9.5 C
Tirana
HomeKISHBiseda me Hyjin përmes ëmbëlsisë së psalmeve
HomeKISHBiseda me Hyjin përmes ëmbëlsisë së psalmeve

Biseda me Hyjin përmes ëmbëlsisë së psalmeve

Atë Flavio Cavallini

Libri i Psalmeve përmban njëqind e pesëdhjetë përgjigje që njeriu ka shprehur në harkun kohor të 1000 vjetëve në formën e lutjes.

Rezultati është një ecje e gjatë formuese për të mësuar që të flasim me Hyjin në gjuhën e tij. Jo, jo në hebraisht, por në gjuhën e Shpirtin.

Duke komentuar librin e Psalmeve shën Ambrozi shkruan: «I tërë Shkrimi Shenjt hukat mirësinë e Hyjit, megjithatë, më shumë se askush tjetër e bën këtë gjë libri i ëmbël i Psalmeve». E vijon: «Çfarë mund të jetë më e ëmbël se një psalm? Psalmi, në të vërtetë, është bekim për besimtarët, lavd ndaj Hyjit, himn i popullit, brohoritje e të gjithëve, fjalë e gjithmbarshme, zë i Kishës, shpallje dhe këngë e fesë, shprehje e devotshmërisë së vërtetë, gëzim i lirisë, klithje ngazëllimi, kumbim hareje. Zbut zemërimin, çliron nga shqetësimi, në trishtim ngre shpirtin. Është mbrojtje gjatë natës, tregon udhën gjatë ditës, mburojë në momentin e frikës, festë në shenjtëri, shëmbëllesë e qetësisë, peng i paqes e i harmonisë që, sikurse cetra, nga tingujt e shumtë e të larmishëm, nxjerr një melodi të vetme. Psalmi këndon agimin e ditës, psalmi bën të rijehojë perëndimi. Në psalm kënaqja dhe mësimi seç duan t’ia dalin njëra-tjetrës!».

Nëse në Bibël janë shkruar shtatëdhjetë e dy libra për ta pyetur njeriun, në mënyra të ndryshme, në lidhje me marrëdhënien e tij me Hyjin, libri i Psalmeve përmban njëqind e pesëdhjetë përgjigje që njeriu ka shprehur në harkun kohor të 1000 vjetëve në formën e lutjes.

Rezultati është një ecje e gjatë formuese për të mësuar që të flasim me Hyjin në gjuhën e tij. Jo, jo në hebraisht, por në gjuhën e Shpirtin.

Alfons Shëkel, një komentues modern, shkruan: «Ndodh si atëherë kur një fëmijë fillon të shqiptojë në mënyrë të vetëdijshme fjalët e para: babi, mami. I ka shqiptuar më parë nëna e tij, kanë zbritur në brendësinë e tij, derisa takohen me një instinkt që po i priste, që pothuajse i njeh, dhe i bën të dalin hopthi jashtë. Në buzët e nënës zbresin për të mësuar, e në buzët e të birit bëhen një thirrje, që dallon dhe bashkon…».

Sa e vështirë është të kuptosh një fëmijë. Për çfarë ankohet, ku i dhemb, çfarë kërkon? Çfarë domethënieje ka buzëqeshja e tij, lotët e tij? Të ndjerit mirë apo keq, janë të dhëna tepër të përgjithshme e të paqarta për nënën. Por kur fëmija mëson gjuhën amnore, mund të kuptohet më mirë. Mund të kërkojë e të tregojë, mund të bëjë shumë pyetje e të përgjigjet nga pak, mund të komunikojë e të sqarohet. E kur mbetet i vetëm, mëson të flasë me vetveten dhe fantazia e tij përcillet me gjuhë të kuptueshme.

Ajo që ka ndodhur me çdonjërin prej nesh rreth moshës tre vjeçare, është ajo që ndodh, në kohë të ndryshme, në tentativat tona për t’u kuptuar me Hyjin. Autori ynë vijon: «Nuk mungon në njeriun një farë instinkti që i përgjigjet në mënyrë të mjegullt Hyjit; me anë të tij arrin të lëshojë ankime jo të artikuluara. Vetë Hyji i mëson gjuhën në mënyrë që të mund të shpjegohet përballë tij: që të mund të ankohet në mënyrë të kuptueshme, të tregojë se ku i dhemb e për çfarë ka nevojë, që t’i japë shpjegim buzëqeshjes dhe gëzimit të tij, që të mund të bashkohet me vëllezërit e tij në një këngë të njëzëshme, që të dijë të zbrazë me fjalë, vetëm për vetëm më Hyjin, shfrimin e zemrës së vet. Një ditë biri i madh do të ndihmojë bijtë e tjerë që të mësojnë të flasin».

Të komunikosh, të shprehesh, natyrisht se nuk është vetëm çështje e përsëritjes së fjalëve. Ashtu edhe lutja e Psalmeve, nuk është thjesht përsëritje, por nxënie pak e nga pak e një gjuhe, gjithnjë e gatshme për ne, në forma gjithnjë të reja e të plota:

Nuk duhet as të kemi frikë … që t’i ndryshojmë e t’i përshtatim psalmet; t’u japim kohë këtyre fjalëve që të tingëllojnë e të zgjerohen. Një ditë, pasi të mësohet gjuha e tyre, mbase do të jemi në gjendje të krijojmë të tjera lutje të ngjashme me to.

Lutja e hedhur në poezi e në muzikë

Bibla hebraike flet për Tehillim, d.m.th për Lavde, ose Himne, me fjalë të tjera, për krijime poetike me synimin për t’u kënduar me shoqërim muzikor.

Është pikërisht instrumenti me tela picikato, një lloj harpe e quajtur në greqisht psalterion, që i jep emrin krejt përmbledhjes të secilit prej këtyre krijimeve, të quajtur pikërisht Psalme.

Psalmet janë shkrime sipas modalitetit tipik të poezisë lindore, të bazuar kryesisht në vënien krahas shëmbëllesave dhe koncepteve e jo aq mbi asonancën e fjalëve.  

Poezia e psalmeve, kësisoj, paraqitet shpesh si kumtimi i  një mendimi dhe përsëritja e tij paralele në një formë të ndryshme. Kjo rimarrje e gjërave të thëna, sikurse në rikumbimin e një jehone, u jep psalmeve një ritëm meditativ që ua bën të mundur fjalëve të ngelen në gojë për t’i shijuar plotësisht ato.

Në të njëjtën kohë, përmes variacioneve, mendimi ndreqet, përparon, zgjerohet.

Vargje për një eksplorim shpirtëror

Kur flas për meditimin e Psalmeve më pëlqen të mendoj për eksplorimin e një pallati me tre kate. Futem në katin e parë dhe zbuloj pjesën më të lashtë të ndërtesës, atë që i ka dhënë origjinë psalmeve. Parafytyroj portretin e autorit të moçëm, marr me mend ndjenjat e tij, dramat e tij, gëzimet e tij, besimin e tij.

Ngjitem në katin e dytë dhe shoh gjurmët e restauruara, pjesë të rindërtuara, të shtuara e të modifikuara gjatë kohës. Në mure janë të varura të tjera portrete, shpesh me tipare të burrave e familjeve të tyre të shënuara nga mallëngjimet e mërgimit që prekin thellë.

Ngjitem përsëri e shoh të rivendosur gjithçka ishte në katet e mëposhtme, por me një rend të ndryshëm e gjithnjë koherent. Portretet e vendosura në mure nuk janë të errësuara apo të zbehura, por tregojnë një fytyrë ndonjëherë të dhimbshme e ndonjëherë të gëzueshme, por gjithnjë mirë të dallueshme, atë të Krishtit, atij që, pasi i ka lutur Psalmet, i ka brumosur me jetën e vet, mundimet e veta, vdekjen dhe ngjalljen e tij.

Bibla në lutje

Më parë Izraeli e më vonë Kisha, nuk e kanë ndërprerë asnjëherë lutjen e vazhdueshme, të lexuar e rilexuar, të Psalmeve. Arsyeja është e thjeshtë, Psalmet paraprijnë, shoqërojnë e ndjekin leximin e krejt Shkrimit Shenjt. Psalmet janë, po, një libër i Biblës, por e vërteta është se krejt Bibla gjendet në librin e Psalmeve. Të lutësh Psalmet është të ripërshkosh të gjithë historinë e shpëtimit, të kujtosh të gjithë aktorët e saj kryesorë, të rimendosh të gjitha ngjarjet e shënuara shpëtimsjellëse nga krijimi deri në ditën e Zotit, përmbushje e çdo gjëje. Lutja e Psalterit është të ridëgjosh profecitë mesianike për t’i parë më pas të përmbushura në Jezu Krishtin, që në fund u tha apostujve: Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme (Lk 24,44).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme