17.5 C
Tirana
HomeKISH«Ardhtë Mbretëria jote!»
HomeKISH«Ardhtë Mbretëria jote!»

«Ardhtë Mbretëria jote!»

2816 Në Besëlidhjen e Re, fjala βασιλεία-Basileía mund të përkthehet «karakter mbretëror» (emër abstrakt), «mbretëri» (emër konkret) ose «mbretërim» (emër veprimi). Mbretëria e Hyjit është që përpara nesh. Ajo është afruar në Fjalën e mishëruar, kumtohet në mbarë Ungjillin, ka ardhur në vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit. Mbretëria e Hyjit vjen që nga Darka e shenjtë dhe, në Eukaristi, ajo është midis nesh. Mbretëria do të vijë në lavdi atëherë kur Krishti do t’ia dorëzojë Atit të vet:

 «Mund të jetë që mbretëria e Hyjit të nënkuptojë edhe vetë Krishtin, atë që ne e thërrasim me dëshirat tona çdo ditë, ardhjen e të cilit ne dëshirojmë fort që ta shpejtojmë me pritjen tonë. Ashtu siç ai është ngjallja jonë, sepse në të ne ngjallemi, po ashtu mund të jetë edhe mbretëria e Hyjit, sepse në të ne do të mbretërojmë». (Shën Çipriani nga Kartagjena, De dominica Oratione, 13).

2817 Kjo kërkesë është «Marana tha», klithja e Shpirtit dhe e Nuses:

«Eja, o Zot, Jezus». «Edhe sikur kjo lutje të mos na kishte diktuar detyrën që ta kërkojmë ardhjen e Mbretërisë, ne, me një spontanitet të papërmbajtshëm, do ta kishim lëshuar këtë klithmë, të zhuritur nga padurimi për të shkuar dhe përqafuar atë që është objekti i shpresave tona. Shpirtrat e martirëve, nën altar, thërrasin Zotin duke bërtitur me zë të lartë: «Deri kur, o Zotërues i shenjtë e i drejtë, do të vonosh të bësh drejtësi e ta shpaguash gjakun tonë mbi banuesit e tokës?» (Zb 6,10). Në realitet, për ata duhet bërë drejtësi, në mbarimin e kohëve. Prandaj, o Zot, shpejtoje ardhjen e mbretërisë sate!». (Tertuliani, De oratione, 5, 2-4).

2818 Në Lutjen e Zotit bëhet fjalë kryesisht për ardhjen përfundimtare të mbretërisë së Hyjit me kthimin e Krishtit. Por kjo dëshirë nuk e shkëput Kishën nga misioni i saj në këtë botë, madje e angazhon edhe më shumë. Në të vërtetë, pas Rrëshajëve, ardhja e Mbretërisë është vepër e Shpirtit të Zotit, i dërguar «që ta përkryejë veprën e Krishtit në botë dhe të kryejë çdo shenjtërim».

2819 «Mbretëria e Hyjit […] është drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt» (Rom 14,17). Kohët e fundit, në të cilat jetojmë, janë ato të zbrazjes së Shpirtit Shenjt. Prandaj, ndërmjet «mishit» dhe Shpirtit, është në zhvillim e sipër një betejë vendimtare:

«Vetëm një zemër e pastër mund të thotë pa kurrfarë droje “Ardhtë mbretëria jote!”. Duhet të ishim në shkollën e shën Palit për të thënë: “mëkati të mos mbretërojë më në trupin tonë të vdekshëm” (Rom 6,12). Ai që ruan pastërtinë në veprimet, mendimet dhe fjalët e veta, mund t’i thotë Hyjit: “Ardhtë mbretëria jote!”». (Shën Çirili nga Jerusalemi, Catecheses mystagogicae, 5, 13)

2820 Me një shoshitje sipas Shpirtit, të krishterët duhet të dallojnë midis rritjes së mbretërisë së Hyjit dhe progresit të kulturës dhe të shoqërisë ku janë përfshirë. Ky dallim nuk është ndarje. Thirrja e njeriut për jetën e amshuar nuk e shfuqizon, por e bën më të domosdoshme, detyrën e shfrytëzimit të energjive dhe mjeteve të marra nga Krijuesi për t’i shërbyer në këtë botë drejtësisë dhe paqes.

2821 Kjo kërkesë është marrë dhe çuar në vend në lutjen e Jezusit, e pranishme dhe e efektshme në Eukaristi; ajo jep frytin e vet në jetën e re sipas lumnive.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme