Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. IV. Kushtetuta Gaudium et spes
Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!
Gjëja e parë që dëshiroj t’ju them është faleminderit! Faleminderit për mbështetjen e lutjeve tuaja. Falënderoj Hyjin për bujarinë e tij. Ta përtërijmë të gjithë besimin tonë në mirësinë dhe mëshirën e Hyjit.
Kushtetuta baritore Gaudium et spes (GS) e Koncilit II të Vatikanit, pasi ka paraqitur, në pjesën e parë, dinjitetin e personit dhe thirrjen e tij në botë, në pjesën e dytë, «në dritën e Ungjillit dhe të përvojës njerëzore», trajton disa nga problemet më urgjente të kohës sonë (krh. GS, 46). Vëmendja përqendrohet së pari te martesa dhe familja, me bindjen se «e mira e personit dhe e shoqërisë njerëzore e të krishterë është e lidhur ngushtë me gjendjen e mbarë të bashkësisë bashkëshortore dhe familjare» (GS, 47).
Me këtë qëllim, Koncili nuk mjaftohet thjesht me ripohimin e vlerave dhe të qëllimeve të tyre, por paraqet një konceptim të përtërirë të martesës si «bashkësi e ngushtë jete dhe dashurie bashkëshortore» (GS, 48). Duke e integruar përmasën juridike të martesës si kontratë, themeli i këtij bashkimi njihet në «paktin bashkëshortor», të kuptuar si «akti njerëzor me të cilin bashkëshortët i dhurohen dhe e pranojnë njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë» (po aty). Dhurimi i ndërsjellë i burrit dhe i gruas, falë të cilit «nuk janë më dy, por një trup i vetëm» (Mt 19,6), qëndron në themel të kërkesës për «besnikëri të plotë» dhe «bashkim të pazgjidhshëm» të bashkëshortëve, duke gjetur shprehjen e vet të gjallë në lindjen dhe edukimin e fëmijëve (krh. GS, 48). Si pasqyrim i Trinisë hyjnore, dashuria bashkëshortore dhe prindërore, nëpërmjet Sakramentit të martesës, «mbështetet dhe pasurohet nga fuqia shëlbuese e Krishtit», në mënyrë që bashkëshortët të mund ta duan njëri-tjetrin ashtu «sikurse ai e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të» (po aty).
Pasi e ka ndriçuar realitetin e martesës në dritën e dashurisë së Krishtit, që është e vërteta e dashurisë njerëzore dhe hyjnore, Gaudium et spes e drejton vëmendjen te dashuria bashkëshortore dhe frytshmëria martesore. Pa u kufizuar në tërheqjen erotike, të cilën gjithsesi e përfshin në vetvete, dashuria bashkëshortore përfshin tërë vullnetin e bashkëshortëve, duke gjallëruar ndjenjat e tyre të brendshme dhe duke u shprehur përmes ndjenjave dhe gjesteve të ngrohta (krh. GS, 49). Duke përqafuar të mirën e krejt personit të burrit e të gruas, të barabartë në dinjitet, kjo dashuri përshkon krejt jetën e bashkëshortëve, duke gjetur shprehje në aktet që janë ekskluzivisht të martesës (krh. po aty). Ndërsa shpreh dashurinë e plotë nga një person te tjetri, intimiteti i veçantë i bashkëshortëve favorizon dhurimin e tyre të ndërsjellë dhe pasuron gëzimin që ata përjetojnë me njëri-tjetrin (krh. po aty).
Frytshmëria e dashurisë bashkëshortore shprehet, gjithashtu, në lindjen e fëmijëve, që janë «dhurata më e shkëlqyer e martesës» (GS, 50). Duke përçuar dhe edukuar jetën njerëzore, jetë e cila nuk duhet të hidhet kurrë, bashkëshortët bëhen «bashkëpunëtorë të dashurisë së Hyjit Krijues dhe, në njëfarë mënyre, interpretues të tij» (po aty). Të thirrur në këtë përgjegjësi njerëzore dhe të krishterë, ata duhet të udhëhiqen nga një gjykim i drejtë për të mirën e tyre dhe të fëmijëve, si të atyre që kanë lindur, ashtu edhe të atyre që do të lindin. Një gjykim i tillë, të cilin, në analizë të fundit, duhet ta formulojnë vetë bashkëshortët përpara Hyjit, kërkon që ndërgjegjja e tyre të jetë në përputhje me ligjin hyjnor, të interpretuar nga Magjisteri i Kishës në dritën e Ungjillit (krh. po aty).
Vlerësimi i bashkimit në dashuri dhe i frytshmërisë lindëse në martesë e shtyn Koncilin të përjashtojë mundësinë që të ketë «kundërshtim të vërtetë ndërmjet ligjeve hyjnore, që mbajnë përçimin e jetës, dhe atyre që favorizojnë dashurinë e mirëfilltë bashkëshortore» (GS, 51) dhe, përkundrazi, të pohojë se «kur bëhet fjalë për të pajtuar dashurinë bashkëshortore me përçimin […] e jetës», duhet «të ruhet, në një kontekst dashurie të vërtetë, kuptimi i plotë i dhurimit të ndërsjellë dhe i lindjes së jetës njerëzore» (po aty). Prej kësaj rrjedh, nga njëra anë, se «jeta, që nga çasti i ngjizjes, duhet të mbrohet me kujdesin më të madh», duke shmangur «abortin dhe vrasjen e foshnjave»; dhe, nga ana tjetër, se «aktet specifike të jetës bashkëshortore, të rregulluara sipas dinjitetit të vërtetë njerëzor, duhet të respektohen me vlerësim të madh» (po aty).
Mësimi i Gaudium et spes mbi bashkësinë bashkëshortore dhe familjare arrin kështu të nxjerrë në pah funksionin shoqëror të familjes, e cila përkufizohet si «një shkollë e një njerëzie më të pasur» dhe «themeli i shoqërisë» (GS, 52), duke u kujtuar të gjithë atyre që kanë përgjegjësi shoqërore, veçanërisht në fushën politike dhe kulturore, detyrën që «të bashkëpunojnë në mënyrë efikase për nxitjen dhe përkrahjen e martesës dhe të familjes» (po aty).
Shumë të dashur, ky angazhim është më urgjent se kurrë. Kisha e di mirë këtë, siç dëshmon përkujdesja baritore e Papëve që kanë ardhur njëri pas tjetrit pas Koncilit të fundit, deri te dy Asambletë Sinodale të thirrura nga Papa Françesku, të cilave iu rikthyen ditët e fundit edhe Krerët e Kishave Lindore Katolike dhe Kryetarët e Konferencave Ipeshkvore. Familja e Shenjtë e Nazaretit na ndriçoftë në udhëtimin tonë dhe i mbroftë familjet e mbarë botës.

