjen njerëzore në kërkimin e një zhvillimi integral, të qëndrueshëm dhe të bashkëndarë me
barazi.

Ky lloj zhvillimi kërkon që të përmirësohet cilësia e marrëdhënies sonë me Krijuesin, e jetës sonë
njerëzore, e marrëdhënieve tona me të tjerët dhe me natyrën. Shpirti i një mikpritjeje të painteres dhe
të një dialogu të sinqertë të shfaqur nga Abrahami, gjithashtu dëshiron të jetë për ne, të krishterët
evropianë, shprehja e një dashurie që dhuron vetveten, duke krijuar përvoja njerëzore dhe shpirtërore
të mbushura me vetëdijen për ta jetuar të gjithë, së bashku dhe pa përjashtime, oikos-in e Hyjit,
shtëpinë e përbashkët që Hyji na ka besuar neve, që ia ka besuar përgjegjësisë sonë të përbashkët.

Me një shpirt të vërtetë mikpritjeje dhe dialogu, kontribuojmë me reflektimet dhe me lutjet tona
në dy samitet e rëndësishme që do të të organizohen këtë vit nga Kombet e Bashkuara: Konferenca
mbi Biodiversitetin, që do të zhvillohet në Kunming (Kinë), dhe Konferenca e Palëve mbi
Ndryshimet Klimatike (COP26), që do të mbahet në Glasgou (Mbretëria e Bashkuar). Pjesa më e
madhe e asaj që Kishat tona të krishtera në Evropë mund të ofrojnë si kontribut për bashkësinë
ndërkombëtare e ka zanafillën në nismat guximtare dhe në praktikat e mira që po shumohen në
bashkësitë tona kishtare.

Me një ndjenjë të vërtetë përkatësie në Kishën e Krishtit, përpiqemi të jemi ndërtues bujarë të një
qytetërimi që vlerëson dhe ruan gjithçka që është njerëzore dhe që di t’i japë vlerën e duhur asaj që
është një dhuratë e Hyjit në jetën e njerëzve.

Përpara pyetjes: “Një shtëpi për të gjithë?”, kjo dëshiron të jetë përgjigjja jonë, e thurur me
vullnesën e mirë dhe me angazhimin konkret për ta ripërtërirë oikos-in e Hyjit çdo ditë. Vetëm nëse
do të dimë ta praktikojmë drejtësinë dhe ta themi të vërtetën që kemi në zemër, nëse nuk i shkaktojmë
ndonjë dëm të afërmit tonë, atëherë do të jemi të denjë “të hyjmë në tendën tënde” (krh. Ps 15 [14],
1), dhe oikos-i i Tij do të jetë me të vërtetë një shtëpi për të gjithë.

I ftojmë të gjithë të krishterët në kishat e Evropës, në famulli, në bashkësitë kishtare dhe çdo njeri
vullnetmirë që ta respektojë Kohën e Krijimit nga data 1 shtator deri me datën 4 tetor dhe ta
konsiderojë atë si një mundësi për të kretmuar dhuratën e krijimit me një shpirt ekumenik, të bashkuar
në lutje dhe në veprim. Përveç kësaj, i ftojmë të gjithë që të luten për samitet ndërkombëtare që do të
mbahen këtë vjeshtë, përkatësisht Konferencën e Kombeve të Bashkuara mbi Biodiversitetin dhe
Konferencën e Palëve mbi Ndryshimet Klimatike, në mënyrë që të jenë një rast i përshtatshëm për të
marrë masat e nevojshme për përballimin e emergjencës klimatike.

26 gusht 2021
I nderuari Christian Krieger Kardinal Angelo Bagnasco
President i KEK-së President i KKIE-së

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme