33.5 C
Tirana
HomeKryesorDallimi shpirtëror: jemi të thirrur të formojmë ndërgjegjet, jo të pretendojmë që...
HomeKryesorDallimi shpirtëror: jemi të thirrur të formojmë ndërgjegjet, jo të pretendojmë që...

Dallimi shpirtëror: jemi të thirrur të formojmë ndërgjegjet, jo të pretendojmë që t’i zëvendësojmë ato.

Françesku dhe dallimi në rrugën e shën Injacit. Dallimi është shtylla e “Ushtrimeve shpirtërore” dhe e pontifikatit të Bergolios: një rrugë njohjeje, rishqyrtimi, pjekurie, po edhe lufte

Po botojmë një fragment nga parathënia e At’ Antonio Spadaro nga vëllimi Mbi dallimin [Sul discernimento] (EDB, 144 faqe), i cili mbledh serinë e parë të katekezave të Papa Françeskut mbi dallimin shpirtëror, mbajtur ndërmjet muajve gusht 2022 dhe janar 2023.

Më 30 korrik 2016, në një takim privat me jezuitët polakë në Krakovia, Papa Françesku pohoi se “Kisha sot ka nevojë të rritet në aftësinë e dallimit shpirtëror”. Dhe ai vazhdoi: «Disa plane të formimit meshtarak rrezikojnë të edukojnë në dritën e ideve shumë të qarta dhe të dallueshme, dhe për rrjedhojë të veprimit me kufizime dhe kritere të përcaktuara në mënyrë të ngurtë a priori, dhe që anashkalojnë situatat konkrete: «kjo duhet të bëhet, kjo nuk duhet të bëhet…”. Kësisoj, seminaristët, si të bëhen meshtarë, e kanë të vështirë të shoqërojnë jetën e kaq shumë të rinjve dhe të rriturve. Sepse shumë pyesin: “A mund të bëhet kjo apo nuk mund të bëhet?”. Kjo është e gjitha. Dhe shumë njerëz dalin të zhgënjyer nga rrëfyestorja. Jo sepse prifti është i keq, por sepse prifti nuk ka aftësinë të dallojë situatat, të shoqërojë në dallimin e njëmendtë. Ai nuk ka marrë formimin e nevojshëm”.

Ai vazhdoi: «Priftërinjtë e ardhshëm duhet të formohen jo në ide të përgjithshme dhe abstrakte, të cilat janë të qarta dhe të dallueshme, por me qëllimin e dallimit të shpirtrave në mënyrë që ata të mund t’i ndihmojnë vërtet njerëzit në jetën e tyre konkrete. Kjo gjë duhet të kuptohet me të vërtetë: në jetë nuk është gjithçka e zezë mbi të bardhë apo e bardhë mbi të zezë. Jo! Në jetë mbizotërojnë nuancat e grisë. Prandaj është e nevojshme të mësojmë të dallojmë në këtë gri».

Prandaj, në magjisterin e Papa Françeskut, dallimi injacian duket se është një fjalë kyçe. Vetë shërbesa e tij pjetrine jetohet në formën e shërbesës së dallimit ungjillor shpirtëror dhe baritor (krh. Evangelii gaudium, n. 33; 50; 154), e aftë për t’i dhënë shtysë një krishterimi të pjekur. Mund ta çmojmë dallimin si një nga shtyllat madhore të pontifikatit të tij.

Një dokument i brumosur nga dallimi injacian është, për shembull, nxitja apostolike Amoris laetitia. “Është meskine të ndalemi për të konsideruar vetëm nëse të vepruarit e një personi i përgjigjet apo jo një ligji apo një norme të përgjithshme, sepse kjo nuk mjafton për të dalluar dhe për të siguruar një besnikëri të plotë ndaj Hyjit në ekzistencën konkrete të një qenieje njerëzore”. (n. 304). Në thirrjen apostolike, emri «dallim» dhe folja «dalloj» përsëriten shpesh, duke përvijuar një «kthim baritor» të mirëfilltë. Për shumë kohë, thekson Papa, kemi këmbëngulur vetëm «në çështje doktrinore, bioetike dhe morale, pa e motivuar hapjen ndaj hirit», dhe vijon: “E kemi të vështirë edhe t’i japim hapësirë ndërgjegjes së besimtarëve, që shumë herë i përgjigjen sa më mirë që është e mundur Ungjillit në mes të kufizimeve të tyre dhe mund ta çojnë përpara dallimin e tyre personal përballë situatave në të cilat prishen të gjitha skemat. Jemi të thirrur të formojmë ndërgjegjet, jo të pretendojmë që t’i zëvendësojmë ato” (Amoris laetitia, n. 37).

Por çfarë është dallimi? Tek Ef 5,8-17, pasi nxitemi të veprojmë «si bijtë e dritës», Pali mëson se «fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta», duke na ftuar që të përpiqemi «të shqyrtojmë atë që i pëlqen Hyjit», për t’i kushtuar vëmendje të madhe mënyrës se si jetojmë: «jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë», dhe përfundon: «Mos jini të paarsyeshëm, por dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit» (Ef 5,8-10.15-17).

Për «dallimin e shpirtrave» flitet te 1 Kor 12,10 si një nga dhuratat e shumta të Shpirtit Shenjt që Pali rendit në atë kapitull. Një frazë e ngjashme gjendet edhe në Letrën e Parë të Gjonit: «Të dashurit e mi! Mos i besoni çdo shpirti, por vërini në provë shpirtrat për t’i vërtetuar a janë të Hyjit […]» (1 Gjn 4,1). Përgjatë Shkrimit ne gjejmë referime të tjera, indirekte, por domethënës, mbi dallimin. Të gjitha referimet pohojnë se ekzistojnë «shpirtra» të ndryshëm që veprojnë në botë dhe në jetën tonë. Sigurisht, Shpirti Shenjtë i Hyjit na tërheq te Hyji, por ka edhe shpirtra të tjerë që mund ta pengojnë ecjen tonë. Dallimi na ndihmon të përcaktojmë se çfarë na çon te Hyji dhe çfarë na çon larg prej tij.

Në Shkrim dhe në traditën shpirtërore, për shembull, midis etërve dhe nënave të shkretëtirës, ai ose ajo që ushtron dallimin shpirtëror për të tjerët ose i shoqëron ata në udhëtimin e tyre, zotëron dhuratën ose karizmën e dallimit. Tradita shpirtërore, siç e gjejmë në Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit të Loyolës, formulon «rregullat për dallimin», të cilat u ofrohen atyre që drejtojnë ata që bëjnë Ushtrimet.

Itinerari i Ushtrimeve të Shën Injacit të Loyolës shënohet nga një përqasje e personit ushtrues me ekzistencën e tij në marrëdhënie me Hyjin deri në skajet më të thella. Përqasja me realitetin vetjak të mëkatit, me mëshirën e Hyjit dhe me etapat e jetës së Krishtit nuk e lënë indiferent praktikuesin. Në përqasje me leximin e fjalës së Hyjit dhe përsiatjen mbi misterin e shpëtimit, te personi ushtrues lëviz «diçka» që duhet njohur. Ky është pikërisht dallimi.

Bërthama qendrore rreth së cilës rrotullohet e gjithë përpjekja e përkufizimit që përdor Injaci qëndron në të perceptuarit ose jo i orientuar dhe i bashkuar me Krijuesin dhe Zotin. Kjo është gjithashtu bërthama dhe lëvizja qendrore e gjithë jetës shpirtërore. Është ngushëllim ai gëzim që e shtyn njeriun të dojë gjithçka për vetë Hyjin. Është shkretim situata afektive e njeriut që ndihet i ndarë nga Krijuesi dhe Zoti i tij. Në një kontekst zapping-u të vazhdueshëm ekzistencial, «pa urtinë e dallimit mund të shndërrohemi lehtë në buratinë të nënshtruar prirjeve të momentit» (Gaudete et exultate, n.167).

Ashtu si Ushtrimet të çojnë në jetë, ashtu edhe puna dalluese çon në një përvetësim prej anës së ushtruesit të një «urtie jete». Ushtruesi, i shoqëruar në dallim, bëhet i vetëdijshëm për veten, për nevojat që mbart brenda, për mënyrën se si hyn Hyji në jetën e tij dhe për botën në të cilën ai tundohet.

Prandaj – shkruante Françesku kur ishte provincial i jezuitëve argjentinas – «dallimi është një mjet lufte». Madje: «Kur, në ndjekjen e Zotit, mungon lufta ose vigjilenca, shpesh vjen një tundim i fshehtë për idhujtari: ai i bërjes së dhuratave të Zotit ose vetë Zotit një objekt që mund të reduktohet në kategoritë tona egoiste». Të mos e pranosh natyrën luftarake të thirrjes sonë, nga frika e konfliktit, do të thotë t’u drejtohesh, «të gjitha llojeve të përshtatjeve dhe paqartësive/pështjellimeve… për sa kohë që ka qetësi. Që do të thotë: përderisa nuk shfaqet asnjë kontradiktë. Rezultati: burra dhe gra që nuk dinë asgjë për paqen e vërtetë, por jetojnë frikacakërinë ose, nëse dëshironi, paqen e varrezave».

Së fundi, lufta shpirtërore për të cilën flet Bergolio është e çuditshme. Është një luftë dëshire. Të luftosh për të fituar Hyjin «nuk është të bësh Don Kishotin» e së shenjtës, por të kuptosh se Hyji nuk mund të fitohet. Dhe të fitosh me të, do të thotë të lejosh të fitohesh në një mënyrë përnderuese pa e lënë atë të ikë. Kemi të bëjmë me një lloj gramatike bisedimi të dashur, ku lufta e vërtetë është «kundër dëshirës sonë për ta gjetur Hyjin më shumë në mbresat tona njerëzore sesa në gjurmët e tij hyjnore. Mbresat e sukseseve apo dështimeve tona dhe jo gjurmët e realizimeve të Hyjit; mbresat e dhimbjeve tona dhe jo gjurmët e bekimeve të tij frytdhënëse; mbresat e mëkateve tona dhe jo gjurmët e faljes së tij». Hyji ikën: sa më shumë ta ndjekësh, aq më shumë ai ikën, sa më shumë të përqendrohesh te vetja, aq më i panjohshëm bëhet ai. Dallimi shpirtëror, nga ana tjetër, është e kundërta, d.m.th.: «njohim në mbresat tona njerëzore gjurmët e Hyjit”, duke dalë nga vetë-referimi.

BurimiAvvenire

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Atë

Të ngjashme