Asambleja LXVII e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë

Në qendër të Asamblesë së LXVII të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, mbajtur më 31 janar e 1 shkurt, qenë disa tema të rëndësishme për jetën e Kishës në Shqipëri: Puna e Kishës për mbrojtjen e të miturve, situata aktuale e Universitetit Katolik “Zoja Këshillit të Mirë, përgatitja për Ditën Botërore të të rinjve në Lisbonë nga datat 1-6 gusht 2023, ku do të marrin pjesë afër 150 të rinj nga Shqipëria, faza kontinentale e Sinodit të Kishës etj..

Ipeshkvijtë e Kishës katolike të Shqipërisë mbajtën më 31 janar e 1 shkurt asamblenë e tyre të 67-të  të zakonshme, gjatë së cilës trajtuan disa argumente të rëndësishme për jetën e Kishës katolike në vend si:puna që Kisha po bën, në nivelin kombëtar e dioqezan, për mbrojtjen e të miturve dhe të personave vulnerabël. Pastaj u fol mbi situatën aktuale të Universitetit Katolik “Zoja Këshillit të Mirë.  U bisedua edhe rreth përgatitjes për Ditën Botërore të të Rinjve që do të mbahet në Lisbonë nga datat 1-6 gusht 2023, ku do të marrin pjesë afër 150 të rinj nga Shqipëri. Një tjetër temë ishte faza kontinentale e Sinodit të Kishës, që zhvillohet në Pragë, në datat 05-12 shkurt, si një moment i rëndësishëm që i paraprin edhe Asamblesë së parë të Sinodit e cila do të mbahet në dy faza. U njoftua se është gati për shtyp, në gjuhën shqipe, Katekizmi i Kishës Katolike, si dhe libri i këngëve, punuar nga Komisioni liturgjik. Pastaj u fol për Kishën katolike të Shqipërisë si pjesë e zinxhirit eukaristik të nisur nga CCEE për kremtimin gjatë kreshmëve 2023, këtë herë do të kremtohet një Meshë për paqen në Ukrainë. Po t’i kthehemi punimeve të Asamblesë së Konferencës Episkopale të Shqipërisë e më hollësisht të ndjekim njoftimin e zëdhënësit të K.I.SH. dom Mark Pashkja:

Dom Mark Pashkja Zëdhenës i KISH.

Konferenca Ipeshkvore – Komunikime

Asamblea  e zakonshme  e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, u mbajt në datat 31 janar – 1 shkurt 2023.  Në nisje të kësaj Konference Nunci Apostolik, duke falenderuar për nismat e ndryshme liturgjike që u morën në Dioqezat tona, në nderim të Papës Benedikti XVI, e përshëndeti mbledhjen e ipeshkvinjëve Nunci Apostolik. Imzot Luigi Bonazzi, i cili citoi disa fragmente të fjalimit të Papa Benediktit mbajtur në maj të vitit 2008, gjatë vizitës ad limina të ipeshkvinjëve të Shqipërisë dhe u kujtoi të gjithëve se “ … sa thelbësore është të ndjerit së bashku dhe përgjegjësia e bashkëndarë e ipeshkvinjëve, pikërisht për t’u bërë ballë në mënyrë të efektshme problemeve dhe vështirësive të Kishës në Shqipëri”.

Në fokus të sesioneve të punës dyditore qenë disa tema të rëndësishme për jetën e Kishës në vendin tonë ndër të cilat mund të përmendim: 

–  Punën që kisha jonë lokale po bën për përmirësimin e strategjisë për mbrojtjen e të miturve dhe të personave vulnerabël si dhe hapat e mëtejshëm që do bëhen në nivel kombëtar e dioqezan. Gjatë punimeve u paraqitën rezultatet e një pyetësori që është bërë nga Universiteti Gregorian në lidhje me çka është bërë dhe po bëhet aktualisht në Shqipëri nga Kisha në lidhje me Safeguarding. Instituti i Antropologjisë i Universitetit Gregorian, në bashkëpunim me Komisionin episkopal për mbrotjen e të miturve, po bën një punë të mirë që t’u vijë në ndihmë ipeshkvinjëve dhe komisioneve dioqezane për mbrojtjen e të miturve sidomos në drejtim të hartimit të politikave të parandalimit.

–  Situatën aktuale të Universitetit Katolik “Zoja Këshillit të Mirë”.  U diskutua me përfaqësues të Universitetit për gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit në mënyrë që ky universitet të ketë një trajtë sa më katolike, në përkim me dokumentat e Kishës e sidomos të dokumentit “Ex corde eclesiae”. Kapërcimi i problematikave aktuale të universitetit dhe spitalit, që sapo ka filluar funksionimin e tij, ishte një tjetër moment i rëndësishëm i diskutimeve.

–  Përgatitjen e Ditës Botërore të të rinjëve që do të mbahet në Lisbonë nga datat 1-6 gusht 2023. Mendohet pjesmarrja e 150 të rinjve, të shoqëruar nga dy Ipeshkvinj, përkatësisht Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrrës dhe Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëv i Rrëshenit dhe njëkohësisht Përgjegjës i seksionit të Baritores rinore për CCEE.

–  Relacionin e Avokates Znj. Egla Muzaka mbi situaten e kthimit të pronave dhe hapat që janë bërë në këtë drejtim. Mbetet shumë për tu përmirësuar në këtë drejtim, sidomos në lidhje me kuadrin ligjor. Puna që po bëhet kërkon rishikimin e disa marrveshjeve dhe në mënyrë të veçantë bërjen sa më funksionale të tyre në mënyrë që këtij problemi dhjetravjeçar t’i jepet një zgjidhje përfundimtare.

–   Fazën kontinentale të Sinodit që do zhvillohet në Pragë, në datat 05-12 shkurt. Një moment i rëndësishëm kjo fazë e cila i paraprin Asamblesë së parë të Sinodit që do të mbahet në dy faza. U komentua letra e Kard. Grech dhe Kard. Hollerich e cila u kujtonte ipeshkvinjëve rolin e tyre në procesin sinodal e gjithashtu që ky sinod është i fokusuar mbi temën e sinodalitetit dhe nuk ka për qëllim të trajtojë të gjitha temat që kanë dalë në pah në mbarë Kishën. Nga Shqipëria në mbledhjen e Pragës do të marrë pjesë një delagacion i përbërë nga Imzot Angelo Massafra, Arqipëshkëv i Shkoder-Pult, Atë Bernad Caruana, Vikar Gjeneral i Tiranës dhe Petrika Lame, laik nga Jugu.

–   Më në fund është bërë gati për shtyp edhe Katekizmi i Kishës Katolike, pas një pune dhe iter-i të gjatë përkthimi dhe rishikimi. Në të njëjtën kohë po bëhët gati për botim edhe libri i këngëve i punuar nga Komisioni liturgjik. Është i pari tekst këngësh që do të jetë në dispozicion të të gjithë shqiptarëve i bërë nga një grup pune profesionist.

–   Së fundmi, edhe këtë vit, Kisha jonë bëhet pjesë e zinxhirit eukaristik të nisur nga CCEE për kremtimin gjatë kreshmeve të një Meshe, këtë herë për paqen në Ukrainë. Vendi i parë është Shqipëria dhe ne do të kremtojmë meshë në të gjithë vendin me datë 22 shkurt, e Mërkura e Përhimjes, për paqen në Ukrainë. Prandaj që i ftojmë të gjithë meshtarët dhe komunitetet rregulltare që të aplikojnë meshën atë ditë për këtë qëllim.

Dom Mark Pashkja
Zëdhenës i KISH.