10.5 C
Tirana
HomeKryesorÇelësi i fjalëve të Kishës: nëntë vitet e papnisë së Françeskut
HomeKryesorÇelësi i fjalëve të Kishës: nëntë vitet e papnisë së Françeskut

Çelësi i fjalëve të Kishës: nëntë vitet e papnisë së Françeskut

Çmenduria e luftës, që shpërtheu më 24 shkurt, ndërmjet Rusisë e Ukrainës, mjerisht, shënoi edhe përvjetorin e nëntë të papnisë së Françeskut, duke e lënë pak anash. Por impenjimi i vazhdueshëm i Atit të Shenjtë në favor të paqes, që nga ai 13 mars i vitit 2013, na bën sot të përvijojmë një bilanc të papnisë, pikërisht duke pasur parasysh thirrjet, takimet e përpjekjet e Françeskut për dialog, në të gjitha nivelet. Është pra ky, këndvështrimi, me të cilin e shohim sot këtë përvjetor.

Lufta është çmenduri

“Lufta është çmenduri”, përsëriti disa herë Papa këto ditë, i dëshpëruar për lumenjtë e gjakut e të lotëve, që vazhdojnë të derdhen në luftime, duke bërë thirrje për hapjen e korridoreve të vërteta humanitare dhe duke nxitur të ndihmohen “njerëzit e trembur nga bombat dhe frika”. Por “çmendurisë së luftës”, Françesku na fton t’i përgjigjemi me “marrëzinë e dashurisë”, me dashurinë ungjillore, që “mbush zemrën dhe jetën e atyre, që takohen me Jezu Krishtin”. Stili i papnisë së tij është pikërisht ky: të çojë deri në periferitë më të skajshme të tokës shpresën e Lajmit të Mirë, në mënyrë që kumtimi i tij të arrijë tek të gjithë, duke i çliruar nga mëkati dhe duke u dhuruar gëzimin e Krishtit.

Thirrjet për paqen

Emblematike për këtë, thirrjet e shumta për paqen gjatë gati një dekade të papnisë. Jo më larg se vitin e kaluar, Ati i Shenjtë e hapi dhe e përfundoi me kërkesë për paqe. Kjo shihet qartë në dy udhëtime apostolike: në mars, në Irak dhe, në dhjetor, në Qipro e Greqi. Në të dyja udhëtimet, jehoi thirrja e Françeskut për t’iu kundërvënë të gjitha formave të dhunës dhe për t’u kthyer në gurrën e humanizmit e të vëllazërimit. Fjalë të ripohuara edhe në shtator 2021, gjatë udhëtimit në Budapest e Sllovaki, në të cilin Françesku dënoi të gjitha format e dhunimit të dinjitetit njerëzor. Për të mos folur pastaj për këtë kohë lufte, kur nuk ka rast, që Papa të mos e shfrytëzojë për të bërë thirrje kundër luftës e për të kërkuar mirëpritjen e refugjatëve, duke vënë në këtë fushë beteje të papritur të gjitha forcat, edhe ato diplomatike të Vatikanit e duke u impenjuar personalisht, siç mund të kuptohet edhe nga biseda e tij e fundit në video me Patrikun e Moskës e të gjithë Rusive, Kirill.

Pandemia dhe thirrja për vëllazërim

E pjesë e betejës së tij për t’u dhënë njerëzve dinjitetin, që meritojnë, është edhe përballimi i pandemisë së Covid-19, që e detyroi botën të ndalet, e tronditur rëndë. Françesku vazhdimisht kërkon liberalizimin e patentave të vaksinave, në mënyrë që të gjithë të mund të vaksinohen, pa dallime. Duke u qëndruar pranë besimtarëve me lutje, ai i jep guxim botës, duke e ftuar t’ia besojë veten Zotit. “Të përqafosh Kryqin e Krishtit – pati thënë Papa në të paharrueshmen ‘Statio Orbis’, kryesuar më 27 mars 2020, në tremen e Bazilikës së Vatikanit – do të thotë të gjesh forma të reja mikpritjeje, vëllazërimi, solidariteti”. Pikërisht vëllazërimi është në qendër të enciklikës së tretë të Atit të Shenjtë, “Fratelli tutti”, nënshkruar më 3 tetor, dy vjet më parë në Asizi, pranë varrit të Shën Françeskut. Letër qarkore, që bën thirrje për miqësi shoqërore dhe i thotë “jo” luftës, për të ndërtuar një botë më të mirë. Botë, për të cilën vijon të punojë Papa, edhe ndwrsa bombat bien mbi Ukrainë e përhapet ajo Luftë III Botërore pjesë-pjesë, kundër së cilës e ka ngritur e vazhdon ta ngrejë zërin shpesh.

Marrë nga Radio Vatikani

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme