14.5 C
Tirana
HomeKISHVeprimtaria misionare në Athinë dhe Korfuz
HomeKISHVeprimtaria misionare në Athinë dhe Korfuz

Veprimtaria misionare në Athinë dhe Korfuz

Atë Rrok Shporaj CM
Përgjegjës i Komunikimit - P.O.M Albania

Nga 3 deri më 13 shkurt 2026, Atë Agustin Margjoni CM, Drejtor i Veprimtarive Misionare Papnore në Shqipëri, së bashku me Atë Dario Rossetti, ndërmorën një vizitë misionare në Athinë dhe ishullin e Korfuzit për t’u takuar me familjet katolike shqiptare.

Eksodi i shqiptarëve në Greqi, i cili u intensifikua pas rënies së komunizmit në vitin 1991, ishte një fenomen masiv migrator i nxitur nga arsye ekonomike, duke e transformuar Greqinë në një destinacion kryesor. Shumë vuajtje dhe shumë sfida për atë komunitet. Falë Zotit dhe vullnetit të mirë të popullit, pas dekadash ata janë integruar mirë në shoqërinë greke, duke formuar pakicën më të madhe në vend. Statistikat e fundit të qeverisë greke tregojnë se ka midis 500,000 dhe 600,000 shqiptarë të regjistruar në Greqi, përveç atyre që nuk janë të regjistruar. Në të gjithë vendin ka të paktën 50,000 deri në 60,000 katolikë.

Fatkeqësisht, Kisha Katolike lokale në Greqi nuk kishte mjetet për të ndihmuar këta të sapoardhur nga Shqipëria, veçanërisht jashtë qyteteve, duke mos pasur as kisha dhe as meshtarë për t’u shërbyer atyre. Në vitet 1991, Etërit Kapuçinë i mirëpritën shqiptarët në kishën e tyre në qendër të Athinës, në Plateia Victoria. Me kalimin e viteve, Kisha Shqiptare është përpjekur t’i përmbushë këto nevoja me burimet e kufizuara në dispozicion.

Kohët e fundit, katolikët shqiptarë kanë ndjerë praninë e Kishës Shqiptare përmes misioneve dhe fundjavave të meshtarëve që shkojnë për vizitë. Një zhvillim i kohëve të fundit janë misionet tremujore, të kryera nga një grup Motrash të Nënë Terezës, të cilat kanë rigjallëruar komunitetet famullitare. Për disa vite, misionarët vinçencianë kanë udhëhequr një mision dhjetëditor në zonën e Selanikut, tre herë në vit. Në Athinë, është i pranishëm Don Thomas Thompson, një misionar që ka shërbyer në Shqipëri për vite me radhë. Në një ishull tjetër, është i pranishëm një misionar polak vinçencian që ka kushtuar shumë vite shërbimi në Shqipëri; kohët e fundit, P.O.M po punon, në bashkpunim me Ipeshkvijntë në Greqi, për të organizuar më mirë misionin.

Në fakt, vizitë-misioni synonte gjithashtu të organizonte një mision në muajt në vijim. Atë Agustini shprehet: “U preka thellësisht nga gëzimi dhe dëshira që këto komunitete kanë për Fjalën e Zotit dhe për praninë e meshtarëve shqiptarë.”

Misioni dhe Mikpritja

Vizita e të sëmurëve, kremtimi i Meshës së Shenjtë në shqip, sakramenti i rrëfimit dhe takimi me njerëzit ishin shtyllat e këtij misioni. Arqipeshkëvi i Athinës, Imzot Theodoros Kontidis, S.J., i priti ngrohtësisht dy meshtarët, duke shprehur entuziazmin e tij dhe duke i inkurajuar ata të vazhdonin misionin e tyre. Të njëjtën pritje të ngrohtë përjetuan edhe gjatë takimit të tyre me Arqipeshkëvin e Korfuzit, Imzot Georgios Altouvas.

Gjatë atyre ditëve, Mesha u kremtua në shqip për herë të parë në Korfuz. Të shoqëruar nga Motrat e Nënë Terezes dhe dy laikë, Marjan Rroku dhe Ded Marku, dy misionarët vizituan rreth pesëdhjetë familje.

Katolikët shqiptarë falënderojnë Ipeshkvijtë e Greqisë, të cilët gjithmonë u janë përgjigjur me bujari nevojave të tyre me burime të kufizuara, dhe Motrat e Nënë Terezës, të cilat u shërbejnë komuniteteve që, pa to, nuk do të kishin qenë kaq gjallëruara.

Një popull që ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë kaq shumë meriton kujdesin e Kishës dhe, në të vërtetë, ka shumë për t’i ofruar Kishës Katolike në Greqi.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme