10.5 C
Tirana
HomeKulturëBashkëbisedimi bashkëshortor
HomeKulturëBashkëbisedimi bashkëshortor

Bashkëbisedimi bashkëshortor

Bashkëbisedimi është për dashurinë si gjaku për trupin.

Që nga fëmijëria na kanë mësuar që të flasim për gjërat, për të tjerët, për realitetet që na rrethojnë e për ngatërresat. Ndokush prej nesh ka marrë “mësime”, që kur ka qenë i vogël, që të bërtasë, të diskutojë apo t’i imponojë idetë e veta… Por, në realitet, kush na mësoi që të bashkëbisedojmë?

Ne kemi përvetësuar një koncept të gabuar të asaj se çfarë është bashkëbisedimi. Ne besojmë se bashkëbisedojnë mirë ata që flasin shumë. Bashkëbisedimi bashkëshortor është shumë kërkues, kërkon thellësi, nuk mund të mjaftohet thjesht me të folurën. Shumë bashkëshortë besojnë se kanë arritur një bashkëbisedim të mirë sepse flasin për gjërat, për punën, se sa “e shtrenjtë është jetesa”, për fqinjët, për programin televiziv, për vjehërrinë… Është e qartë se duhet folur për disa prej këtyre çështjeve, por nuk mund të vihemi duarkryq e të pohojmë se është arritur gjithçka në fushën e bashkëbisedimit martesor. Gjithashtu, të kujtojmë se shumë flasin, madje shumë mirë, duke kërkuar që të dëgjohen, por nuk dëgjojnë kurrë.

Të bashkëbisedosh në çift do të thotë që ta ushqesh vazhdimisht dashurinë bashkëshortore; të bësh që ajo të rritet dhe të forcohet. Si arrihet një bashkëbisedim i thellë martesor? Duke folur për veten, jo për të tjerët, për “ne-në”, duke ia transmetuar tjetrit ndjenjat personale. Duke bashkëbiseduar në mënyrë të thellë në çift, përçohen mendimet e brendshme, trishtimet, gëzimet, dëshirat dhe gjërat e vogla të jetës së përbashkët.

Shkëmbinjtë, bimësia dhe mbretëria e kafshëve përbëjnë një botë të mbyllur në vetvete. Ndryshe prej tyre, ne njerëzit mund të hapemi, të komunikojmë, të hyjmë në tjetrin dhe të lejojmë që tjetri të hyjë në ne. Pasuria dhe mrekullia e bashkëbisedimit bashkëshortor nuk janë, pra, të tjerët dhe as realitetet e përditshme, por vetë bashkëshortët, pasuritë e tyre të brendshme dhe ndjenjat e tyre.

Bashkëbisedimi është një aftësi që Hyji na e ka dhuruar si një ecje, përmes së cilës ia hapim brendësinë tonë tjetrit.

Dikush më thoshte: “nuk dimë se për çfarë të bashkëbisedojmë”. A thua është kështu? Apo jeni kaq larg njëri-tjetrit saqë nuk keni asgjë të përbashkët? Mund të bashkëbisedohet për argumente të larmishme, por themelore është që të flitet mbi vetveten, për atë që ndjehet ndërsa qëndrohet bashkë ose larg për arsye të ndryshme, të flitet për ndjenjat që ngjallin fëmijët, se çfarë përjetohet në hidhërime ose gëzime, kur tjetri të thotë “të dua” ose kur bashkëndahet i njëjti shtrat.

Bashkëbisedoni që të rrojë dashuria!” Se bashkëbisedimi është për dashurinë si gjaku për trupin.

Për bashkëbisedim në çift

  1. Si e shohim bashkëbisedimin tonë?
  2. Çfarë zbulojmë si negative në veten tonë, që e pengon bashkëbisedimin?
  3. Çfarë gjejmë si pozitive në veten tonë, që na ndihmon ta rrisim bashkëbisedimin?
  4. Çfarë mund të bëjmë për ta përmirësuar bashkëbisedimin bashkëshortor?

Për t’u lutur bashkë

O Zot,

ti që je Fjala,

që duke qenë aq i madh, je bërë aq i vogël:

një njeri; për t’u afruar,

dhe kështu të bashkëbiseduar me ne.

Na mëso të heqim dorë:

nga uni ynë krenar,

nga të qenit shpërfillës

ndaj kërkesave të tjetrit,

nga dëshira për t’i imponuar idetë tona.

O Zot,

na mëso që të bashkëbisedojmë,

që të flasim për veten tonë,

që t’i hapim zemrat tona

për të qenë krejtësisht të tjetrit,

dhe kështu brendësitë tona

të jenë një gjë e vetme.

Amen!

Shkëputur nga libri

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme