HomeKISHRINIA MARIANE VINÇENCIANE FESTON 30-VJETORIN E THEMELIMIT NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

RINIA MARIANE VINÇENCIANE FESTON 30-VJETORIN E THEMELIMIT NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

Zllakuqan, 19 shtator 2026 – Një ditë falënderimi, kujtese dhe bashkimi për 30 vite mision me të rinjtë

Rinia Mariane Vinçenciane (RMV) Shqipëri-Kosovë festoi më 19 shtator 2026, 30-vjetorin e themelimit të saj, në vendin ku ky rrugëtim nisi në vitin 1996, në Zllakuqan.

Përvjetori u shënua me një ditë të veçantë bashkimi, në të cilën morën pjesë anëtarë dhe ish-anëtarë të RMV-së, përfaqësues të Familjes Vinçenciane Shqipëri-Kosovë, meshtarë, motra, miq dhe bashkëpunëtorë të misionit.

Aktiviteti nisi në Caritas Umbria-Toscana në Leskoc, ku u rikujtua historia 30-vjeçare e Rinisë Mariane Vinçenciane. Përmes dëshmive dhe kujtimeve të ish-anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve, u sollën në vëmendje momente të rëndësishme të këtij rrugëtimi dhe kontributi i RMV-së në formimin e shumë të rinjve.

Momenti qendror i përvjetorit ishte Kremtimi Eukaristik në famullinë “Shën Gjon Pagëzuesi” në Zllakuqan, pikërisht në vendin ku 30 vite më parë nisi prania e Rinisë Mariane Vinçenciane.

Pas Eukaristisë, festa vazhdoi me një drekë vëllazërore, këngë, valle dhe momente bashkimi. Për pjesëmarrësit, kjo ditë ishte një mundësi për të rizbuluar lidhjet e krijuara gjatë viteve dhe për të kujtuar se misioni i RMV-së është ndërtuar mbi besimin, miqësinë, formimin dhe shërbimin.

Organizatorët shprehën mirënjohjen e tyre për Shoqaten në nivel Ndërkombëtarë, Kombëtarë dhe Lokal, Familjen e madhe Vinçenciane, Etërit Vinçencianë, Motrat Vinçenciane, Caritasin Umbria-Toscana, Don Lush Sopi, Famullinë e Zllakuqanit me Don Meriton Dedaj, famullitarë.

Çfarë është Rinia Mariane Vinçenciane?

Rinia Mariane Vinçenciane (RMV) është një Shoqatë Laike Ndërkombëtare e të rinjve katolikë, pjesë e Familjes së madhe Vinçenciane.

Ajo është vazhdim dhe rigjallërim i Shoqatës së Fëmijëve të Virgjërës Mari, e cila e ka origjinën në përvojën e Shën Katerinës Labouré dhe shfaqjet e Virgjërës Mari në Paris në vitin 1830 e cila i tha: “Dëshiroj që të themelohet një Shoqatë për të rinjtë… ku unë do të zbraz hire të shumta”.

Shoqata u miratua nga Papa Piu IX, me dekretet e 20 qershorit 1849 dhe 19 korrikut 1850, dhe më pas u konfirmua nga Selia e Shenjtë përmes dekreteve të tjera.

RMV synon të shoqërojë të rinjtë në rrugëtimin e tyre njerëzor dhe të krishterë, duke i ndihmuar të rriten në besim, në dashurinë për Marinë dhe Krishtin, në pjesëmarrjen në jetën e Kishës dhe në shërbimin ndaj të varfërve, sipas shpirtit të Shën Vinçenc de Paul-it.
RMV Shqipëri-Kosovë ka Statutet e saja Kombëtare të aprovuara sipas neneve kanonike dhe Statuteve Ndërkombëtare të kësaj Shoqate, 25 mars 2021.

Nga 1996 drejt së ardhmes

Tridhjetë vite pas themelimit, Rinia Mariane Vinçenciane Shqipëri-Kosovë vazhdon misionin e saj me të rinjtë, duke krijuar hapësira formimi, bashkimi, lutjeje dhe shërbimi.

Përvjetori i 30-të u bë kështu jo vetëm një kujtesë e një historie të kaluar, por edhe një mundësi për të parë drejt së ardhmes dhe për të ripërtërirë angazhimin në shërbim të të rinjve, Kishës dhe të varfërve.

30 vite kanë kaluar, por misioni vazhdon.
Me Marinë te Jezusi!

Këshilli Kombëtar
RMV Al-Ks

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Bashkësia njerëzore

Të ngjashme