Pallati i Kancelarisë në Romë e pikërisht, Salla prestigjoze e “100 ditëve”, pikturuar nga artisti italian Giorgio Vasari, u bë, më 20 dhjetor, skena e një homazhi të ndierë për poetin e madh kombëtar, françeskanin shqiptar, atë Gjergj Fishta. Siç sqaroi e dërguara me punë e Ambasadës së Shqipërisë praë Selisë së Shenjtë, Majlinda Dodaj, kjo pasdite tematike mbylli vitin e veprimtarive në kuadrin e 30-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Seli e Shenjtë, si edhe të 150-vjetorit të lindjes së atë Gjergj Fishtës, të cilit, më 30 dhjetor, i kremtojmë edhe përvjetorin e vdekjes.
Blerina Suta: Fishta i këndoi një Shqipërie ideale, ballkanike, por evropiane
Në pamundësi të jenë të pranishëm për arsye personale, studiuesit Aurel Plasari dhe Evalda Paci ia lanë vendin kumtesës së profesoreshës në Universitetin “L’Orientale” të Napolit, Blerina Suta, e cila foli mbi “Poetikën Evropiane të një françeskani ballkanik: Gjergj Fishta dhe kultura shqiptare”. Që në krye, ajo përmendi mendimin e një protagonisti tjetër të madh të kulturës, atë Zef Valentinit, i cili e konsideronte veprën e Fishtës “njëlloj si çdo dokument zyrtar, ose studim të shkëlqyer shkencor mbi jetën dhe traditën filozofike, shoqërore, juridike, politike të popullit shqiptar, e ndoshta edhe më mirë se kaq, sepse duke lexuar Fishtën përftohet hermeneutika më e mirë e dokumenteve dhe sugjestioni estetiko-moral, që u jep jetë dhe rezonancë traditave”. Në kumtesën e saj, Blerina Suta vuri në dukje me shembuj e me reflektime se “poetika e Fishtës është ajo e një Shqipërie ideale, ballkanike, por evropiane”, që ushqehet jo vetëm nga tradita e kultura e popullit, por edhe nga rrënjët e krishtera të tij, pasqyruar nga françeskani i madh, i cili, vëren studiuesja, “e sheh barazinë ndërmjet njerëzve si shprehje të vëllazërimit në Krishtin, siç lexohet në poezinë me titull ‘Të Kryqzuemit’: Sot t’tânë popujt janë nji rodi/ Gjaku i t’ Lumit i vllaznoi”.
Paolo Ruffini: atë Fishta ka ndërtuar katedrale fjalësh
Përshëndetja e parë gjatë këtij përkujtimi të atë Gjergj Fishtës i takoi prefektit të Dikasterit për Komunikimin në Selinë e Shenjtë, Paolo Ruffini, i cili vuri në dukje aftësinë e poetëve si françeskani i madh shqiptar për të parë më larg se koha e vet e për të thënë gjëra, që vlejnë edhe sot e kësaj dite. “Atë Fishta – nënvizoi prefekti – ishte poet. Një poet në gjendje të rizgjojë fjalë. Ishte gazetar. Themeloi gazeta. Besonte në rolin e kulturës për të endur shpirtin e një populli”.
E, më pas, në fjalën e tij të stërpikur me citime të Papës Françesku, sidomos me mendimet e shprehura për popullin shqiptar gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në vitin 2014, Paolo Ruffini theksoi: “Françeskani atë Fishta ishte poet origjinal, që bëri të jetojnë e të pulsojnë shpirti, idealet e popullit, të tokës së vet, me gjithë bukurinë e miteve të saj, të traditave mistike, të zakoneve besnike ndaj origjinës, të ndjenjave heroike. Veprat e atë Fishtës na tregojnë, pra, për rëndësinë e rrënjëve… Shqiptarët e dinë se kur fjala del nga zemra (ashtu si fjalët e atë Fishtës), e prek zemrën. Dinë edhe se malet nuk takohen, por njerëzit po. E siç tha Papa Françesku, duke iu drejtuar presidentit dhe autoriteteve të Shqipërisë në vitin 2014, shqiptarët (jo vetëm me fjalë) e kanë dëshmuar mundësinë konkrete për dialog. Citoj tekstualisht: ‘Sa ndodhi në Shqipëri dëshmon… se bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve e bashkësive, që u përkasin feve të ndryshme, nuk është vetëm e dëshirueshme, por konkretisht e mundur dhe e praktikueshme. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive fetare, në fakt, është pasuri e paçmuar për paqen dhe për zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është vlerë, që duhet ruajtur e shtuar çdo ditë, përmes edukimit me respektin për ndryshimet e për identitetet e veçanta, të hapura ndaj dialogut dhe bashkëpunimit për të mirën e të gjithëve, përmes ushtrimit të njohjes e të vlerësimit për njëri-tjetrin. Është dhuratë, që i duhet kërkuar gjithnjë Zotit në lutje. Shqipëria vijoftë gjithnjë në këtë rrugë, duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi!’ Kujtesa poetike mund të bëjë shumë për këtë. Sepse është e aftë ta transfigurojë historinë. E t’i gjallërojë burimet e rrënjët”, përfundoi prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin.
Pas tij, aktorja Isabel Russinova dhe gazetarja Klaudia Bumçi lexuan disa pjesë nga poezitë e atë Gjergj Fishtës, në italisht e në shqip. Për publikun, mundësia për të kuptuar thellësinë e shpirtit të një poeti të madh, intelektual poliedrik.
Marrë nga Radio Vatikani