11.5 C
Tirana
HomeKISHCCEE, Imzot Angelo Massafra: një ballafaqim i vazhdueshëm midis Kishave evropiane
HomeKISHCCEE, Imzot Angelo Massafra: një ballafaqim i vazhdueshëm midis Kishave evropiane

CCEE, Imzot Angelo Massafra: një ballafaqim i vazhdueshëm midis Kishave evropiane

Në kremtimet për 50-vjetorin e themelimit të Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve të Evropës mori pjesë, mes të tjerëve, imzot Angelo Massafra, president i Konferencës ipeshkvore të Shqipërisë. Gjithashtu me rastin e 70-vjetorit të lindjes së programit shqiptar të Radio Vatikanit, prelati vizitoi transmetuesin e Selisë së Shenjtë. Shqipëria shikon kah Evropa për të nisur një ecje përparimi, tha ai në intervistën tonë.

Këshilli i Konferencave Ipeshkvore të Evropës (CCEE) është një organ baritor, por që dialogon me të gjitha realitetet shoqërore dhe politike të Kontinentit të vjetër. Këtë e pohoi imzot Angelo Massafra, president i Konferencës ipeshkvore të Shqipërisë, në një intervistë për Radio Vatikanin-Vatican News. “Për një Kishë të vogël si ajo e jona – pohoi prelati – ballafaqimi me Kishat e tjera më të mëdha është shumë i rëndësishëm. Kjo na lejon të pasurojmë pamjen tonë mbi problemet e momentit, për të gjetur zgjidhje të reja. Prandaj është një përvojë bashkimi dhe bashkëndarjeje”.

Imzot Massafra, cila është përvoja e Kishës në Shqipëri brenda CCEE?

Ne jemi pjesë e një Kishe të vogël, asaj në Shqipëri, mirëpo, në ballafaqimin me presidentët e tjerë të Konferencave ipeshkvore evropiane, ne hyjmë në kontakt me shumë probleme, shumë gjëra pozitive, kemi shumë marrëdhënie. Mendja jonë pasurohet, hapet dhe nuk rrezikon të mbetet në realitetin e vet. Është një përvojë shumë e bukur e bashkimit, e reflektimit, e përfshirjes, e stimulimit, e kujtesës, por edhe e propozimit, kështu që është një organizëm shumë interesant. Pastaj çdo Konferencë e posaçme zbaton në vendin e vet udhëzimet që vijnë nga dokumenti përfundimtar, i prodhuar nga vetë ne dhe më pas i miratuar para se të botohet.

Përvoja dhe realitete të ndryshme në ballafaqim, megjithëse i përkasin të njëjtit kontinent. Cilat janë, sot, problemet e Shqipërisë?

Ardhja në CCEE e vendeve lindore, pas rënies së komunizmit, e bëri këtë organizëm të punojë me dy mushkëri, siç thoshte shën Gjon Pali II: mushkëria e Kishës në perëndim dhe ajo e Kishës në Evropën e lindjes. Në të gjitha vendet ish komuniste kishin ngelur shumë problematika për t’u zgjidhur, si drejtësia, solidariteti, edukimi i të rinjve, zhvillimi ekonomik. Ne u ballafaquam në lidhje të gjitha këto tema brenda Këshillit dhe u përftua një pasurim i Kishave vendore. Ne aktualisht kemi këtë rrezik të pandemisë që ka goditur edhe Shqipërinë. Prandaj, me të gjitha vështirësitë tona ekonomike, ne jemi prapëseprapë pranë të varfërve me institucionet tona. Njerëzit gjithashtu kanë pësuar tërmetin dy vjet më parë dhe shqiptarët janë pak të shkurajuar, në fakt vërehet largimi nga Shqipëria i shumë familjeve, shumë të rinjve, shumë adoleshentëve. Ky është një problem i madh, mirëpo kjo nënkupton edhe një angazhim më të madh nga ana e shtetit për shtimin e vendeve të punës, përmirësimin e drejtësisë dhe shumë problematika të tjera që nuk varen drejtpërdrejt nga ne. Ne bëjmë pjesën tonë, porse jemi një realitet i vogël në shoqërinë shqiptare dhe bota civile gjithashtu duhet të bëjë pjesën e saj.

30 vjet më parë Shqipëria përjetoi momentin e dhimbshëm të luftës civile dhe eksodin e shumë të rinjve. Si e jetuat atë periudhë?

Tridhjetë vjet më parë isha në Pulja, jam françeskan dhe pikërisht atje mirëpritëm shumë shqiptarë. Ishte kjo arratisje e madhe nga komunizmi, një regjim që i shkatërroi njerëzit dhe kombin, pastaj qe ardhja e demokracisë. Kur shkova në Shqipëri, në fillim të viteve ’90, kishte varfëri dhe mjerim, por edhe një gëzim të madh për të jetuar, sepse ata kishin vënë mënjanë një regjim shtypës të lirisë, i cili pengonte, për shembull, të takoheshin dy ose tre. Kështu që ka qenë një ecje vërtete e mrekullueshme. Sot sipas mendimit tim, falë atyre që na kanë ndihmuar, shtetit, kushdo që vjen në Shqipëri sheh një komb që është zhvilluar shumë. Megjithatë, nevojitet jo vetëm zhvillimi ekonomik, por edhe ai kulturor dhe social i cili nxjerr në pah të mirën e përbashkët, solidaritetin dhe drejtësinë. Pra, duhet të këmbëngulim shumë mbi faktin se e mira e përbashkët, sot, duhet të realizohet së bashku, veçanërisht tani që pandemia ka ngadalësuar ndjeshëm përparimin që ne po bënim. Unë shoh një ecje shumë interesante, e cila sidoqoftë duhet të zhvillohet në një mënyrë më të drejtë. Sot në Shqipëri ka nga ata që janë shumë të pasur dhe nga ata që janë shumë të varfër.

Me çfarë fryme e shikon Shqipëria procesin e integrimit evropian?

Është e vërtetë se ka shumë standarde që ne nuk i kemi arritur ende, megjithatë ne kërkojmë të na japin një dorë, të na japin një vend të vogël në Evropë. Kjo do të na bëjë të ndjekim një rrugë të virtytshme. Janë bërë hapa përparimi, por duhet të këmbëngulim dhe prandaj diplomacitë evropiane të na mundësojnë të nisim një ecje serioze me kontrollet e nevojshme, në mënyrë që procesi i integrimit të çohet në përmbushje sa më parë të jetë e mundur. Sa më shumë që vonojmë, aq më keq është.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme