(Në ditën e salikimit të Mons Simon Kullit ipeshkëv i Sapës)
Sa të qëlluara dalin fjalët e një poeti, kur tha: “Atëherë kur buzët njerëzore s’kanë asgjë për të thënë, ato do të mbesin të ngjitura pas fjalës së fundit që do të thonë”.
Sot kur po ndahemi nga Bariu i Dioqezës sonë të Sapës, Mons Simon Kulli, fjalët e tij të fundit të ngjitura për qiellzën e gojës së tij, do të mbesin si emblemë baritore që veçon misionin e tij të thjeshtë dhe të përvuajtur.
Në çastet e fundit të jetës së tij, kur gjendja po rendohej pranë përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë, fjala e tij e fundit ishte: “Me lini në Paqe.” Fjala Paqe mbeti e ngjitur për qiellzën e gojës së tij, si shujta e kungimit e mbretërisë së amshuar.
Kushdo që e ka njohur sadopak Monsinjorin, nuk mund të mos hetonte se si ai nuk merakosej aq pas stërhollimeve, si lypacaku që kërkon lëmoshë pranë rrugës, por kërkonte që të përputhej me rrahjet e misterit; kërkonte me parë që të bëhej gjiri i misterit, se sa të shkapërderdhej pas gjurmimit shterpë të hamendjeve.
Po të kërkohej të përmblidhet i gjithë misioni i tij meshtarak dhe baritor në pak fjalë, atëherë jeta e tij përkon me fjalët e psalmit: “Zemra ime është si dylli, që shkrihet brenda rropullive të mia.” (Ps 22, 15)
Gjatë bisedave të lira pas dreke, shikimi i tij ndalej të lulet dhe insektet e imta e mahnitej thellë nga thjeshtësia e tyre, se si shfaqej thelbi i tyre thjesht e pa ndërlikime.
E ndiqte besnikërisht rrugën e vogël të thjeshtësisë dhe të përvujtërisë. Po atë rrugë që e shtronte Shën Tereza e Jezusit Fëmijë, e cila nder të tjera pati thënë: “Shpirtrat e meshtarëve: këta shpirtra do të duhej të ishin më të tejdukshëm se kristali” (Letra 94). Sikur kristali që përshkohet nga drita, meshtari përshkohet nga Drita e Shpirtit të Shenjtë.
Apostullati i tij ishte apostullat i shikimit përdëllues. Shikimi i tij merrte dritë nga shkëfi i kraharorit dhe bëhej i kthjellët si loti që nuk mungonte nga ninëzat e syve të tij sa herë që tjetri kishte nevojë të zbutej dhe të përmbushej me rrezet e dashurisë.
Gjithmonë qëndronte përballë tjetrit pa ia kthyer shpinën. Mishëronte atë që luste në çdo Meshë:
“po të falënderojmë që na lejove
të qëndrojmë para Teje (coram Te) e të të shërbejmë Ty.”
Nga vatra eukaristike përflakej misioni i tij ndaj tjetrit. Në takimin e Krishtit të Ngjallur me Simonin apostull, në bregun e detit të Tiberiadit, Jezuesi e pyeti: “Simon Gjoni a më do”! (Gjn 21, 15-19). Kërkonte nga apostulli i tij zhytjen në dashurinë e Tij të pambarueshme. E përgjigjja e Simonit ishte: “Ti di gjithçka, ti e di se të dua.”
Pas kësaj përgjigjeje gjithë thellësia e qenies së Simonit përballë Krishtit të Ngjallur hapet që të zhytet e të përshkohet nga dashuria e të Ngjallurit.
Apostullati i vërtetë fillon atëherë, kur dishepulli i tij hapet ndaj Dashurisë së pambarueshme që të përkryhet me dashurinë e pambarueshme. Vetëm pas kësaj hapje Jezusi i thotë Simonit: “Më ndiq!”
Monsinjor i dashur në emër të mbarë Dioqezës sonë të falënderojmë për çdo hap tëndin të palodhur si meshtar e bari që ke hapur me aq thjeshtësi shtegun e misionit ndaj kësaj dashurie, që mbarë Dioqeza dhe Kisha të përkryhet me përmbushjen e Dashurisë dhe Lavdisë së Krishtit të Ngjallur.
Paja nusërore e tejfigurimit, të cilën bariu i kësaj dioqeze, po ia le si peng trashëgimi Kishës sonë, le ta ruajmë si ninëzën e syve e të lartësohemi në dritën e rrezeve të dashurisë që e shndërron shikimin dhe pamjen e misionit e Kishës të kësaj Dioqeze.
Pusho në Paqe!

