10.5 C
Tirana
HomeEditorialÇfarë është një Provincë kishtare apo Metropoli? 
HomeEditorialÇfarë është një Provincë kishtare apo Metropoli? 

Çfarë është një Provincë kishtare apo Metropoli? 

Redaksionale


Me datë 10 korrik 2022, Imzot Arian Dodajt, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit, iu vendos i ashtëquajturi Palium Metropolitan prej Nuncit Apostolik në Tiranë. Në sintezë Paliumi, i përbërë prej leshit të deles dhe që vendoset mbi shpatullat e Metropolitit, tregon lidhjen e veçantë të një Arqipeshkëvi Metropolit me Atin e Shenjtë, të cilin e ndihmon në mbajtjen mbi supe të deleve, të peshës së Kishës, si Bari i Mirë. Një Metropolit pra ka për detyrë kryesisht të vigjëlojë mbi Provincën kishtare apo Metropolinë, në mënyrë që besimi dhe disiplina kishtare të zbatohen ashtu si duhet dhe të informojë Atin e Shenjtë në rast abuzimesh eventuale (Kan 436, § 1, 10).

Po çfarë është një Provincë kishtare apo një Metropoli sipas Kodit të së Drejtës Kanonike?

Në Kishën Katolike romake, është një grupim kishash të veçanta. Kuptojmë me kishë të veçantë para së gjithash një dioqezë së cilës i barazvlehen edhe të ashtëquajturat Prelatura territorialeAbacia territorialeVikariati apostolikPrefektura apostolike dhe Administratura apostolike (Kan. 368). Nuk është vendi këtu të shpjegojmë secilën prej tyre, por po japim vetëm përkufizimin e Doqezës e cila është “një pjesë e popullit të Hyjit që i besohet përkujdesjej baritore të një ipeshkëvi me bashkëpunimin e meshtarëve në mënyrë që duke iu pranëvendosur bariut të tyre dhe prej tij të bashkuar në Shpirtin Shenjtë, nëpërmjet Ungjillit dhe Eukaristisë, të ndërtojnë një Kishë të veçantë në të cilën përnjimend është e pranishme dhe vepruese Kisha e Krishtit e cila është një, e shenjtë, katolike dhe apostolike.” (Kan 369). Pra mund të themi se në një dioqezë gjendet e pranishme Kisha e Hyjit dhe në vetëvete ajo ka të gjitha elementet që e bëjnë atë Kishë.

Qysh në shekujt e parë të krishtërimit, midis kishave të veçanta, janë krijuar forma të ndryshme bashkëpunimi, sikurse kanë qenë Koncilet (Sinodet) e përgjithshme dhe ato provinciale. Këto më pas kanë marrë edhe forma më jetëgjata duke krijuar kështu një bashkëpunim të përhershëm në formën e Provincave kishtare që janë një grupim kishash të veçanta, ku njëra prej dioqezave merr edhe emrin e Kryedioqezës. Në histori këto grupime kanë marrë forma të ndryshme administrimi dhe kanë pasur kompetenca të ndryshme.

Në Kodin aktual të së Drejtës Kanonike një Provincë kishtare apo Metropoli ka këtë përkufizim:

“Në mënyrë që të promovohet një veprim baritor i përbashkët nga ana e dioqezave të ndryshme të afërta (me njëra-tjetrën), sipas rrethanave të personave dhe të vendeve e që të favorizohen në mënyrë më të përshtatshme marrdhëniet ndërmjet ipeshkëvinjëve dioqezanë, Kishat e veçanta të bashkohen në provinca kishtare, të kufizuara nga një territor i përcaktuar” (Kan 431 § 1). Në një Provincë kishtare kanë autoritet Koncilet provinciale dhe Metropoliti.

Në Shqipëri kemi dy Provinca kishtare: Metropolia Tiranë-Durrës me tre dioqeza (Tiranë-Durrësi që është Selia metropolitane dhe Arqipeshkëvi i saj është edhe Metropolit, Dioqeza e Rrëshenit dhe Administratura Apostolike e Jugut.) dhe Metropolia e Shkodër – Pult po ashtu me tre dioqeza (Shkodër-Pult ku është edhe selia Metropolitane, Dioqeza e Lezhës dhe ajo e Sapës). Selia kryesore pra quhet Seli Metropolitane, ndërsa të tjerat quhen dioqeza sufragane.

Një Provincë kishtare themelohet nga Autoriteti i Epërm i Kishës (pra nga Selia e Shenjtë) pasi ka dëgjuar ipeshkvinjtë e dioqezave të interesuara.  Metropolitë janë pra një organizëm tradicional për të bërë të mundur koordinimin e punës baritore dhe të ungjillizimit në një territor të caktuar, në një pjesë të caktuar të populli të Hyjit, por që nuk janë e njëjta gjë me Konferencat Ipeshkvore dhe nuk mund t’i zëvendësojnë ato.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme