Analizimi i kujdesshëm i shoqërisë aktuale dhe i mentalitetit mbizotërues të bën të dallosh pa vështirësi një Evropë që po shkon gjithnjë e më shumë drejt shkrirjes së identitetit të krishterë. Paradigma jetësore është çdo ditë e më e orientuar drejt relativizmit dhe nihilizmit. Në këtë situatë ku zgjedhjet përfundimtare shkaktojnë shumë frikë te të rinjtë, gjithnjë e më shumë vihet re ekzistenca e një shoqërie likuide, një shoqëri ku duket qartë se s’ka vend për Zotin e aq më tepër për një fe të jetuar si identitet.
Boshatisjes së seminareve i ka paraprirë në mënyrë progresive boshatisja e kishave dhe frekuentimi i tyre gjithnjë e më tepër vetëm nga mosha e tretë. Në horizontin ku individualizmi duket triumfues dhe ku njerëzit janë të shqetësuar më shumë se për asgjë për siguritë ekonomiko-materiale, mund të shtrohet një pyetje: A ia vlen të jesh meshtar sot? Ndërkohë që edonizmi pothuajse mbizotëron në çdo diskurs, a vlen të flitet për celibat (pastërti )? A ka më kuptim t’i kushtohesh Zotit përgjithmonë pa pasur asgjë të sigurt? Në një kohë kur aktivitetet që dikur ishin monopol i Kishës, tashmë mund të gjenden kudo, a kemi nevojë për rolin e famullitarit? A ia vlen të bëjmë propagandë thirrore, kur figura e meshtarit duket se është e reduktuar vetëm në funksionet rituale?
Përparoni si gaforre
njeheni priften vec për vorre
Forcë e tretun, zotsi e shueme,
Nji makinë e shpartallume… – do të thoshte dom Ndre Zadeja.
Në një kontekst të tillë, figura e meshtarit duhet të lidhet domosdoshmërisht me thirrjen esenciale të Kishës. Ai nuk duhet të ekspozohet vetëm në karakterin e tij ritual, por mbi të gjitha profetik.
Para se të flasim për rolin funksional të meshtarit, duhet që ta lidhim atë me qëllimin e ekzistencës së Kishës së Krishtit. Kisha në botë është, ekziston dhe do të jetë gjithmonë në misionin e dritës së popujve. Dritë, jo ndërtesë, jo organizatë, jo vetëm institucion. Funksioni i dritës është të ndriçojë, të heqë errësirën. Automatikisht të bëjë të shihen gjërat si janë në të vërtetë, pra ta udhëheqë njeriun tek e vërteta.
Në fakt këtu qëndron edhe funksioni i Kishës dhe i meshtarit. Prandaj, nëse kemi nevojë për të vërtetën, kemi nevojë edhe për Kishën, kemi nevojë për meshtarin; jo si një person që identifikohet me ritet, por si dikush që edhe nëpërmjet riteve na drejton tek e vërteta. Ai i cili përpiqet të mishërojë brenda tij të vërtetën që është Krishti, jo të vërtetën relative. Prandaj vetëm për Të ia vlen më shumë se kurrë të jesh meshtar. Jo për diçka, por për Dikë. Për askënd nuk ia vlen të japësh jetën më shumë sesa për të vërtetën, për Krishtin. Në këtë mënyrë ia vlen të zgjedhësh atë që është më e mira. A nuk është ajo për të cilën secili lufton çdo ditë? Për më të mirën? Prandaj me të drejtë dom Ndreu pohon:
Gjithkush t’veten e na bajm’ t’onen,
Rrahe mirë, ti kler kumbonen