22.5 C
Tirana
HomeKryesorAti i Shenjtë Françesku u kthye në shtëpinë e Atit
HomeKryesorAti i Shenjtë Françesku u kthye në shtëpinë e Atit

Ati i Shenjtë Françesku u kthye në shtëpinë e Atit

Deklaratë për shtyp

Sapo na erdhi lajmi i kalimit në amshim të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, i cili u kthye në shtëpinë e Atit sot rreth orës 7:35 të mëngjesit, mendjet dhe zemrat tona iu drejtuan Hyjit të Gjithpushtetshëm në lutje për shpirtin e tij.

Na bien ndërmend muajt e fundit të vuajtjes së tij shëndetësore e në të njëjtën kohë këmbëngulja e tij për të qëndruar pranë popullit të tij si Bari i mirë deri në fund edhe përgjatë këtyre ditëve të Pashkëve. Ditën e Pashkës deshi vetë ai të japë bekimin Urbi et orbi si testamentin e tij të fundit. Ai iku duke na bekuar!

Papa Françesku zgjodhi të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator 2014 si vendin e parë Evropian pak pasi ishte zgjedhur në krye të Kishës. Në atë vizitë të gjithë kujtojmë fjalët e tij e më pas përkujdesjen e tij të vazhdueshme për Shqipërinë.

Papa Françesku e udhëhoqi kishën në këto vite nëpërmjet një dëshire të thellë ndryshimi dhe reformash. Ai u bë një zë i fuqishëm në të gjithë botën duke shpallur ungjillin e dashurisë ndaj më të varfërve dhe më të përjashtuarve të shoqërisë. Ai ngriti vazhdimisht zërin kundër luftës, armatimeve dhe shkatërrimit të krijimit.

Me fjalë dhe me vepra e udhëhoqi Kishën katolike drejt një trajte më të përulur, më të thjeshtë e më sinodale. Ne i jemi mirënjohës Hyjit që na dha Papa Françeskun në këto vite dhe i lutemi Hyjit që ta pranojë në banesat e amshuara të Mbretërisë së tij.

Si ipeshkvinj falenderojmë të gjithë ata që në këto momente na gjenden pranë në mënyra e forma të ndryshme. U bëjmë thirrje të gjithë komuniteteve Dioqezane, famullitare, rregulltare e çdo besimtari që të luten për Papa Françeskun. Po ashtu, duke filluar nga mbrëmja e ditës sotshme, të organizohen momente lutjeje dhe përshpirtje në të gjitha komunitetet e besimtarëve dhe këmbanat të bien në shenjë zie duke filluar nga momenti i marrjes së kësaj letre.

Krishti e pastë në parriz Papa Françeskun e i dhashtë dritën e amshuar!

Në emër të Ipeshkëvijve të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë,

+ Gjergj Meta

President i KISH-it

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme