Ti, o Zot, je shpresa ime (Ps 71,5)
1. «Ti, o Zot, je shpresa ime» (Ps 71,5). Këto fjalë kanë buruar nga një zemër e shtypur nga vështirësi të mëdha: «Ti më çove prova shumë të mëdha» (rr. 20), thotë Psalmisti. Megjithëkëtë, shpirti i tij mbetet i hapur dhe besimplotë, sepse është i qëndrueshëm në fe, e njeh përkrahjen e Hyjit dhe e dëshmon: «Ti je kështjella ime dhe strehimi im» (rr. 3). Prej këtu rrjedh besimi i padështueshëm se shpresa në Të nuk zhgënjen: «Në dorë tënde, o Zot, askurrë mos u turpërofsha» (rr. 1).
Në mesin e provave të jetës, shpresa gjallërohet nga siguria, e qëndrueshme dhe zemërdhënëse, e dashurisë së Hyjit, e zbrazur në zemrat tona nga Shpirti Shenjt. Prandaj ajo nuk zhgënjen (krh. Rom 5,5) dhe Shën Pali mund t’i shkruajë Timoteut: «Prandaj vuajmë dhe luftojmë pse shpresojmë në Hyjin e gjallë» (1 Tim 4,10). Njëmend, Hyji i gjallë është «Hyji i shpresës» (Rom 15,13), i cili në Krishtin, me anë të vdekjes e të ngjalljes së tij, u bë «shpresa jonë» (1 Tim 1,1). Nuk mund të harrojmë se jemi shpëtuar në këtë shpresë, në të cilën kemi nevojë të qëndrojmë të rrënjosur.
2. I varfri mund të bëhet dëshmitar i një shprese të fortë e të besueshme, pikërisht sepse shpallet nga një gjendje jetësore të pasigurt, e përbërë nga mungesa, brishtësi e mënjanime. Ai nuk mbështetet te siguritë e pushtetit apo të pasurisë; përkundrazi, i pëson ato dhe shpeshherë është viktimë e tyre. Shpresa e tij mund të mbështetet vetëm diku tjetër. Duke pranuar se Hyji është shpresa jonë e parë dhe e vetme, edhe ne bëjmë kalimin nga shpresat e kalimtare në shpresën që s’njeh fund. Përballë dëshirës për ta pasur Hyjin shok udhëtimi, pasuritë shihen me tjetër sy, sepse zbulohet thesari i vërtetë për të cilin kemi vërtet nevojë. Fjalët me të cilat Jezusi Zot i nxiste dishepujt e vet, tingëllojnë të qarta e të forta: «Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin! Mblidhni për vete visare në qiell, ku s’brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure as nuk vjedhin » (Mt 6,19-20).
3. Varfëria më e rëndë është mosnjohja e Hyjit. Pikërisht këtë gjë na kujtonte Papa Françesku kur, në Evangelii gaudium, shkruante: «Diskriminimi më i rëndë nga i cili vuajnë të varfrit është mungesa e vëmendjes shpirtërore. Shumica dërrmuese e të varfërve kanë një hapje të veçantë ndaj fesë; kanë nevojë për Hyjin dhe nuk mund të mos ua ofrojmë miqësinë e Tij, bekimin e Tij, Fjalën e Tij, kremtimin e Sakramenteve dhe propozimin e një rrugëtimi rritjeje dhe pjekurie në fe» (nr. 200). Këtu kemi një vetëdije themelore dhe tërësisht origjinale lidhur me mënyrën e gjetjes së thesarit në Hyjin. Njëmend, Gjoni apostull këmbëngul: «Nëse ndokush thotë: “E dua Hyjin”, e këndej e urren vëllain e vet, është gënjeshtar. Sepse kush nuk e do vëllain e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë» (1 Gjn 4,20).
Ky është një rregull i fesë dhe një sekret i shpresës: të gjitha të mirat e kësaj toke, realitetet materiale, kënaqësitë e botës, mirëqenia ekonomike, sado të rëndësishme, nuk mjaftojnë për ta bërë zemrën të lumtur. Pasuritë shpeshherë krijojnë iluzion dhe të çojnë në situata dramatike varfërie, para së gjithash, në atë që na bën të mendojmë se nuk kemi nevojë për Hyjin dhe se mund ta çojmë përpara jetën të shkëputur prej Tij. Na vijnë në mendje fjalët e Shën Augustinit: «Krejt shpresa jote qoftë Hyji: ndije veten nevojtar të Tij që të mbushesh plot prej Tij. Pa Të, çfarëdo që të kesh, do të shërbejë vetëm që të ndihesh edhe më i zbrazët» (Enarr. in Ps. 85,3).
4. Shpresa e krishterë, e cila na jepet nga Fjala e Hyjit, është siguri në rrugëtimin e jetës, sepse nuk varet nga fuqia njerëzore, por nga premtimi i Hyjit, që është gjithmonë besnik. Prandaj të krishterët, që në krye të herës, kanë dashur ta paraqesin shpresën me simbolin e spirancës, që jep qëndrueshmëri dhe siguri. Shpresa e krishterë është si një spirancë që e ngulit zemrën tonë te premtimi i Jezusit Zot, i cili na ka shpëtuar me vdekjen dhe ngjalljen e tij e që do të kthehet sërish në mesin tonë. Kjo shpresë vazhdon të tregojë si horizont të vërtetë të jetës «qiejt e rinj» dhe «tokën e re» (2 Pjt 3,13), ku ekzistenca e çdo krijese do të gjejë kuptimin e saj autentik, sepse atdheu ynë i vërtetë është në qiell (krh. Fil 3,20).
Qyteti i Hyjit, për rrjedhojë, na angazhon për qytetet e njerëzve. Ato duhet të fillojnë që tani duke i përngjarë atij. Shpresa, e mbështetur nga dashuria e Hyjit e zbrazur në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt (krh. Rom 5,5), e shndërron zemrën njerëzore në tokë të frytshme, ku mund të mbijë dashuria për jetën e botës. Tradita e Kishës e ka pohuar vazhdimisht këtë qarkullim ndërmjet tri virtyteve teologale: fesë, shpresës dhe dashurisë. Shpresa lind nga feja, e cila e ushqen dhe e mban, mbi themelin e dashurisë, që është nëna e të gjitha virtyteve. Dhe për këtë dashuri kemi nevojë sot, tani. Nuk është një premtim, por një realitet drejt të cilit shikojmë me gëzim e përgjegjësi: na përfshin, duke i orientuar vendimet tona drejt së mirës së përbashkët. Kurse atij që i mungon dashuria, jo vetëm i mungon feja dhe shpresa, por ia heq shpresën edhe tjetrit.
5. Thirrja biblike për shpresë mbart pra detyrimin për të marrë përgjegjësi koherente në histori, pa vonesa. Vërtet, dashuria «përfaqëson urdhërimin më të madh shoqëror» (Katekizmi i Kishës Katolike, 1889). Varfëria ka shkaqe strukturore që duhen trajtuar dhe hequr. Ndërsa kjo ndodh, të gjithë jemi të thirrur që të përftojmë shenja të reja shprese që e dëshmojnë dashurinë e krishterë, ashtu si kanë bërë shumë shenjtër e shenjtëresha në çdo epokë. Spitalet dhe shkollat, për shembull, janë institucione të krijuara për të shprehur mikpritjen ndaj më të dobëtëve dhe të mënjanuarve. Ato do të duhej të ishin tashmë pjesë e politikave publike të çdo vendi, por luftërat dhe pabarazitë e pengojnë ende këtë gjë. Sot, shtëpitë–familje, bashkësitë për të mitur, qendrat e dëgjimit e të strehimit, mensat për të varfrit, konviktet, shkollat popullore, bëhen gjithnjë e më shumë shenja shprese: sa shumë prej këtyre shenjave të heshtura të shpresës kalojnë shpeshherë pa u vënë re, e megjithatë janë kaq të rëndësishme për të flakur indiferencën dhe për t’i frymëzuar të tjerët që të angazhohen në forma të ndryshme të veprimit vullnetar!
Të varfrit nuk janë çështje dytësore për Kishën, por janë vëllezërit e motrat më të dashur, sepse secili prej tyre, me jetën e vet, me fjalët e me urtinë që mbart, na shtyn të prekim me dorë të vërtetën e Ungjillit. Prandaj Dita Botërore e të Varfërve synon t’ua kujtojë bashkësive tona se të varfrit janë në qendër të tërë veprimtarisë baritore. Kjo vlen jo vetëm për aspektin e bamirësisë, por po aq edhe për mesazhin që ajo kremton dhe kumton. Hyji e ka bërë të veten varfërinë e tyre për të na bërë të pasur përmes zërave të tyre, historive të tyre, fytyrave të tyre. Të gjitha format e varfërisë, pa përjashtim, janë një thirrje për ta jetuar Ungjillin në konkretësi dhe për të ofruar shenja të frytshme shprese.
6. Kjo është thirrja që vjen nga kremtimi i Jubileut. Nuk është rastësi që Dita Botërore e të Varfërve kremtohet kah fundi i këtij Viti hiri. Kur Porta e Shenjtë të mbyllet, do të duhet t’i ruajmë e t’i bashkëndajmë dhuratat hyjnore që na janë dhënë gjatë një viti të tërë lutjeje, kthimi e dëshmie. Të varfrit nuk janë objekte të veprimtarisë sonë baritore, por subjekte krijuese që na shtyjnë të gjejmë forma gjithnjë të reja për ta jetuar, sot, Ungjillin. Përballë formave të reja të varfërimit, ekziston rreziku që të mësohemi më to e të dorëzohemi. Çdo ditë takojmë njerëz të varfër ose të varfëruar e ndonjëherë mund të ndodhë që të jemi vetë ne ata që kemi më pak, që humbasim atë që dikur na dukej e sigurt: një banesë, ushqimin e përshtatshëm për ditën, qasjen ndaj kujdesit shëndetësor, një nivel të mirë arsimimi e informimi, lirinë fetare dhe atë të shprehjes.
Duke e promovuar të mirën e përbashkët, përgjegjësia jonë shoqërore e ka themelin në veprimin krijues të Hyjit, i cili ua jep të gjithëve të mirat e tokës: ashtu si këto, edhe frytet e punës së njeriut duhet të jenë të aksesueshme në mënyrë të drejtë për të gjithë. Njëmend, të ndihmosh të varfrit është çështje drejtësie, para se të jetë çështje bamirësie. Sikurse vëren Shën Augustini: «Ti i jep bukë atij që ka uri, por do të ishte më mirë që askush të mos kishte uri, që të mos kishe nevojë t’i jepje bukë. Ti i ofron veshje atij që është i zhveshur, por sa më mirë do të ishte që të gjithë të kishin veshje e të mos ishte kjo skamje» (Koment mbi 1 Gjn, VIII, 5).
Shpresoj që ky Vit Jubilar të përnxisë zhvillimin e politikave kundër formave të vjetra e të reja të varfërisë, si dhe nisma të reja mbështetjeje dhe ndihme për më të varfrit ndër të varfrit. Puna, arsimi, banesa, shëndeti janë kushtet e një sigurie që nuk mund të ndërtohet kurrë me armë. Përgëzoj nismat tashmë ekzistuese dhe angazhimin e përditshëm që vërehet në nivel ndërkombëtar nga një numër i madh burrash e grash vullnetmirë.
T’i besohemi Marisë tejet të Shenjtë, Ngushëllimi i të pikëlluarve, dhe bashkë me të le të lartësojmë një këngë shprese duke i bërë tonat fjalët e Te Deum: «In Te, Domine, speravi, non confundar in aeternum – Në Ty, o Zot, kam shpresuar, askurrë nuk do të zhgënjehem».
Nga Vatikani, 13 qershor 2025, përkujtimi i Shën Antonit të Padovës, Pajtor i të Varfërve.
LEONE PP. XIV

