Mision i jashtëzakonshëm në Rrëshen
Rrëshen (Shqipëri), 2–14 mars 2026
Në dioqezën e Rrëshenit u zhvillua një mision i jashtëzakonshëm me temën “Shpresa në Zotin nuk zhgënjen”, i organizuar nga Dioqeza në bashkëpunim me Veprat Misionare Papnore (PP.OO.MM.) në Shqipëri, e pranishme në vend prej rreth një viti e gjysmë.
Ky është misioni i dytë i realizuar në këtë bashkëpunim: i pari u mbajt në tetor 2025. Këtë herë në qendër të nismës ishte qyteti i Rrëshenit, selia e Katedrales dhe vendbanimi i ipeshkvit, së bashku me zonat periferike kryesisht rurale, me rreth 10 mijë banorë.
Misionarët në familje: takim, dëgjim, shpresë
Zemra e misionit ishte takimi i drejtpërdrejtë me familjet. Misionarët të organizuar në grupe, një meshtar dhe një motër rregulltare ose një meshtar dhe një laik vizituan çdo zonë, duke hyrë në shtëpi dhe duke ndarë momente dëgjimi e lutjeje, veçanërisht me të moshuarit dhe të sëmurët. Pritja ishte në shumicën e rasteve e ngrohtë dhe e sinqertë, e shoqëruar me buzëqeshje dhe ndonjëherë me emocion të thellë. Megjithatë, nuk munguan disa situate delikate: disa familje, të shënuara nga probleme personale apo familjare, e patën të vështirë t’i prisnin misionarët. Edhe në këto raste, prania e tyre e thjeshtë dhe respektuese u bë shenjë afërsie dhe farë shprese.


Një bekim, një fjalë ngushëllimi, një gjest i thjeshtë: këto ishin mjetet kryesore të misionit. Në një kohë të dominuar nga komunikimi digjital, kontakti i drejtpërdrejtë njerëzor u dëshmua edhe një herë i pazëvendësueshëm.
Takimi me të rinjtë në Katedrale
Një moment veçanërisht i rëndësishëm ishte takimi me nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme “Shën Jozefi Punëtorë”. Misionarët patën mundësinë të takojnë të gjitha klasat në katedralen e Rrëshenit, duke ndarë me ta momente dialogu, dëshmie dhe reflektimi.


Një mundësi e çmuar për t’u afruar me të rinjtë, për të dëgjuar pyetjet e tyre dhe për të ndarë me ta një mesazh feje dhe shprese, në një realitet shpesh të shënuar nga pasiguri dhe sfida.
Një Kishë në bashkim
Misioni ishte gjithashtu një përvojë e fortë bashkimi ndërmjet vetë misionarëve. Të ardhur nga dioqeza dhe realitete të ndryshme rregulltare, ata ndanë jo vetëm shërbimin baritor, por edhe jetën e përditshme, lutjen, vaktet dhe bashkëbisedimet vëllazërore. Në këtë larmi përvojash u theksua uniteti i misionit: shpallja e Krishtit. Një laborator i vërtetë i bashkimit kishtar, që tregon sa e rëndësishme është të bashkohen forcat, sidomos në një kontekst si ai shqiptar.
Dioqeza e Rrëshenit përballet me vështirësi të ndryshme, ndër të cilat mungesa e meshtarëve dhe e rregulltarve: aktualisht ka gjashtë meshtarë aktivë dhe pesë kongregata femërore.Në këtë realitet, prania e misionarëve nga dioqeza dhe kongregata të tjera është një shenjë konkrete solidariteti kishtar dhe një inkurajim për bashkësinë vendase. Nga ana tjetër, dioqeza ruan një trashëgimi të pasur historike dhe një dëshmi të fortë feje, të ndërtuar nga përkushtimi i misionarëve ndër vite.
Një shikim drejt së ardhmes
Në Meshën përmbyllëse mori pjesë edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Mirosław Adamczyk, i cili inkurajoi Kishën shqiptare duke siguruar mbështetjen e tij. Drejtori i Veprave Misionare Papnore në Shqipëri, Atë Agustin Margjoni CM, është angazhuar me vendosmëri që në fillim të shërbimit të tij, duke gjetur bashkëpunimin e ipeshkvijve dhe misionarëve në vend.
Kjo përvojë përbën vetëm fillimin e një ripërtëritjeje të mundshme misionare për Shqipërinë, e cila, megjithëse me rrënjë të lashta të krishtera, mbetet ende tokë misioni. Mbetet ende shumë për t’u bërë, sidomos në formimin misionar të laikëve, një përparësi që pritet të zërë vend në programet e PP.OO.MM. dhe në formimin dioqezan.



Misionarët falenderojnë përzemërsisht Dioqezën e Rrëshenit për mikpritjen, në mënyrë të veçantë falenderojnë Mons. Gjergj Metën për gaditshmërinë e tij; Dom Mirget Gegaj, famullitarin e Katedrales, për bashkpunimin dhe mbarvajtjen e misionit.
Zyra e Komunikimit
P.O.M. Shqipëri

