JUBILEU KOMBËTAR I FAMILJES
Dioqeza e Sapës priti këtë të shtunë 18 Tetor 2025, qindra pelegrinë nga të 6 dioqezat e Shqipërisë për të marrë pjesë në Jubileun Kombëtar të Familjes. Në këtë Jubile nderuan me pjesëmarrjen e tyre Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i Shkodër-Pultit, dhe Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës dhe Presidenti i Komisionit Kombëtar të Familjes.

Ky Jubile është një moment i veçantë lutjeje dhe shprese. Papa Françesku në raportimin e Jubileeut Kombëtar të Familjeve na kujton që “Familja nuk është vetëm një strehë fizike ajo është zemra që mbart jetën, shpresën dhe përkushtimin e ndërsjellë. Ajo është mjedisi ku gjejmë dashuri, ku jetojmë, rifitojmë forcë dhe jemi thirrur të jemi shenjë paqeje për botën“.
Nën kujdesin e Imzot Simon Kullit dhe organizimin e Komisionit dioqezan të Familjes me përgjegjës dom Kastriot Gjokën, gjithçka është pritur dhe dëshiruar shumë nga të gjithë dhe si fillim shtegtarët e shpresës u bashkuan në hyrje të qytetit Vau Dejës. Secila Dioqezë u thirr me emër dhe me zemrat plot shpresë naltuan duart drejt Zotit duke e falenderuar për dhuratën e jetës – këtë mundësi për të jetuar si vëllezër e motra.

Ishte Imzot Giovanni Peragine, i cili hapi këtë jubile përmes bekimit të tij, duke na thënë se jubileu i familjeve është një përvojë bashkimi. Jemi një popull në ecje për t’u rritur në dashuri dhe për të njohur se familja është një shkollë bashkimi.
Pas këtij momenti, nisi dhe procesioni drejt Katedrales në një atmosferë shpirtërore të shoqëruar me këngë, lutje dhe uratë. Gjatë procesionit në një ndalesë u prezantua një familje e re nga Lezha ku Zoti ju kishte dhënë si dhuratë 5 fëmijë, 5 bekime që ishin të mbushur plot jetë, plot fe dhe shërbim.


Me të mbërritur në oborrin e Katedrales, një moment tjetër u shpalos për dioqezat pjesëmarrëse, ku ishte zgjedhur harta e Shqipërisë si një simbol shpirtëror e bashkimit, dashurisë dhe vëllazërisë. Harta ishte e copëzuar dhe secila dioqezë e riformoi atë, sepse çdo pjesë përfaqëson një qytet, një krahinë, një zemër, nje identitet që rreh për të njëjtin vend.
Momenti më i rëndësishëm ishte ftesa e Imzot Simon Kullit përmes hapjes së portës së Shenjtë për të marrë pjesë në misterin e lutjes dhe të kremtimit Eukaristik të udhëhequr nga ai në bashkëcelebrim me ipeshkvinjtë e tjerë dhe meshtarët. Gjatë homelisë së tij, Ipeshkvi i Sapës u ndal në rolin e familjes në ditët e sotme, duke thënë se ky jubile është një moment i veçantë lutjeje dhe shprese. Shumëkush harron se duhet të jetë dikush: babë, nënë, vëlla, motër, mik e shok, anëtarë i familjes. Harron se duhet ta tregojë dashurinë e vet njerëzve me të cilët jeton.
Për këtë arsye ne sot mendojmë dhe ia kushtojmë Zotit familjet tona që Zoti t’i drejtojë kah e mira dhe t’i përngjajë sa më shumë familjes së Birit të vet.
Kremtimi i Jubileut të Familjes vazhdoi edhe me pjesën kulturore –artistike, ku u dha një koncert nga Kori Dioqezan dhe disa pjesë teatrale aktruar nga të rinjtë, ku si mesazh kishin Familjen në qendër. E po në këtë moment u dhanë dëshmi edhe nga anëtarë të familjes së Shtëpisë së Bamirësisë. E përmes këtyre interpretimeve kuptuam se sa e rëndësishme është në një familje dashuria, mirëkuptimi, respekti dhe mirënjohja ndaj Zotit së pari dhe ndaj njëri-tjetrit.


Kësaj dite i dhanë ngjyra edhe kostumet tradicionale, ku secila dioqezë solli nga një familje të veshur me kostumin e zonës së vet, një traditë kjo që ndërthuret më së miri dhe i dhanë një bukuri të rrallë këtij Jubileu.

