Përkujtojmë sot 111-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, Shenjtes shqiptare të bamirësisë, në të cilën, të gjithë shqiptarët kanë përfaqësuesen e tyre më të denjë në sytë e gjithë botës. Në këtë periudhë, nga 26 gushti e deri më 5 shtator (data e vdekjes së saj në Kalkutë, në vitin 1997 e festa e saj liturgjike), Kisha në trojet shqiptare, por edhe institucione të tjera, e nderojnë “Lapsin e vogël në dorën e Zotit” me nisma, lutje e meshë. Edhe ne, rubrikën e sotme ia kushtojmë pikërisht asaj.
Përkujtojmë sot 111-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, shenjtores së madhe të më të varfërve ndër të varfër, përmes një kujtimi të shkrimtarit filantropik francez, Dominique Lapierre.
E paharrueshme Nënë Tereza! – shkruan Lapierre. Deri në frymën e fundit do të vazhdoj ta shoh siluetën e saj me sarin bardh e blu në mesin e mitralozëve të luftës civile libaneze. Mbante në krahë një foshnjë. Përpiqej të kapërcente kufirin ndërmjet lagjeve myslimane e atyre të krishtera në Bejrut. Askush nuk e kishte ndaluar dot të ekspozohej deri në atë pikë. Kur u duk qartë në mesin e të shtënave, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Mitralozët, pushkët, heshtën. Mund të thuhej se një valë paqeje u përhap papritmas në fushën e betejës, duke e bërë të turpërohet urrejtjen dhe marrinë e njerëzve. Asnjë skenë, për sytë e mi, nuk do të shprehë më kurrë me kaq forcë karizmën e pazëvendësueshme të shenjtes së Kalkutës, si ajo dukje e magjishme në një nga fushat më të tmerrshme të betejës së vuajtjes njerëzore.
Sa herë, në ferrin e lagjeve të Kalkutës, ose në atë, shpesh edhe më tragjik, të Perëndimit, …sapo dukej Nënë Tereza, njerëzve të përulur nga fati i keq e nga mjerimi, u shndriste në fytyrë një shprehje lumturie, mirënjohjeje, besimi. Sikur vetëm prania e kësaj gruaje, që mishëronte bamirësi e dashuri, ta zhdukte frikën, ta mbushte barkun bosh, të rijepte shpresën. Sepse ky ishte mesazhi i vetëm i Nënë Terezës: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.
Kam pasur fatin të zbuloj ç’kuptim kishte në të vërtetë ky mesazh, që ditën e parë të takimit me të, në vitin 1981 – tregon Lapierre. Atë ditë isha për vizitë në “Shtëpinë e Zemrës së Pastër”, institucioni i parë, që Nënë Tereza e pati ngritur për të ndihmuar të mjerët e Kalkutës, braktisur rrugëve. Po lante plagët e një burri akoma të ri, kaq skelet, sa dukej as i gjallë e as i vdekur. Mishi sikur i ishte shkrirë. I mbetej vetëm lëkura e tendosur mbi kocka. Nënë Tereza i fliste me ëmbëlsi në gjuhën bengaleze. Nuk do ta harroj kurrë vështrimin e atij të palumi. Vuajtja i shndërrohej pak nga pak në habi, pastaj në paqe, në paqen e një njeriu, i cili pa pritur, ndjen se e duan.
Duke e kuptuar se ishte dikush pas saj, rregulltarja u kthye. E ndjeva veten jashtëzakonisht keq: po ndërprisja një dialog, që e kuptoja se ishte unik. U paraqita. Nënë Tereza thirri një vullnetar të ri evropian, që kalonte aty pari me një tas në dorë. “Duaje – e urdhëroi me dorën mbi ballin e të mjerit, që kishte përpara. – Duaje me të gjitha forcat”. E veshi burrin me bezet e me kapset e veta, u çua dhe ma bëri me shenjë ta ndiqja drejt dhomës së vogël, që ndante sallën e burrave nga ajo e grave. Aty ishte një tryezë e një bangë, ndërsa në mur, një kuadër me shkrim dore. “Mjerimi më i madh nuk është uria, ose gërbula – më tha – por ndjenja se je i padëshirueshëm, i refuzuar, i braktisur nga të gjithë”. Këto pak fjalë e përmblodhën në sytë e mi vlerën universale të veprës së Nënë Terezës – nënvizon Lapierre.
Për të, të varfërit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që në botë, kanë uri për bukë e për oriz. Të varfërit ishin edhe miliona të përjashtuarit, të braktisurit, të paprekshmit, njerëzit pa familje, ata që kanë etje për dashuri, dinjitet, paqe, drejtësi e shpresë; që nuk dinë të buzëqeshin më, sepse askush nuk i vështron më me ngrohtësi e nuk u jep një dorë, si vëllait. Po, e paharrueshme Nënë Tereza!
Marrë nga kontributi i Dominique Lapierre në librin “Madre Teresa. Leader per misione”, i Roma Bose dhe Lou Faust, Shtëpia Botuese Egea, 2013.
Marrë nga Vatican News